Paramithia, qyteti i masakrave greke në Çamëri
Debatet e njohura tashmë në lidhje me problemin çam dhe që lidhet me genocidin grek ndaj një popullate të pambrojtur, të pafajshme dhe autoktone në Çamëri, janë një pjesë e vogël e të vërtetave që dihen dhe që thuhen shpesh në tubime apo emisione, gazeta apo në mediume ndërkombëtare. Ajo që ka ndodhur në Çamëri ka një datë të caktuar, ka vendin e caktuar, ka personazhe të njohur që bënë genocidin e masakrave ndër burra e gra, pleq e fëmijë nga më mizoret dhe më gjakataret mbi viktimat e një pabesie greke. 27 qershori është dita kur nisi masakra masive dhe përfundimtare greke për shpërnguljen e çamëve nga trojet e tyre. Paramithia u bë vendi i parë që priti me dhembje të madhe e të parrëfyer ato mënxyra që dinë të bëjnë vetëm grekët, që janë dhe aktorët kryesorë të një genocidi që vetëm pasardhësit e Megaloidhesë dinë t’i zbatojnë pa as më të voglin dallim nga genocidi nazifashist i Luftës II Botërore.
Shumë janë folur dhe janë shkruar për këto masakra, por kur ato harrohen, kjo është më e tmerrshme se grekët dinë t’i përsërisin në çdo kohë, se e tillë është mbrujtja e filozofisë së tyre të ekzistencës në rajonin e Ballkanit. Këtë e provojnë faktet e njerëzve okularë, dëshmitarë të një prej tragjedive më të padëgjuara dhe të padënuara për mbi 70 vjet. Këto janë një apel që u bëhet politikanëve dhe historianëve shqiptarë dhe europianë për mosharrim dhe për të dhënë zgjidhjet e duhura një problemi që brenda tij ka genocid, ultrashovinizëm tipik grek, shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe një sens antidemokratik të një shteti që përdor dafina për të mbuluar një terrorizëm ortodoks grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Shqiptari i mirë Rasim Bebo me banim në SHBA është një historian që rrëfen dhe thotë me saktësi atë që ka ndodhur në tokën e çamëve dhe pasardhësve të Pirros së Epirit. Ky shkrim ka shfrytëzuar këto materiale të këtij shqiptari për të dhënë tablonë sinoptike të një genocidi shtetëror grek të ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorët e tyre në atë kohë. Masakrat në Çamëri u kryen në sajë të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve me gjermanët dhe me anglezët.
N. Zhango për këtë shkruan: “Dhespot i Paramithisë, Dorotheus, është përfaqësuesi i qeverisë greke nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane, në bashkëpunim me kishën, gjenerali grek Ralis, komandant i forcave pronaziste dhe kolonel Tavullavis, ministër i brendshëm dhe kolonel Zerva, nënshkruan: “Policia e xhandarmëria greke vihen nën urdhërin e nazistëve gjermanë”.
Ndërsa analisti i problemeve ballkanike, Xhejms Petifer thotë: “…qeveria britanike ka një lidhje direkte me këtë çështje, sepse trupat e Zervës, të cilat kryen disa nga krimet më të rënda ndaj çamëve, krime lufte dhe mizori, çfarë është dhe e pranuar tashmë nga shumë njerëz në Greqi, pra, Zerva ishte nën kontrollin e C.M. Woodhouse, komandant i misionit britanik në rezistencën greke…çfarë ndodhi në të vërtetë në Çamëri. Nëse shikon ushtarakët e tjerë britanikë të atashuar në rezistencën e asaj kohe greke, si Nigel Clive, i cili është një mik i imi, ai ka thënë: “…se ne kemi kryer gabime të tmerrshme, duke mbështetur Zervën në atë mënyrë…”.
Mes pushtuesve të ndryshëm, i shihte me indiferentizëm marrëdhëniet midis pushtuesve të rinjë (italo-gjermanë) dhe pushtuesve të vjetër (grekë). Ky qëndrim i shqiptarëve të Çamërisë, u konsiderua më i pranueshëm nga kjo popullsi, sepse nuk krijoi asnjë bindje për mbështetje as tek njëra dhe as tek tjetra palë, për të fituar të drejtën e lirisë kombëtare. Pas shpartallimit dhe asgjësimit të ushtrisë greke, më prill 1941 dhe vënies së shtetit grek nën vartësi të dy fuqive, të “Boshtit”: Gjermanisë dhe Italisë, çamërit dhe tërë shqiptarët prisnin me padurim të shpëtonin nga skëterra greke. Duke u nisur nga zotimet para luftës të bëra me aq bujë nga qeveria italiane, për Shqipërinë Etnike, për Kosovë dhe Çamëri. Me marrëveshjen gjermano-greke të 8 prillit 1941, kufiri shtetëror mbetej ai i caktuari më 1913. Kështu Çamëria mbeti brenda kufirit grek.
Meqë vuajtjet e ndryshme të bëra nga grekët po dendësoheshin dita-ditës, për palën shqiptare nuk mbeti shteg tjetër shpëtimi, veç organizimit të vetëmbrojtjes së përbashkët në shkallë krahine. Në korrik 1942 u arrit të ngrihej Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes, organizëm politik, administrativ e ushtarak me qendër në Gumenicë dhe me degë në shkallë rrethi në Filat, Margëlliç, Paramithi e Pargë. Në krye të Këshillit u zgjodh Mazar Dino dhe nënkryetar për mbrojtjen Nuri Dino.
Këshilli i Përgjithshëm i Çamërisë përbëhej nga 42 vetë. Anëtarë për drejtësinë, Av. Spiro Xhakulla , Paramithi. Prokuror, Mulla Murat Cane, Gurrëz. Anëtarë për arsim e kulturë, Haxhi Sejko, Filat. Anëtarë për financën Refik Pronjo, Paramithi. Sekretar, Gani Mulla Bako, Paramithi. Kështu, identik si Këshilli i Përgjithshëm, u zgjodhën edhe këshillat nëpër rrethe, Filat, Gumenicë, Margëlliç, Paramithi, Pargë, Arpicë, Groboçar, Grikohor, Kurtez, Lopës, Luarat, Mazrrek, Varfanj e Volë. Këshilli, si organ i tërëfuqishëm fuqizoi tërë unazat e pushtetit të deriatëhershëm grek…përfshi këtu korofillaqinë (policinë), gjykatën, prokurorinë etj. Rrëzoi flamurin grek dhe ngriti flamurin kombëtar shqiptar, hapi shkolla shqiptare etj. Vendosja e kësaj administrate në Çamëri irritoi më shumë se çdo gjë tjetër qeveritarët e Athinës. Më 13 shkurt 1944 komanda gjermane lëshoi një dokument “ripushtimi i prefekturës së Thesprotisë”.
Më 22 maj 1944 iu njoh Zervës të shtrihej në Epir, që nga Preveza e lart. Kështu që fati i shqiptarëve të Çamërisë kalon në duar e kriminelit Zerva. Këshilli dhe komanda ushtarake mundën të rrisnin disi fuqinë mbrojtëse, në mars 1944 numri i luftëtarëve arriti në 600 vetë. Po këta ishin luftëtarë çamë që mbronin me vetmohim vatanin. Me këmbënguljen e qeverisë greke dhe me përkrahjen e komandës gjermane përzunë atë njësi nga Çamëria përtej kufirit. Në këto kushte të tilla rreziku i vërshimit të zervistëve në Çamërinë e përtejmë bëhej gjithnjë e më e mundshme dhe më e afërt. Agjenturat greke i shtuan përpjekjet për të mashtruar muslimanët me fjalët më të mira si: mos kini frikë, se s’ju nget kush as në një lule! Askujt s’ka për t’i hyrë gjemb në këmbë. Pastaj ju jeni me mall e gjë, si do t’ju ktheni krahët e t’i lini shkretë t’i hajë derri e dosa! Kishte shumë që i besonin dhelpëritë e tye, por, siç thotë Pukëvilli: “Kush mposhtet nga dëshira që të ndodhë, ashtu siç i pëlqen atij, e lejon veten të gënjehet. Këshilli ishte njoftuar nga shumë perona për grackën e përgatitur nga zervistët. Brenda ditës 10 qershor 1944, Riza Nexhipi dhe Din Metmeri, erdhën nga Janina në Paramithi dhe bënë të ditur betimin e Zervës: “Çamëve duhet t’u afrohemi dhe t’i marrim me të mirë që të mos na ikin nga duart deri sa t’u zëmë kufirin. Pasi t’i kemi mbyllur në vathë, jo vetëm nga njerëzit që nuk do të lëmë në këmbë shtruar, por do të shkojmë në thikë edhe macet e tyre”. Por fatkeqësisht nuk i vlerësuan fjalët që sollën dy të sipërcituarit. Historiani Ibrahim Hoxha citon: “Më kot e lodhi frymën Riza Nexhipi me arsyetime të gjithfarëshme për t’u mbushur mendjen. “Qeveritë greke që nga 1912 e këtej as kanë përtuar e as janë turpëruar për të bërë të liga ndaj nesh. S’u ka ardhur hiç rëndë as për nderin e tyre e as të kombit. Përkundrazi, çdo herë e kanë ngrënë turpin me bukë. Që të mos vemi më tej, kur dhe si e harruat kaq shpejt internimin aq të egër dhe aq poshtërues që na bënë më 1940-1941? Me Italinë luftonin, ne na u vërsulën. Përse? Se donin të na shfarsonin. Përse se patën për gjë turpin? Pse s’u bënë merak për njollat? Dijeni si bukën që keni ngrënë se, me t’u rivendosur pushteti i mëparshëm, grekërit do të vënë dorë jo vetëm mbi pasuritë tona, por edhe mbi kokat tona. Kush ua zuri dorën, kur zbuan për në Turqi më shumë se gjysmën tonë ? Kush u tha dot “JO” kur na grabitën edhe kopshtet?” Gjendja erdhi duke u ashpërsuar përditë e më shumë. Njerëzia në mbrëmje nuk ishin të sigurtë nëse do të gdhiheshin të gjallë. Kjo gjendje bëri që populli të mbidhej në xhaminë e madhe të Paramithisë.
Çdo ditë që kalonte mendimi për të ikur shtohej dhe për të ndaluar shpërnguljen u përdor dinakëria greke. U ftuan në takim Myftiu i Paramithisë, Hasan Abdullai, Sali Hafyzi dhe Qazim Rexhepi. Takimi u bë në fshatin Popovë. Pala greke (EDESI) kryesohej nga Av. Lefter Strugari, në të bënin pjesë dhe dy oficerë anglezë që bashkëvepronin me Zervën. Se ç’u tha në të, s’u bë e njohur asgjë. Vetëm përflitej …njerëzia të mos ikte…ju japim fjalën e nderit që nuk do të ngitet kush etj. Mjedisi aq kërcënues e tejet i vrerët për çamët myslimanë nxiti tek tuk si Trifon Bellua – fqinjit të vet Ibrahim Kadiut i tha: “Është urdhër. Janë betuar, kanë shkelur kryqin që të mos lënë gjallë asnjë nga ju, ikni sa më parë”. Edhe Kristo Bika i pati thënë Haki Bilalit “Ngrehuni e ikni një sahat e më parë, se zervitët janë betuar se çdo musliman që të zënë, të vogël a të madh, burrë a grua, do të shkojnë në thikë, kushdo që u thotë qëndroni, mos u besoni”. Me këto njoftime ikën një pjesë e çamëve. Për t’u mbushur mendjen kryetarit të këshillit të Çamërisë, për t’u shpërngulur, ditët e fundit i erdhi letër prej Janine nga Nuri Dinua, 24 orë para masakrës, dërgoi letër për shpërngulje Myftiut të Paramithisë nga komandanti mbrojtës i Margëlliçit Abdulla Kasimi, po kështu i erdhi njoftimi nga Gumenica dhe Vola, Kadri Sadush Zëri, për t’i mbushur mendjen, por më kot. 27 qershori 1944 vërtetoi gjithçka.
Kancelari gjerman Shrëder, thotë: “Një njeri mund ta largosh nga shtëpia e tij, por shtëpinë s’ia largon dot nga zemra”. “Shkretëtira dëgjon gjëmimet mbi të edhe kur duket se nuk ka veshë”. Koha që vonon aq sa diçka anësore humbet, diçka tjetër brenda saj e pjek më mirë. Për Çamërinë zëri i saj nuk është lutje lotësh për gjëra të vogla, por është zë i të gjallëve dhe të vdekurve bashkë, klithmë që vazhdon të kullojë gjak. Është një mision për një kauzë të madhe që vërtet nuk kërkon lot, por lotët na shërbejnë si adrenalinë që motivon çdo shqiptar, veçanërisht çdo çam që e ndjen veten të tillë, jo vetëm në origjinë, por si një bashkëkombas i mirë për të qenë misionar të zgjidhjes së një problemi. Ndoshta koha e ka thërritur në skenë edhe PDIU, edhe deputetët e saj, por ka thërritur në skenë çdo politikan që e ndjen veten një shqiptar të mirë për të vënë pika mbi i, mbi ato çështje dhe probleme që duan vëmendje dhe zgjidhje. Ndoshta ka ikur koha kur për hallet e këtij vendi dhe historinë e tij të vendosnin fqinjët sllavo-grekë me antishqiptarizmin e tyre shovinist.