Panairi i Turizmit në Moskë, interes për ofertat turistike shqiptare
Drejtori i Përgjithëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku mori pjesë në takimin zyrtar në Panairin Ndërkombëtar MITT të Moskës, ku Shqipëria prezantohet me 4 operatorë turistikë.
Një takim shumë i rëndësishëm ishte ai me përfaqësuesin e Ministrisë së Turizmit Rus që është edhe Zv. Presidenti i Agjencisë Federale të Turizmit, Roman Skoryy.
Drejtori i AKT-së bëri një prezantim të përgjithshëm të potencialit Turistik Shqiptar si dhe vuri theksin në rolin aktiv që do të ketë AKT në ndihmë të promovimit të vendit dhe tërheqjes së turistëve rus.
Nga ana e tij, Skoryy u shpreh i gatshëm të fillojë bashkëpunimin mes dy agjencive homologe si dhe të ndihmojë në promovimin e Shqipërisë turistike në Rusi.
Gjithashtu, pasi përmendi faktin pozitiv që Shqipëria nuk është prekur nga vala e emigranteve, gjë e cila kthehet në një faktor pozitiv mbi sigurinë dhe ndikon në tërheqjen e turistëve, ai vlerësoi rolin dhe angazhimin e AKT për iniciativën e marrë dhe vuri në dukje se mund të kemi shumë shpejt një hapje të turistëve rus ndaj tregut shqiptar.
Në mbështetje të këtij bashkëpunimi u cilësua shumë edhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë, ushqimi, kultura dhe tradita shqiptare duke vënë theksin në vlerat historike dhe arkeologjike që ofron vendi ynë.
Në vijim, Drejtori i AKT zhvilloi një takim me Presidentin e shoqatës “The World Encyclopedia of Travel” e cila është shoqata me e Madhe Ruse për promovimin e kulturave botërore dhe udhëtimeve në shtete të ndryshme të botës e cila vizitohet online nga disa miliona lexues Rus.
Në këtë kontekst u diskutua dhe u ra dakort për përfshirjen e Shqipërisë Turistike në revistën, hartat dhe sitin Web të saj dhe Drejtori i AKT-së premtoi që bashkëpunimi do të filloje me përgatitjen e materialeve promocionale në rusisht duke kërkuar edhe ndihmën e Ambasadës Ruse në Tiranë.
Kjo shoqatë financohet nga Shteti Rus dhe Kryetar bordi i kësaj shoqate është Presidenti i Rusisë, Putin.
Çollaku gjithashtu zhvilloi një takim me përfaqësues të Zhvillimit të Turizmit social në Moske, ku u diskutua për projekte të përbashkëta dhe mundësinë e organizimit të tureve studentore ruse drejt bregdetit shqiptar.
Për këtë u kërkua një bashkëpunim nga institucionet shtetërore shqiptare për krijimin e kushteve të favorshme në pritjen e turistëve, krijimin e paketave të plota turistike, lehtësimin e procedurave në hapjen e udhëtimeve carter me Rusinë si dhe fillimin e procedurave për heqjen e vizave ndaj Rusisë duke e zgjatur afatin e qëndrimit pa vizë në vendin tonë.
Këto pika do të ndiqen me vëmëndje të veçantë, -theksoi Çollaku, -pasi janë me interes për sektorin dhe zbatimi sa më shpejtë i tyre do të sillte edhe një zgjatje të sezonit turistik në Shqipëri.