“Paketa e Maleve”, Këshilli i Ministrave miraton zonat prioritare në Belsh, Përmet, Skrapar dhe Elbasan
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në disa bashki si Belsh, Përmet, Skrapar dhe Elbasan. Vendimi u mor në mbështetje të ligjit për Paketën e Maleve, me propozim të ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Konkretisht në bashkinë e Belshit janë shpallur disa zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, në fshatrat Qafshkallë, Gradishtë, Seferan-Hysë, Shegas, Fierzë.
Në bashkinë e Elbasanit janë shpallur zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, në fshtarat, Funar, Gjinar, Tregan, Shushicë. Në bashkinë e Përmetit janë shpallur zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, fshatrat Kanikol dhe Draçovë. Në bashkinë e Skraparit është shpallur zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, në Helmës-Staraveckë, njësia administrative Potom.
Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këto zona janë të zhvillimit ekonomik, të zhvillimit industrial, të zhvillimit turistik. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Belsh për zbatimin e këtij vendimi.
Paketa e Maleve synon të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e turizmit, agropërpunimit, bujqësisë dhe blegtorisë në zonat me potencial të lartë natyror. Aplikimet për “Paketën e Maleve” mbeten të hapura deri në fund të vitit 2025, ndërsa 500 aplikantët e parë do të përfitojnë lehtësira fiskale për një periudhë 10-vjeçare, një masë që synon të nxisë investimin e hershëm dhe të qëndrueshëm në këto zona.
KOHA JONË SONDAZH

