Pas takimit me deputetët, Rama thërret drejtuesit e njësive administrative të Tiranës në mbledhje
Nesër ( 5 mars) në Partinë Socialiste do të mbahet një takim me drejtuesit e njësive administrative të Tiranës. Mbledhja do të zhvillohet në orën 09:00. Sot kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me deputetët e qarkut të Tiranës. Mësohet se ai u ka kërkuar përfaqësuesve të dalin më shpesh në terren për të takuar qytetarët, si dhe të forcojnë organizimin e brendshëm.
Deputetët dhe ish-deputetët do të duhet të koordinohen me Bashkinë e Tiranës për evidentimin e problematikave, të cilat më pas do të raportohen në mbledhjet përkatëse. Rama ka kërkuar më shumë angazhim nga të gjithë, veçanërisht nga Bashkia e Tiranës, sidomos sa i përket menaxhimit të hapësirave publike.
Kryeministri u është drejtuar të pranishmëve me fjalët: “U kam thënë se mungesa e kryetarit të zgjedhur do të jetë një problem, por ju nuk e keni marrë shumë seriozisht në atë kohë”. Pritet të ngrihet një grup pune nën drejtimin e Ogerta Manastirliu për të identifikuar të gjitha problematikat dhe për t’i raportuar ato në mbledhjet e ardhshme.
KOHA JONË SONDAZH

