Pagesa e borxheve, kusht për mjetet që do të dalin nga qarkullimi
Pagesa e detyrimeve të prapambetura do të jetë kusht për çdo drejtues mjeti që deklaron se, nuk do të qarkullojnë me mjete në pronësi të tyre gjatë vitit kalendarik, përkohësisht, ose qe do të dalin përfundimisht nga qarkullimi.
Në një udhëzim të ministrisë së Financave mbi ligjin “Për taksat kombëtare” përcaktohet se, personat, të cilët deklarojnë se nuk do të qarkullojnë me mjete në pronësi të tyre gjatë vitit kalendarik, përkohësisht vetëm njëherë brenda një viti kalendarik, ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe që dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor targën dhe lejen e qarkullimit, duhet që më parë të kenë paguar detyrime të prapambetura, nëse kanë.
Në këto detyrime, sipas ministrisë së Financave, përfshihen edhe pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara, për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar dhe pagesat e taksës së mjeteve të vërtetuara si të vjedhura nga organet e prokurorisë.
Pak ditë më parë ka hyrë në fuqi edhe Kodi i ri Rrugor, me anë te të cilit forcohen gjobat ndaj shkelësve. Së shpejti në faqen zyrtare të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor do të publikohet edhe regjistri elektronik për 740 mijë drejtues mjetesh në të gjithë vendin.