Pa kthim … Pa Gate
Nga Eglantina Nasi
11.55 – Nisja … Pa kthim – Mbërritja!
Në Dusseldorf. Tabela qendrore e aeroportit nuk e ka pikëzuar fluturimin me numrin 4U 9525 të Barcelonës. Fasha e tij e bardhë nuk konturohet as me termin gjermanik “gelandet” (zbriti). Teksa mungesa e orarit mbërritës, nuk ka sesi të shoqërohet as me praninë e gate-it dalës. E dhimbur kjo fashë me hapësirë boshe, si diagrama horizontale e EKG-së së një njeriu, zemra e të cilit befas ndalet. Pa ulje-ngritjet që fal një rrahje e zakontë, kur jeta e mban ngrohtë ende në pëllëmbët e saj…
Nuk di nëse mund të ketë patur në morinë e lajmeve dhe infove që qarkulluan në tërë kilometrazhin mediatik evropian, por edhe botëror këto ditë mbi tragjedinë ajrore të avionit “Germanuings” në Francën e Jugut, ndonjë prej tyre që të fliste më shumë rreth saj, sesa ky imazh. I cili më shumë se mungesa e diçkaje, të mbars me idenë e humbjes. Të diçkaje që mbetet pa kthim, pa gate … të vetë jetës. Një imazh që të impresionon përtej kalimtares, së zakonshmes, asaj që presim pas çdo veprimi që ne kryejmë. Ja që edhe nëse këto të fundit i kryen me përpikëri, ndjen sesi diçka të humbet duarsh, ndërsa një copë hekuri vërtitet në ajër dhe ti je duke endur përmes tij trupin, ëndrrat dhe vetë ekzistencën tënde…
Vetëm para pak javësh, isha vetë pjesë e një avioni gjerman. Ndjesia e të udhëtuarit me të cilin, nuk e di përse m’u soll menjëherë ndërmend teksa sytë i kisha ngulur kushedi prej sa minutash mbi fashën e bardhë pa termin gjermanik “gelandet” Ndoshta një trill i zakonshëm i mendjes njerëzore kjo, e cila vërtitet direkt tek ndjesitë personale teksa ndeshet me një fatkeqësi. Duke e menduar direkt veten me fat që s’ka qenë e përfshirë në një të ngjashme me të. Por pse jo. Edhe duke u drithëruar, duke menduar të kundërtën …
Ajo që u ndodhi 150 viktimave rrugës së ajrit nga Barcelona për në Dusseldorf, mund t’u ndodhë të gjithëve. Edhe pse statistikat tentojnë të na qetësojnë, duke na thënë se aksidentet ajrore janë më të ulëtat në numër se ato me automjete. Një teori kjo që kthehet edhe në përjetim negativ, deri në fobi për disa persona të caktuar. Të cilët preferojnë të udhëtojnë gjithmonë të ndarë nga familjarët e tyre me mjetin e hekurt që na vërtit nëpër qiell. Edhe pse stjuardesat e këndshme, përpiqen të na e bëjnë sa më të këndshëm udhëtimin nëpër hapësirë, duke na servirur pije apo buzëqeshur pa fund. Në këmbim, të krijimit të një vetësigurie. E cila megjithatë, duhet pranuar se nuk mund të jetë totale tek askush, edhe pas vitesh të tëra fluturimi, apo kthimit të avionit në një mjet të zakonshëm udhëtimi.
Vetë imazhi i tabelës së fluturimeve të Dusseldorfit e rrëfen këtë të vërtetë tragjike. E cila nuk është se ndodh përditë, apo përvit. Por që megjithatë, të drithëron dhe të mendosh se për njërën apo për tjetrën arsye, e keqja godet dhe vulos praninë e vet me fatkeqësi të tilla përtej të zakonshmes.
“Ma il cielo e’ sempre piu blu”, këndonte i famshmi Rino Gaetano në vitet ’70, përtej detit. Dhe unë do të doja ta besoja në titullin e kësaj legjende. Por ja që ky imazh, më bën të kapërdihem thellë e të mendoj se ndonjëherë qielli nxihet dhe nuk qenka vetëm blu …