Paketa fiskale 2016, si ndryshojnë taksat dhe tatimet

 

Paketa Fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm, është diskutuar dje mes përfaqësuesve të biznesit dhe atyre të ministrisë së Financave, për çështje që lidhen me prodhimin vendës dhe kryesisht me prodhimin e birrës.

Zv/ministrja, Irena Beqiraj, tha se paketa është në fazën e diskutimeve dhe nga miratimi i asaj do të synohet të nxitet prodhimi vendas. Por, derisa të shkojë në fazën përfundimtare, për të po mblidhen edhe sugjerimet e bizneseve. “Shekulli” ka siguruar një pjesë të draftit, ku propozimet e reja sjellin ndryshime në taksat vendore (vendosje e taksës për truallin dhe taksë e re për përdorimin e apartamentit), akcizën e mallrave dhe tatimit mbi të ardhurat.

Akciza e mallrave 
Paketa propozon heqjen e akcizës për 4 mallra; llambat, gomat, bateritë dhe fishekzjarret, me arsyetimin se të ardhurat nga akciza nga këto mallra janë të panevojshme dhe ka pak persona të regjistruar si depozitues të akcizës. Duhet thënë se heqja e akcizës për këto mallra ka ardhur si propozim i mëhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Harvardit, ndërsa efektet financiare nga kjo pikë shkojnë 253 milionë lekë. Ndërkohë, duke mbetur te kjo pikë qeveria ka vendosur që të mos rrisin akcizën e duhanit, me motivacionin se rritja e nivelit të akcizës gjatë këtij viti ka ndikuar në rënien e importeve të këtij malli. Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ministri i Financave propozoi rritjen me 11 për qind të akcizës së birrës vendëse dhe uljen me 14 për qind të akcizës për birrën e importit.

Taksat vendore 
Një tjetër taksë që është propozuar nga qeveria është ajo e tokës. Për të është menduar që të bëhen katër kategorizime dhe taksa e propozuar nga kategoria 1 deri në kategorinë 4, propozohet në nivelet nga 1600 deri në 5560 lekë në vit. Bazuar në sipërfaqen totale të truallit, e cila arrin në 50 mijë hektarë, të ardhurat që do të mblidhen shkojnë deri në 180 milionë lekë. Arsyeja kryesore e propozuar në paketë është pikërisht vlerësimi që bëhet truallit, si pasuri e paluajtshme, ashtu sikurse është toka bujqësore apo ndërtesa. Për pasurinë e paluajtshme, qeveria ka propozuar që subjekt i pagesës së saj të mos jetë vetëm pronari legjitim, por edhe përdoruesi, nëse ka një të tillë.

Tatimi mbi të ardhurat 
Sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale, drafti i përgatitur me Fondin Monetar Ndërkombëtar thekson se, në ligj do të përfshihen 5 pika kryesore, njëra prej të cilave thotë se do të ndiqet modeli i taksimit të biznesit të vogël dhe do të bëhet njohja e shpenzimeve për borxhin e keq si përqindje e caktuar në bazë të periudhës së maturimit. Gjithashtu, paketa e cila propozon që miratimi i këtij ligji të bëhet në muajin korrik të vitit të ardhshëm, ose në janar të vitit 2017, thekson edhe njohjen e shpenzimeve të interesit si përqindje e fitimit para interesave dhe tatimeve, si e dhe adreson çështjen e ndërtueseve me pronarët që shkëmbehet trualli.

Ndërkohë, projekti i qeverisë zgjat edhe afatet në 5 vjet, nga 3 vjet që është aktualisht për mbartjen e humbjeve. Paketa fiskale e këtij viti, krahasuar me vitin 2014, rriti tatimin mbi të ardhurat në 13 për qind nga 10 për qind. Ndërkohë, një projekt i zbardhur në gusht të këtij viti vendoste tatim edhe për pagat nën 30 mijë, projekt, të cilin Ministria e Financave e hodhi poshtë, të paktën te pjesa e shifrave, të cilat i raportoi si ilustruese.

Takimi me FMN-në 
Tri ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Ministria e Financave zhvilluan një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2016. E pyetur për takimet e planifikuara me misionin e FMN-së, zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj shpjegoi se: “me FMN-në po shikohet gjithë paketa e buxhetit të shtetit, nuk shikohen vetëm taksat, po diskutojmë jo vetëm të ardhurat, por edhe shpenzimet, duke rënë dakord parimisht që të ndjekim të njëjtën metodologji parashikimi, qoftë të të ardhurave, qoftë e të shpenzimeve. Me FMN-në nuk po diskutojmë as për rritje taksash, as për ulje të tyre, po përpiqemi që të kemi matës të vlefshëm dhe të bëjmë parashikime sa më afër realitetit”, saktësoi zëvendësministrja e Financave.

Propozimi, rritet taksa për sigurimet 
Në propozimin e ri për taksat kombëtare, duket se qeveria do të kërkojë rritje me 10 për qind në tregun e sigurimeve të detyrueshme dhe vullnetare.

Për taksat kombëtare 
Rritet taksa mbi primet e shkruara 10 % Arsyet – rezulton se TVSH e përjashtuar për primet është 1 miliard lekë, ndërsa të ardhurat nga primi janë 220 milionë lekë.

Efekti: +450 milionë lekë

Për taksat vendore
1.Subjekt i pagesës së taksës së pasurisë nuk duhet të jetë vetëm pronari ligjor, por edhe përdoruesi i pasurisë së paluajtshme.

2.Vendosja e taksës së pasurisë mbi truallin në masën 5600 lekë/ha, 4200 lekë/ha, 2800 lekë/ha dhe 1400 lekë/ ha sipas 4 kategorizimeve të rretheve.

Arsyeja

Trualli është pasuri e paluajtshme njësoj si ndërtesa dhe toka bujqësore.

Efektet

Të ardhurat janë 180 milionë lekë, bazuar në 50 mijë hektarë truall.

Tatimi mbi të ardhurat 
Draftligji i ri i tatimit mbi të ardhurat përgatitur me FMN; Në këtë ligj do të përfshihen, ndër më kryesoret:

– Modeli i taksimit të biznesit të vogël

– Mbartja e humbjeve nga 5 vjet në 3 vjet që është aktualisht

– Adresimi i çështjes së ndërtuesve me pronarët që shkëmbehet trualli

-Njohja e shpenzimeve të interesit si përqindje e fitimit para interesave dhe tatimeve

Akciza 
Cigaret dhe duhani i grirë:

-Akciza e cigares dhe duhanit nuk rritet në vitin 2016. Parashikuar në ligj, cigaret 6000 lekë/1000 copë nga 1 janar 2016 dhe duhani 5100 lekë/kg

Arsyet

-Rritja e nivelit të akcizës ka ndikuar në rënien e sasive të importuara

– Diferenca e nivelit të akcizës me vendet fqinje. Niveli i akcizës për cigaret në vendin tonë është më i lartë se në vendet fqinje, gjë e cila favorizon kushtet për kontrabandë apo blerje të vogla në këto vende.

Efektet 
-2.1 miliardë lekë, bazuar në supozimin e 3500 ton cigare import dhe -89 milionë lekë me supozimin e 106 tonë duhan.

SHKARKO APP