Paketa fiskale, nis diskutimi në Komisionin e Ekonomisë
Me ndryshimin e sistemit të taksave vitin e ardhshëm, parashikohet që në arkën e shtetit të hyjnë 160 milionë dollarë më shumë.
Paketa fiskale ka në përbërjen e saj 14 masa, 3 prej tyre sjellin gjenerim të ardhurash dhe 11 të tjera sjellin lehtësim për biznesin, individët, konsumatorët.
Synimet kryesore të paketës fiskale 2015, janë zgjerimi i bazës tatimpaguese, mbrojtja e konsumatorit, reforma të thella në disa sektorë të ekonomisë, dhe lehtësim biznesit. Paketa prek disa sektorë.
Në sektorin e sigurimeve, hiqet tvsh-ja e produkteve të jo-jetës prej 20%, dhe vendoset taksë mbi primin 3 %. Efekti në nivel neto llogaritet 280 milionë lekë më pak.
Masa, synon përmirësime cilësore në veprimtarinë e tyre, sipas standarteve europiane. Në sektorin e hidrokarbureve, për të ndihmuar rafineritë vendase, që nafta bruto të përpunohet sa më shumë në industritë vendase zerohet taksa doganore.
Në industrinë e përpunimit të kromit, ulet masa e rentës minerare për industritë që përpunojnë ferrokromin me 1/3, qe të nxitet prodhimi.
Tatimi mbi të ardhurat personale, ndryshon normën e taksimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga 10% në 15%, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5 miliardë leke për vitin 2015.
Më konkretisht, komponentët e TAP që ndryshojnë janë: tatimi mbi dividentin, interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera.
Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale. Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që rritet me 10 lek/ litri për naftën dhe benzinën.
Efektet në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5.6 miliardë leke nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë leke nga TVSH-ja për vitin 2015.