Paga e kryetarit të Bashkisë bëhet 174.760 lekë/muaj, 140.000 e nënkryetarit
Në 11 nëntor kur pritet të mblidhet Këshilli bashkiak, do të miratohen dhe pagat e reja të autoriteteve dhe punonjësve të Bashkisë së Tiranës. Sipas burimeve zyrtare të këtij institucioni, indeksimi i pagave nuk bëhet që nga 2009 për shkak të përplasjeve të vazhdueshme politike mes qeverisë dhe pushtetit vendor. Paga e kryetarit të Bashkisë propozohet të jetë mbi 174.000 lekë, një rritje prej 9.000 lekë në muaj krahasuar me administratën e mëparshme.
Këshilli bashkiak në mbledhjen më të afërt pritet të miratojë pagat e reja për kryetarin, nënkryetarët,drejtorët, policinë bashkiake, inspektorët dhe punonjës të tjerë të shërbimit në këtë institucion.
Indeksimi i pagave do të bëhet pas një mungese të gjatë që në vitin 2009, për arsye sipas Bashkisë së Tiranës se Këshilli bashkiak është bllokuar vazhdimisht prej përplasjeve politike qeveri-pushtet vendor.
Me këtë indeksim, paga mujore e Kryetarit të Bashkisë propozohet të jetë 174.760 lekë, 9.000 lekë në muaj më shumë se ajo e ish-kryetarit Basha. Paga e nënkryetarit të Bashkisë propozohet të jëtë 140.000 lekë.
Kufiri maksimal i punonjësve të shërbimit në këtë institucion nuk do të jetë më shumë se 34.000 lekë.
Kryeinspektori i policisë bashkiake do të ketë një pagë mujore prej 86.850 lekë.
Sipas projektvendimit të Bashkisë së Tiranës, aplikimi i pagave do të fillojë nga data 1 tetor 2015 dhe efektet financiare të rritjes së pagave do të përballohen nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2015.