Pa korrupsion, pa privilegje!
Në Rumani protestat kundër korrupsionit nuk po marrin fund. Presidenti Iohannis është takuar ndërkohë me përfaqësues të shoqërisë civile. Një hap i duhur, mendon Robert Schwartz.
Një risi në Bukuresht: ditën e katërt të vazhdimit të protestave, Presidenti Klaus Iohannis u takua me përfaqësues të shoqërisë civile në rezidencën e tij në Pallatin-Cotroceni. Pas bisedimeve të para me partitë politike, Iohannis donte të dëgjonte më në fund edhe zërin e popullit. Zjarri katastrofik i 30 tetorit me 32 të vdekur dhe më shumë se 100 të plagosur rëndë duket se e ka zgjuar nga gjumi shoqërinë në Rumani.
Dhe Iohannis jep një sinjal të ri: ai shkon te demonstruesit në rrugë, ai do ta kërkojë me ta rrugën për një politikë të llojit të ri, të cilën ai e pati premtuar para një viti pas fitores së tij të papritur në zgjedhje. Për shumë nga zgjedhësit e tij, ai ka pritur shumë. Ata do të kishin dashur që ai t'i kishte fshirë më shpejt nga faqja e dheut strukturat e vjetra.
Jo me një të rënë të dorës
Por e vërteta ka pamje tjetër. Këtë Iohannis e di, këtë duhet ta pranojnë edhe demonstruesit. Pas 26 vjetësh korrupsion dhe nepotizëm, klasa politike nuk mund të ndërrohet me një të rënë të dorës. Grupe në parti dhe në parlament bllokojnë me shkathtësi çdo reformë, që mund t'i dëmtojë. "Korrupsioni vret", kjo është motoja e demonstruesve. Në katalogun e tyre të shkurtër të kërkesave ata kërkojnë heqjen e privilegjeve, të cilat i ka siguruar klasa politike, krejtësisht në stilin e mafias. Në një qeveri të re ata dëshirojnë ministra të pastër, që nuk ndiqen penalisht, që nuk i kanë ndërruar partitë si të tjerët këmishat dhe që nuk kanë punuar për ish-sigurimin e shtetit Securitates.
Që zgjidhja nuk është vetëm në rrugë, këtë demonstruesit duhet ta kenë të qartë. Por që këta të rinj paraqesin padyshim një pushtet, që është në gjendje të thotë fjalën e tij, kjo është bërë kërcënim serioz për sistemin e korruptuar. Partitë e korruptuara politike duan të fitojnë kohë dhe shpresojnë që dhjetëra mijëra njerëzit që protestojnë në sheshet qendrore në Bukuresht dhe në qytete të tjera të lodhen shpejt. Shpesh ata kanë pasur sukses me këtë taktikë. Por këtë herë duket se kjo taktikë nuk po ecën më. Të rinjtë mblidhen çdo darkë dhe thonë se do t'i ndërpresin vetëm atëherë protestat, kur të jenë plotësuar kërkesat e tyre.
Gjuajtje në portën e duhur?
Tani Presidenti Iohannis nuk duhet t'i zhgënjejë më zgjedhësit e tij. Ai ka shansin që të ndërtojë një qeveri të qendrueshme teknokratësh, për ta nxjerrë vendin nga moçali i lidhjeve të vjetra dhe i strukturave të korruptuara. Ai nuk duhet të pranojë më që persona me pushtet të pasurohen në kurriz të shoqërisë dhe shtetit nën mbrojtjen e imunitetit. Kjo duhet të marrë fund. Rruga i ka hedhur Presidentit një top, të cilin ai duhet ta pranojë dhe ta çojë në portën e duhur. Një goditje huq do të ishte fatale – për të dhe për Rumaninë.
DWelle