Panariti: Agrobiznesi duhet të ketë interes të ulët bankar
Në komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në rend të ditës të sotme ishte, Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave e Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në lidhje me lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit, BERZH-Shqipëri, llogari bashkëpunimi”. Në mbledhjen e komisionit së bashku me deputetët përkatës ishte prezent dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, duke ndarë me deputetë planin konkret por dhe duke marrë pyetje dhe komente nga vetë deputetët. Që në nisje të seancës, deputetët u shprehën që sigurimi me lëndë bazë në Shqipëri e kryesisht për agrobiznesin është problem si dhe pozicionimi.
Deputeti Agron Duka gjatë fjalës së tij, theksoi se:”Qeveria duhet të shkojë drejt një qasje më të prekshme në bujqësi, sepse vendi ynë ka kushtet dhe traditën por nuk ka mënyrën e duhur të investimeve. Kam këtu shembull, panxharin e sheqerit, që i cili është në fitim zero sepse nuk ka përmirësim nuk ka fabrika, e njëjta gjë edhe me sojën”.
Ndërsa deputetja Mimoza Hajdarmataj, ngriti shqetësimin që ka zona e Kukësit, duke bërë thirrje Ministrit që të kujdeset sepse kjo zone ka nevojë për asistencë teknike, se prodhuesit nuk janë fermerë por fshatarë dhe nuk kanë se si të ngrenë një biznes kur ata nuk kanë asistencë të posaçme. Më tej Hajdarmataj ka shtuar se; “Kukësi është i pasur natyralisht por i varfër ekonomikisht”.
Deputeti Eduard Ndoçaj shprehu një lloj pakënaqësi nga qeveria, duke sjellë në vëmendje zonën e tij, Lezhës e cila në reshjet e fundit pati përmbytje dhe siç e ka theksuar dhe deputeti Ndoçaj; Si qeveri premtuam projekte kolosale, u tha se janë 160 milionë $, por jemi në pikën zero të investimeve. Në këtë pikë Ministri Panariti shprehu se sa herë ka rreshjeve për të personalisht është një detyrë ankthi për sa i përket zonës së Lezhës, por që punime janë bërë, hidrovoret janë në punë dhe në mekanizma të tjerë plotësues. “Zona e vendeve që kanë përmbytje, janë zona me risk, që do të thotë që është e ndaluar ndërtimi i ndërtesave edhe pse banorët nuk e kanë respektuar këtë konstatim të vazhdueshëm. Është problem i shpërnguljeve që bëjnë banorët nga zona e thella, e që ndërtojnë në fusha e toka që janë në rrezik përmbytje. Kanali i parë është në përgjegjësinë e Ministrisë, i dyti i përket Bashkisë dhe i treti është në përgjegjësinë e qytetarit”, ka theksuar Ministri Panariti.
Më tej Ministri deklaroi se Berzh ka pasur procedura të tej zgjatura por që marrëveshja u mbyll që në muaj dhjetor të 2015. Për sa i përket normës së interes është më e ulët dhe banka zhvishet nga obligimi.
Problemi tjetër i cili erdhi në vëmendjen e deputetëve është dhe sistemi i kullimit dhe vadidjes, që sipas Ministrit janë të mbështetura nga Kredia. “Në Kukës kemi dy linja bashkëpunimi, e para me Danimarkën dhe e dyta me Gjermaninë, të cilët po ofrojnë mbështetje”, shtoi më tej Ministri Panariti. Ministria po punon edhe për produktin e patates, e cila ka një kërkesë tregu për këtë në Kosovë, dhe Ministria po mbulon koston e farës së zgjedhur të këtij produkti.