Pasardhësi i Ardian Fullanit

Fillimisht debati mes qeverisë dhe presidencës ka nisur për çështjen se kush ka të drejtë të zgjedhë guvernatorin. Interpretimi që i bëri qeveria ligjit ishte që presidenti propozonte një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore. Në momentin që 4 vende kanë mbetur bosh në këshillin drejtues ato ndaheshin në mënyrë të tillë: 2 anëtarë zgjidhen nga kuvendi, një nga këshilli i ministrave dhe një nga vetë bordi i bankës. Por zyra e presidentit thotë se sipas ndryshimeve të bëra në vitin 2002 në ligjin për Bankën e Shqipërisë e drejta për të zgjedhur guvernatorin është e presidentit, pasi vetëm ai mund t’i propozojë kuvendit për votim krerët e institucioneve kushtetuese. Në këtë mënyrë u hapën dy konkurse paralele për zgjedhjen e një emri për guvernator, njëri nga kryeministria dhe tjetri nga presidenca. Kryeministria nxori një listë me 8 emra kandidatësh, ndërsa presidenti në fund të konkursit përmblodhi në një listë 30 aplikimet që u bënë pranë zyrës së tij. Edhe pse mazhoranca ka hedhur si ide fillestare marrjen e një guvernatori të huaj, siç ishte rasti i argjentinasit Mario J. Blejer presidenti nuk ka pranuar një guvernator jo shqiptar. Po ashtu kandidatura që ka hedhur poshtë presidenti ishte edhe ajo e Denada Priftit, shqiptare por me shtetësi gjermane. Një javë më parë ishte kuvendi që shpalli procedurën e përzgjedhjes së dy vendeve bosh në këshillin e bankës. Por deri tani procesi i zgjedhjes së guvernatorit duket se ka mbetur në dorë të vullnetit dhe konsensusit që do të ketë mes dy institucioneve: presidencës dhe kryeministrisë. Asnjëra palë e vetme nuk ka në dorë zgjidhjen por secili mund t’i pengoje tjetrit kandidaturën e propozuar. Nëse kandidati zgjidhet nga kryeministri, kreu i shtetit nuk e kalon fare ne kuvend për votim. Por nëse emrin vjen nga presidenti, mazhoranca e rrezon ne kuvend.

(Marre nga Vizion+)

SHKARKO APP