Panariti urdhëron ndërprerjen urgjente të shfrytëzimit të inerteve në lumenj. ISHU gjobit tre kompani

Inspektorati Shtetëror i Ujërave, pjesë e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ka vazhduar edhe sot aksionin për kontrollin e të gjitha brigjeve dhe zonave ku mund të ketë probleme nga shfrytëzimi i inerteve, veprimtarive në brigje apo edhe ndotjet e mundshme.

Për këto arsye, inspektorët e ISHU-së kanë marrë masa administrative me gjobë ndaj 3 subjekteve në Vlorë, Durrës dhe Vorë (Tiranë), duke i penalizuar me gjoba nga 1 deri në 2 milionë lekë.

Në Vlorë, inspektorët e ISHU-së kanë gjobitur me 2 milionë lekë kompaninë “H….” sh.p.k, pasi nxirrte inerte nga Lumi i Vlorës pa leje përkatëse dhe nuk dispononte asnjë dokumentacion për këtë veprimtari.
Një tjetër masë e inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror të Ujërave, është marrë ndaj kompanisë “E…” në qytetin e Durrësit. Shoqëria në fjalë është gjobitur me 2 milionë lekë për veprimtari në brigje, pasi hidhte materiale inerte në bregun e detit.

Ndërsa masa e tretë është vendosur në Vorë, ndaj shoqërisë “A…..”, për shkak të ndotjeve që krijonte në mjedis. ISHU e ka gjobitur kompaninë me 1 milion lekë gjobë. Shoqëria në fjalë, prodhuese e konfeksioneve, sipas konstatimit të inspektorëve, shkarkonte në një kanal vaditës ujërat me bojëra e ngjyrues, pa marrë asnjë masë për pastrimin e tyre.

Inspektorati Shtetëror i Ujërave njofton se aksioni do të vazhdojë pa ndërprerje në të gjithë bregdetin shqiptar, në të gjithë basenet e lumenjve dhe ku ka kantiere ndërtimi apo nyje inertesh për të parandaluar çdo abuzim, si dhe iu bën thirrje të gjitha kompanive apo personave fizikë që ushtrojnë aktivitete, që të shmangin abuzimet. Në të kundërt, do të ndërmerren masa penalizuese ndaj tyre, pa asnjë tolerancë.

Ndërkohë, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ka urdhëruar marrjen e masave të menjëhershme për ndërprerjen e shfrytëzimit të inerteve në shtretërit e të gjithë lumenjve, si dhe marrjen e masave të menjëhershme për largimin e impianteve të prodhimit të inerteve në tarracat e lumenjve.

SHKARKO APP