Partneritet e burazerë me të gjithë

Nga Sadedin Çeliku

Kohët e fundit fjala “marrëdhënie” u zëvendësua me “partneritet strategjik”. Kështu u deklarua për Turqinë, kështu u karakterizuan marrëdhëniet me Gjermaninë, po kështu me Kinën, SHBA-në e Italinë. Se kë kemi vërtet partner e burazer zoti e di, megjithatë fjala partneritet duket se ka zënë vend më shumë në fjalorin politik e diplomatik se sa në atë ekonomik. Partnerë na dalin të gjithë dhe partnerë s’kemi asnjë. Në se duhet ta pranojmë fjalën partneritet strategjik ka vend të thuhet vetëm për Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës të cilët i kemi vërtetë vëllezër natyrale e të një gjaku, ku falë SHBA-s dhe luftës që bëri ajo, sot Kosova është e çliruar. Ajo që më ngacmoi të shkruaj mbi këtë temë është ekonomia e dobët, performancat e financave publike dhe hallet e tjera që s’kanë të sosur. Shqipëria edhe kur është deklaruar se ka rritje ekonomike, përsëri ka patur bashkudhëtar krizat ekonomike,  mungesën e stabilitetit politik, korrupsionin e mjaft plagë të tjera socio-ekonomike. E kam fjalën tek përzgjedhja e partnerëve që historikisht kemi gabuar. Dekada më parë kishim partnerë e vëllezër jugosllavët e Titos, më pas Bullgarët e Dimitrovit dhe deri në vitin 1961 rusët e Hrushovit. Se kush qe aleati vërtet ende nuk dihet, por ajo që spikat është ndihma pa kushte e rusëve ku përveç grurit dhe bukës ndërtoi Kombinatin e Tekstilit Kombinat që e pagëzuan me emrin e Stalinit, Uzina Enver dhe mjaft vepra të tjera që nuk ishin të pakta për atë kohë.

Pas vitit 1961 e deri në vitin 1975 Shqipëria kishte partner strategjik Kinën komuniste e cila ndërtoi me qindra uzina e fabrika, ku ndër më kryesoret ishin Kombinati Mao Ce Dun Berat, Kombinati Metalurgjik Elbasan, Kombinati i Autotraktorëve, Uzina e Instrumenteve Korçë, Trikotazhi Korçë, fabrika e Llampave Vlorë, uzina e sodës kaustike Vlorë, uzina e superfosfatit Laç, Uzina e Tankeve, e Agregateve dhe e artilerisë, uzina ushtarake e Poliçanit, e Mjekësit dhe rafineri të ndryshme. Edhe këtë partner e humbëm ashtu sikurse bëmë dhe me të tjerët. Po, në fund të fundit ato ishin partnerë megjithmend sepse e ndihmuan Shqipërinë jo vetëm ekonomikisht, por pregatitën një armatë kuadrosh të arsimuar në vendet e tyre, arsim të cilën nuk mund ta kryenin në vendin tonë. Tashmë Shqipëria s’mund të financojë asnjë fabrikë e uzinë, s’mund të zbusë e të reduktojë papunësinë, por s’mund të vërë ende në efiçencë fabrikat e uzinat e trashëguara por dhe bujqësinë e cila shkaku kryesor është ndarja dhe pabarazia e tokës bujqësore sepse u zbatuan disa standarde në ndarjen e tokës. Problemi është se a kemi vërtet partnerë strategjikë, kë kemi dhe në se jo pse s’kemi. Të kesh një partner serioz duhen ndërtuar politika të atilla që pavarësisht rotacionit dhe koalicioneve të mund të mbahen pandryshuar strategjitë dhe politikat afatgjata, ndryshe partnerët ç’orientohen, humbasin besimin dhe nuk vijnë ose largohen, por duhet përshtatur dhe një legjislacion bashkëkohor e joshës që përligj interesat e investitorëve. Sipas meje pikërisht kjo ka ndodhur me ne shqiptarët. Investitorët strategjikë dhe burazerët i kemi me fjalë por në fakt nuk duken gjëkundi. Të bësh një partner të besueshëm duhet investim dhe prova dhe jo ndryshim politikash që nganjëherë i japim theks interesash. Të gjithë e dimë se kush janë vendet që po i japin tonin zhvillimit ekonomik, sa e kanë rritjen ekonomike dhe ku i kanë interesat dhe ku mund të investojnë. Pra s’ka mëdyshje se sot gjithçka dimë por duhen adaptuar një legjislacion liberal e të besueshëm dhe mbrojtje në mënyrë të veçantë për investitorët e huaj. Qeveria shqiptare po bën përpjekje për të krijuar besimin e investitorëve strategjik por rezultatet e pritshme ende nuk janë aty ku e dëshirojnë të gjithë. Kjo dhe për faktin e imazhit keq që kultivuan disa krerë qeverish dhe partish. Vende të zhvilluara si Gjermania, Kina, SHBA-ja e ndonjë tjetër po bëjnë investime marramendëse në mjaft vende pse jo dhe në disa kontinente. Vihet re një përplasje interesash për vendet e Ballkanit të cilat e konsiderojnë si gadishull të virgjër dhe mundësi të madha për të investuar kapitalet e tyre, kjo sidomos nga Rusia dhe Kina të cilat mund të kenë dhe interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Kina e sheh Afrikën si një burim të energjisë dhe e mineraleve. Për Afrikën Kina është një partner ideal i biznesit, e cila nuk kërkon kushte speciale përveç disa kushteve bazë që lidhen me stabilitetin. Jo vetëm kaq por Kinën e sheh kudo në botë. Në Algjeri ka ndërtuar terminal aeroporti, rrjet telefonik në Etiopi, diga në Sudan, investime në hidroenergjetikë në Kongo, Kamerun, objekte të mëdha ndërtimesh dhe vepra arti në Libreville, Abixhan, miniera bakri në Zambia, Shambezi e gjetkë. Në Ballkan ka marrë me konçension portin detar të Pireut por është e pranishme edhe gjetkë. Prezenca e investitorëve kinezë duket se është në të gjithë botën.

Tashmë duket se kanë hyrë në garë dominancash Kina dhe Rusia se kush do të dominojë Ballkanin pse jo dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Sigurisht qëllimet ndryshojnë nga vendi në vend, pra nën petkun e ekonomisë fshihen edhe qëllime të tjera. Faktorët kryesorë për joshjen e investitorëve të huaj strategjikë janë rritja ekonomike, stabiliteti politik dhe financiar, rendi dhe siguria, korrupsioni dhe pavarësia nga qeveria. Ta themi troç, duhet të largohemi nga deklarimet frazologjike si “populli vëlla”; “partneritet strategjik”; ‘popuj miq’ etj. Vendi ynë ka nevoja të mëdha për investitorë strategjik sepse kemi sektorë mjaft të amortizuar ku mundësitë për të financuar thuajse janë zero. Investimet e huaja direkte janë element i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik por dhe i zbutjes së mjaft problemeve sociale të cilat vendi ynë i ka me shumicë. Disa nga sektorët kryesorë mund të ishin në hidroenergjitikë, në miniera, transport, hekurudha, turizëm, porte detare, aeroporte dhe infrastrukturë. Futja e kompanive kineze për ndërtimin e rrugës së Arbërit është një ogur i mirë por duhet punuar me intensitet me Kinën por dhe me vënde të tjerë për sektorët e sipërm.Bie fjala porti i kontainerëve tek pylli i sodës është ndërprerë por dhe mjaft sipërmarrje të tjera dhe nuk do të ishte keq të punohesh me investitorë kinezë. Po të kemi parasysh se porte peshkimi të mirëfillta teknologjikisht nuk kemi madje dhe ai i Durrësit nuk është i tillë, portet e jahteve mungojnë fare, bile ata që disponojnë të tilla i mbajnë të parkuar në Malin e Zi.

Një rol të rëndësishëm kanë ambasadat tona jashtë vendit ku roli i tyre pothuajse nuk ndjehet. Ka apati, indiferencë dhe përgjumje për të ofruar investitorë strategjik në Shqipëri. Tashmë duhet kuptuar nga të gjithë se nuk ka vend më për diplomaci klasike. Diplomatët së pari duhet të jenë ekonomistë, tregtarë dhe punën e tyre duhet ta masin me rezultatet pozitive që ju ofrojnë vendit tyre. Është koha të mendojmë seriozisht për shqiptarët dhe Shqipërinë. Të gjithë e meritojnë një shans për të jetuar në vendin e vet, të gjithë duhet të jenë përfitues dhe ndërtues të të ardhmes tyre. Hemoragjia e emigracionit vazhdon me intensitet të lartë sepse politika nuk është e zonja të përcjellë mesazhe shprese e besimi. Një armatë e madhe intelektualësh të cilët kontribuojnë jashtë vendi duke filluar nga OKB-ja, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Universitete prestigjioze e deri në instanca të larta shtetërore kanë mbetur jashtë vëmendjes së politikës shqiptare. E pra ky duhet të jetë brezi i intelektualëve e cila duhet të drejtojë Shqipërinë e së ardhmes.

SHKARKO APP