Paketa fiskale 2016, biznesi nis paraqitjen e propozimeve
Komuniteti i biznesit që operon në vendin tonë ka paraqitur propozimet e para për paketën fiskale që do të vihet në zbatim në vitin 2016 pranë Ministrisë së Financave.
Ministria e Financave përmes një shkrese zyrtare i ka kërkuar komunitetit të biznesit që nga data 26 janar të paraqesin propozimet për paketën fiskale që do të zbatohet gjatë vitit që vjen.
Por, burime nga ministria e Financave bëjnë të ditur se kanë mbërritur pak propozime nga biznesi. Pak ditë më parë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i bëri thirrje dhomave te tregtisë, shoqatave të biznesit, por dhe gjithë grupeve të interesuara, që të paraqesin propozimet për ndryshimet ligjore apo kërkesat e tyre për lehtësitë fiskale.
Prej vitesh komuniteti i biznesit vendas, por edhe ai i huaj që ushtron aktivitetin ekonomik në vendin tonë, kanë kërkuar më shumë kohë për diskutimin e ndryshimeve në legjislacionin fiskal.