Panairi i policisë dhe realiteti i Shqipërisë

Nga Miltiadh M. Muçi*/Një nisëm të re ka marrë Policia e Shtetit, ekspozimin në qytetet turistike të mjeteve të sofistikuara dhe përdorimin e tyre, në luftën kundër krimit e kriminelëve. Dhe kjo përbënte lajm, për disa media vizive e të shkruara. Në ekran shikoj efektivë të policisë, në mesin e vizitorëve të të gjithë moshave, fëmijë të hipur në motoçikletat e “shqiponjës” dhe “policisë rrugore”, pa ndryshim me të këndeve të lojnave.

Më parë se të nis të shkruaj, lexova në fjalorin shqip ç’është panairi dhe ekspozita, edhe pse e dija, që në dallimin mes tyre panairi është treg i madh, me mallra të ndryshëm ose ekspozitë me prodhime bujqësore apo industriale, etj., të  shteteve, krahinave, kompanive ku mund të lidhen dhe marrëveshje, të bëhen porosi, të blihet nga vizitorët. Ndryshe nga përkufizimi ekspozitë, ku vizitorët shikojnë ç’ farë janë paraqitur nga organizatorët, vepra të artit, botime apo prodhime çfarëdo për t’u parë.

Organizatoret e Policisë së Shtetit e kanë quajtur panair, nga dëshira për t’u bërë më tërheqës, të prirur nga “megalomania” që kemi parë, në ceremoni emërimesh, aktivitete masive dhe përzgjedhje të policëve kandidatë për në akademi, përurime të ndërtesave apo sallave të komunikimit dhe marrjen e informacioneve nga qytetarët, motoçikletat dhe autoveturat, ndërsa presim përurimin e “madhërishëm” të ndërtesës së rikonstrukturuar, me ndryshime nga gjitha ndërtesat e tjera të rikonstrukturuara pranë saj, ndoshta edhe nga kryeministria, për sa shikohet nga jashtë dhe pse nuk ka përfunduar. Ndoshta është mbivlerësimi që i bëhet Policisë së Shtetit, për rezultatet gjithnjë në rritje të tre viteve të qeverisjes “Rama”, sidomos në fushatat e kanabis-sativës, duke ju shtuar pagat efektivave, pa mundur t’u jap të orëve jashtë shërbimit.

Absolutisht, se në Policinë e Shtetit është punuar për pajisjen me mjetet teknike të punëve të përditshme, meritë e aleatëve, miqve tanë evropian e jo vetëm, që nuk janë kursyer. E përsëris, niveli i efektivave nuk i përgjigjet përdorimit të mjeteve bashkëkohore, sepse nuk ka përkushtim për ngritjen në vazhdimësi të profesionalizmit në polici. Përgjegjësia në këtë aspekt i përket “lidershipit” të policisë. Efektet e punës së policisë, në luftën kundër krimit e kriminelëve, nuk varen kryesisht në perfeksionimin e mjeteve, futjen e tyre edhe në jetën e përditshme private, të lirë e intime, në rrugicat dhe shkallët e banimit të qytetarëve në- përmjet kamerave apo përgjuesve. E përsëris, grupet dhe individët kriminelë janë më të organizuar, më të suksesshëm se veprimtaria e Policisë se Shtetit, sikurse e tregoi rasti më i fundit të kapjes së kanabis-sativës, së transportuar në brigjet italiane me mjete të thjeshtë, motorë ujor zbavitës të futur në vendin tonë dhe të paregjistruar nga autoritet e policisë.

Propagandë mund të bëhet, efektet e mjeteve teknike të ndihen nga komuniteti, por nëse dy-tre dite para çeljes së panairit në Vlorë, mjeti i policisë u fik dhe nuk ndizej për shoqërimin e një keqbërësi, por duhej ndërhyrja e efektivit të saj për ta shtytur, ndërsa keqbërësi u largua i pa shqetësuar, panairet nuk do të kenë efekte, përkundrazi do të ironizohen nga komuniteti. Si mund të pritej mbyllja e panairit në Himarë, për t’u nisur polumbarët të nxirrnin dy të rinjtë nga rezervuari i krijuar e neglizhuar nga policia e Korçës. A nuk mund të pajiset patrulla e policisë me çantë, ku të mbaj bllokun e gjobave, në vend që policia patrullë pranë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, ta mbajë në kapele sikur të jetë çantë? Këto dhe shembuj të tjerë,  fatkeqësisht ndikojnë për keq tek komuniteti. Policia e Shtetit, pa qenë nevoja ta afroj qytetarin në panaire apo ekspozita si të javëve të fundit, t’i shkoj atij pranë sepse ngjarjet ndodhin ndaj tij dhe autorët jetojnë mes tij. Në SHBA, pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në qytete të ndryshme, pata rastin të shikoj në VOA, se si patrulla e policisë “luante” basketboll me moshat e reja, vetëm për t’u ndjerë dhe më shumë siguria në komunitet.

Në shërbimet e policisë, veprimtaria e saj është krijimtari, kurrsesi monotoni. Nëse “lidershipi” nuk e vlerëson pikërisht kështu, policia nuk mund t’i shërbejë komunitetit, përkundrazi vetëm kriminalitetit.

*Jurist dhe Ekspert Kriminalist i Pavarur

SHKARKO APP