Pasojat që sjell varësia ndaj telenovelave

Flet për “Koha Jonë” lidhur me fenomenin e telenovelave dhe ndjekjen e tyre masive në shoqërinë tonë, psikoterapistja, Jetona Myteveli

Intervistoi: Sidorela Lepri

Pak ditë më parë në mediat tona sociale dhe portalet e ndryshme informative, lajmi për vdekjen e një personazhi të një telenovele indiane mori vëmendjen kryesore edhe në raport me ngjarjet e tjera të ditës. Kjo nuk është hera e parë që personazhet e telenovelave të ndryshme, por veçanërisht atyre turke dhe indiane iu kushtohet një vëmendje e madhe, qoftë nga publiku, por edhe vetë mediat.
Por çfarë do të thotë ky fenomen? Sa shqetësuese është kjo për shoqërinë tonë? A ndikojnë këto personazhe dhe telenovela në sjelljet, modelet dhe mendësinë tonë?
Në një intervistë për “Koha Jonë”, psikoterapistja, Jetona Myteveli i jep përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve. Më tej, ajo flet edhe për pasojat që sjell varësia ndaj telenovelave.

Ditët e fundit mediat sociale dhe portalet e ndryshme “u pushtuan” nga lajmi për vdekjen e një personazhi të një telenovele indiane, duke marrë më shumë vëmendje në raport me ngjarjet e tjera të ditës. Zonja Jetona, si do ta gjykonit këtë fenomen?

Ne përjetojmë dhimbje të thellë dhe frikë të madhe, vetmi dhe izolim të tmerrshëm kur ndahemi nga të dashurit tanë. Besoj që dhe vdekja e një personazhi të dashur përbën një humbje në vetvete dhe na zhyt në zymtësinë e vdekjes. Gjithsesi, vdekja e një personazhi në telenovelë duhet parë nën dritën e një ngjarjeje artistike dhe si një element në dinamikën e ngjarjeve të telenovelës. Në të njëjtën kohë, ndërgjegjësimi për vdekjen apo përballja me të përbën një kërcënim konstant dhe na bën të mos ndihemi rehat pasi ne nuk mund t’i shpëtojmë hijes së errët të vdekjes. Ne ndjejmë një frikë e neveri për vdekjen si shkatërruesja e të gjitha gjërave të dashura, dhe ajo që ju vë kapak të gjitha ëndrrave dhe aspiratave tona.  Si kulturat, ashtu dhe individët, kanë zhvilluar mekanizma të refuzimit të vdekjes, si besimi fetar apo ambiciet personale për sukses dhe lumturi. Problemi me të gjitha përpjekjet për ta refuzuar vdekjen është se sado që ne të përpiqemi ta fshehim apo shtypim vdekjen, ankthi për vdekjen tonë mund të manifestohet me simptoma të ndryshme si shqetësim, depresion, stres apo konflikt.
Në fund të fundit, është mirë që të mësohemi të përballemi, dhe flasim për vdekjen. Të kap të qeshurit sesi ne shpesh përgatitemi për ngjarje të tjera të jetës si provime apo shfaqje, martesa, lindja, çështje gjyqësore. Megjithatë, kur bëhet fjalë për një nga ngjarjet tona më të fuqishme të jetës si vdekja, ne orientohemi drejt gjërave të tjera. Kuptimi i katër gjërave të paevitueshme si vdekja, liria/ përgjegjësitë, izolimi dhe kuptimi i jetës mund të ndryshojnë mënyrën se si ne do të zgjedhim për të jetuar.

Ju duket shqetësuese për shoqërinë tonë?

Është një reagim normal të përjetosh humbjen apo vdekjen e një figure të dashur në mënyrë të dhimbshme. Unë nuk jam e aftë për këtë çështje të bëj diferencën midis trukeve të marketingut për të rritur shikueshmërinë apo përjetimit emocional të shoqërisë për këtë ngjarje. Gjithsesi, nëse angazhimi mendor dhe emocional për një personazh telenovele tejkalon angazhimin në problemet e përditshme, të cilat nuk janë të pakta atëherë kjo mund të jetë shqetësuese. Është e qartë që asnjë prej shikuesve nuk ka mundësi të influencojë skriptin e një telenovele dhe nuk ka aftësi për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe fatet e personazheve.

Ndodh shpesh që personazhet e telenovelave të diskutohen më shumë se problemet e shoqërisë dhe realitetit, ku bëjmë pjesë. Nga ana psikologjike, çfarë domethënie ka një fenomen i tillë?

Shpeshherë mund të konsiderohet si kohë e humbur. Diskutimet dhe bisedat e gjata lidhur me veprimet e personazheve së pari përbën një aktivitet jo produktiv, si dhe një shmangie nga  prioritetet personale e profesionale. Ky fenomen mund të shihet si një arratisje nga vështirësitë e së përditshmes, sfidat tona duke orientuar energjitë dhe kapacitetet tona larg zhvillimit dhe rritjes sonë personale dhe shoqërore.

Telenovelat turke dhe ato indiane, duket se janë shumë të dashura për publikun tonë, referuar ndjeshmërisë karshi tyre. Çfarë ndikimi mendoni se do të kenë ato më vonë në shoqërinë tonë?

Elementi kulturor i telenovelave ka disa dimensione. Ato ofrojnë mundësinë e ekspozimit ndaj kulturave të vendeve të ndryshme, si një përvojë magjike. Pa ndërmarrë një udhëtim turistik, pa investuar për biletë avioni, apo viza, telenovelat me elementët kulturore sjellin një eksperiencë të veçantë dhe ekzotike. Shikimi i telenovelave ofron mundësi relaksimi pas një dite stresuese, dhe në mënyrë aktive njerëzit angazhohen emocionalisht në pasiguritë e një personi të tretë.
Në terma afatgjatë, shikimi i telenovelave çon në krijimin e pritjeve joreale në jetë: në dashuri dhe marrëdhënie. Burrat tundohen të krahasojnë gratë dhe të dashurat e tyre me ato të protagonistit dhe me karakteret e tjera femra. Kështu, krijohen ideale apo standarde absurde sesi duhet të paraqiten femrat. Femrat po ashtu dëshirojnë që burrat dhe të dashurit e tyre të jenë super romantikë apo super trima, siç i përshkruajnë telenovelat.
Telenovelat ndikojnë në sjelljen e  njerëzve në shoqërinë tonë sot. Shumë prej të cilëve mund të mos jenë në gjendje të perceptojnë qartë dallimin midis “fiction” në film dhe realitetit. Marrëdhëniet e dhunshme me bazë mashtrimi tani shihen si normale edhe në jetën e përditshme. Është mjaft shqetësuese mënyra sesa shpejt fëmijët mund t’i imitojnë këto sjellje dhe duket se prindërit nuk mund të bëjnë asgjë lidhur me to.

Çfarë problemesh sjell varësia ndaj telenovelave?

Kjo inkurajon një jetesë sedentare të shoqërisë tonë. Njerëzit ulen para televizorit, jo rrallë hanë ndërkohë që shohin televizor. Kjo ndikon direkt në shëndetin dhe nivelin e obezitetit në shoqëri, përfshirë këtu burra, gra, fëmijë. Duke shijuar aventurat e personazheve në telenovela,  njerëzit bëhen të pavëmendshëm për atë që po ndodh me ta.
Reduktim i ndërveprimit social, dhe ndërprerja e çfarëdo aktiviteti  në oraret që jepen telenovelat e preferuara. Përqendrimi për orë të gjata duke parë televizor ndikon në shëndetin e organeve të të parit.

Mendoni se individët, të cilët shohin shumë telenovela nisin të huazojnë prej tyre sjellje apo mendësi, që më pas i aplikojnë në përditshmërinë e tyre?

Telenovelat ndikojnë ndjeshëm në pikëpamjet tona për fusha të ndryshme të jetës: si morali, familja, politika, trafiku i drogës, marrëdhëniet, etj. Për më tepër ndodh një fenomen riforcimi të këtyre modeleve kur veprimet e këtyre personazheve integrohen në programe të tjera televizive, veçanërisht ato të humorit. Mund të jetë më me shume interes që mediat të ofrojnë platforma diskutimi mbi modele susksesi për të cilat shoqëria jonë është në nevojë.

Në gjykimin tuaj, mendoni se media iu përshtatet shijeve të publikut apo publiku u përshtatet shijeve të medias?

Deri në një fare mase kjo është një marrëdhënie e ndërsjellë. Po kam përshtypjen që shoqëria kultivohet dhe këtu mediat luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e modeleve të caktuara shoqërore, orientimin e shoqërisë. Mund të jetë me shumë interes që mediat të ofrojnë platforma diskutimi mbi modele suksesi, burra e gra për të cilat shoqëria shqiptare është në nevojë.

Çfarë mendoni se ndikon në ndjekshmërinë e lartë të telenovelave nga ana e shoqërisë sonë?

Telenovelat janë një produkt komercial, që bazohet në disa parime për të qenë atraktive. Ato ofrojnë një panoramë të një jete reale të ndërtuar plot marrëdhënie dashurie, tradhti, intrige dhe gjithë ngjyrat e tjera të jetës të mbështjella në luks e pasion, si dhe okupojnë oraret me shikueshmëri më të lartë. Sigurisht që, është një aktivitet që nuk kërkon shpenzime të mëdha. Nga ana tjetër, shoqëria jonë nuk ka eksploruar ende mënyra të tjera aktive të kalimit të kohës së lirë.

Dhe së fundmi, a mund të konsiderohet kjo gjendje varësie karshi telenovelave një sëmundje apo e rrezikshme?

Nëse vëreni njerëz që i kap paniku nëse nuk mund të arrijnë në orar për të parë episodin e radhës, që kufizojnë lëvizjet e tyre vetëm në periudhën e publicitetit gjatë episodit atëherë besoj se kemi të bëjmë me varësi nga telenovela. Këto lloj varësish modifikojnë mënyrën sesi ne kalojmë kohën e lirë, dhe kufizojnë ndërveprimin social dhe zhvillimin e potencialit të çdo individi në shoqëri.

SHKARKO APP