Paramithia dhe Janina, në tablotë e një ushtari gjerman

 

Bukuritë natyrore të Çamërisë-Epiri i Jugut, mënyra e jetesës dhe veshjet karakteristike të shqiptarëve të atjeshëm ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të ndryshëm që nga fund shek.18 e në vazhdim. Shumë piktorë të huaj të shekujve të kaluar të frymëzuar nga lloj i mënyrës së jetesës, veshjes dhe bukuritë e trojeve shqiptare kanë mbushur tablotë e tyre me pejsazhet nga Çamëria. (Një kostum popullor shqiptar e vishte me kënaqësi dhe poeti anglez Lordi Bajron, por që njihet si “veshja greke”. Kostumi me veshje shqiptare ku pasqyrohet Lordi Bajron i përket veshjes që e mbanin shqiptarët në Epirin e Jugut dhe kur themi Epiri i Jugut, duhet të kuptojmë Çamërinë.

Në Maj të 1849 piktori Edward Lear vizitoj Çamërinë dhe na solli me anë të pikturave të tij peizazhe nga Arta, Paramithi, etj. Kudo në penelin e tij dhe shënimet e tij ai na tregon për jetën e shqiptarëve në Epirin E jugut-Çamëri.

George de la Poer Beresford (1826-1865) ishte irlandez dhe në vitin 1855, na solli piktura me peizazhe nga Çamëria të cilin e quante Shqipëria e Jugut. Në këto piktura janë përfshirë pamje nga qytetet e Artës, Paramithisë, Janinës Pargës, etj.

Në Gusht-Nëntor të vitit 1943, në Divizionin gjerman që shërbente në Çamëri-Epiri i Jugut, erdhi një grup artistik për të dhënë shfaqe dëfrimi për ushtarët. Ky grup artistik i krijuar nga ushtarë dha shfaqe në disa vende ku ishte vendosur ushtria gjermane si: Janinë, Gumenicë, Korfuz, etj. Në këtë grup artistik ishte edhe ushtari Roland Schmidt (1917- ).

Pas shumë vitesh, më 1994, ish-ushtari gjerman Roland Schmidt, tashmë në moshë të thellë do ti botonte në një libër përshkrimet e jetës së tij, Gusht-Nëntor 1943, gjatë kohës që kishte dhënë shfaqe artistike për ushtarët gjerman në Çamëri. Në brendësi të librit përveç fotografive të shumta të asaj kohe bie në sy vizatimet e tij me pamje nga qyteti i Paramithisë, Janinës dhe Korfuzit. Roland Schmidt ka vizatuar lagjet ku kanë banuar shqiptarët, të cilat mund të shihen edhe xhamitë që kanë ekzistuar dikur.

Roland Schmidt në libër tregon për nisjen me anije nga Korfuzi për në Sarandë ku do të jepnin shfaqe për ushtarët gjerman që ishin atje. Por rrugës anija e tyre kishte pësuar një difekt të rëndë dhe ishin detyruar të riktheheshin në Korfuz duke mos e dhënë shfaqen artistike.

Pas shfaqeve artistike të dhënë për ushtarët gjermanë në Janinë, Gumenicë dhe Korfuz, grupi artistik ku bënte pjesë ushtari Roland Schmidt u nisë për të vazhduar aktivitetin e tyre në Kroaci dhe më tej në Hungari. (Arben Llalla).

SHKARKO APP