”Pajtim kombëtar për kandidatin”, Alimehmeti: Opozita të harrojë ndasitë, të shtrijmë dorën e bashkëpunimit

”Opozita duhet t’i nënshtrohet një procesi pajtimi kombëtar për të zgjedhur emrin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës”,-thotë i mandatuari i PD-së për negociatat, Ilir Alimehmeti. Për të opozita duhet të harrojë ndasitë e së shkuarës dhe të bëhet bashkë për interesin kombëtar. Ai nuk përjashtoi bashkëpunimin as me Lulzim Bashën apo Agron Shehajn.

”Çdo forcë që ndjen veten opozitare ne i kemi shtrirë dorën, u kemi thënë hajde takohemi qoftë dhe informalisht për të kuptuar nëse ka bazë bashkëpunimi. Ne kemi nevojë t’i nënshtrohemi një procesi pajtimi kombëtar që të kuptojmë që gjërat me njëri-tjetrin janë më të vogla në krahasim me interesin kombëtar. Ky komb po vdes. A po na ikën rinia ne? Po bie numri i lindjeve është një komb që po rrudhet e po plaket. Është e nevojshme nga kampi opozitar një pajtim kombëtar. Duhet të harrojmë diferencat e fërkimet në të kaluarën përkarshi të keqes që kemi përballë. Kjo është fryma me të cilën shkojmë në këto diskutime; dorë e lirë për propozime nga ana e tyre dhe do të diskutohen”,-tha mjeku i njohur.

Alimehmeti nënvizon se aktualisht janë në diskutime me partitë opozitare për emrin e kandidatit që plotëson kriteret dhe gëzon mbështetjen e të gjithë opozitës. Sipas tij ka shumë emra dinjitozë edhe nga shoqëria civile. Ai njoftoi se shumë shpejt do të kenë një takim me kreun e partisë Mundësia për të parë mundësinë e bashkëpunimit. I mandatuari i demokratëve shton se në takimet me aleatët, Mediu, Duka e Blushi janë diskutuar edhe emra jashtë partive.

Swiss Digital Desktop Reklama

”Ne aktualisht po kërkojmë siç po i kërkojmë edhe zotit Shehaj patjetër që edhe mund të propozojë nëse ka disa emra absolutisht po që do të merret në shqyrtim. Nuk po shkojmë me emrin tonë që të kërkojmë mbështetje, por jemi në ventilim, që do të thotë marrim emra të ndryshëm ka edhe emra nga shoqëria civile, emra dinjitozë që diskutohen kriteret që duhet të jenë opozitarë që kanë qëndruar kundër regjimit për një kauzë civile, person me integritet, duhet të jetë patjetër që të kapërcejë gardhin e partisë dhe të gëzojë mbështetjen e të gjithë frontit opozitar që do krijohet. Në këtë fazë jemi në diskutime formale. Kjo ka qenë linja e punës, më pas partitë parlamentare opozitare nëse e ndjen veten opozitar ne shtrijmë dorën e bashkëpunimit”.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?