Pas moratoriumit të pyjeve, edhe moratorium gjuetie për 5 vjet
Pas moratoriumit të pyjeve, tani në Shqipëri do të aplikohet edhe një moratorium gjuetie. Kështu, Këshillit të Ministrave në mbledhjen e tij të djeshme miratoi projektligjin e posaçëm për këtë moratorium, qëllimi i të cilit është pikërisht ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie dhe jo vetëm.
“Objekti i këtij ligji është ndalimi i përkohshëm ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, citon neni i parë i këtij projektligji. Duke shtuar më tej sa i përket pezullimit të përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër, se përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë, pezullohet. Dhe se kontratat për mbarështimin e faunës së egër janë të vlefshme, por dhe në këto zona, ku mbarështohet fauna e egër, nuk mund të ushtrohet gjuetia deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.
“Përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij ligji, rastet e: – konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti, në rezervatet e mbarështimit; – veprimtarive kërkimore-shkencore. Përjashtimi, i përcaktuar bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për gjuetinë”, citon gjithashtu ky projektligj.
“Afati i zbatimit të këtij ligji është pesë vjet, nga data e hyrjes së tij në fuqi”, citon gjithashtu ai. Duke përfunduar se ngarkohen ministri i Mjedisit, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Financave, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve për zbatimin e këtij ligji.