Pastaj erdhi mëngjesi dhe ajo nuk ishte më…
Romani “Tre shokët” i shkrimtarit gjerman Erih Maria Remark
Nga Preç Zogaj
Nuk mund ta di sot si do të kishte qenë rinia e lexuesve dhe krijuesve të brezit tim pa romanin “Tre shokët” të shkrimtarit gjerman Erih Maria Remark. Të njëjtën gjë mund të themi për disa autorë dhe libra të rrallë, që shënuan formimin e vështirë, plot kundërthënie, të vetëdijes sonë estetike. Por “Tre shokët” ishte më i veçanti i të veçantëve, një libër tjetër, një libër që lexohej e dëgjohej njëkohësisht, një libër intim që kishte intonacionin dhe shijen e një fjale veshi nga ato që i pëshpëriten njeriut në orët e vetmisë së tij më të thellë, duke i përcjellë gjuhën dhe horizontin e një botë tjetër, që hapet atje ku mbyllet e përditshmja. “Tre shokët” ishte shoku i ngushtë i sekreteve. Ma merr mendja se çdo lexues përfundonte shoku i katërt i tre personazheve të librit, i Robit, Otos dhe Lencit; jetonte, gëzonte, vuante, ndante me ta ngashënjimin dhe hidhësinë e një brezi të humbur. Në të vërtetë “Tre shokët” ishte libri që sikur ishte shkruar enkas për një brez pa busull, të cilin retorika dhe demagogjia politike në rutinë rrekej ta mbante akoma në binarët e utopisë, ndërkohë që ishte bërë e qartë se nuk do të kishte mbërritje në atë destinacion. Në këto kushte, me vetëdijen e turbullt të të qenit brezi i humbur, të rinjtë dhe të rejat shqiptare të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë përpiqeshin të kapeshin pas diçkaje tjetër, më humane: të zbulonin lidhje shpirtërore në gjëra të vogla e të thjeshta, të shpiknin një lloj alegrie kontraverse, duke mbuluar me një shtresë të hollë humori dhe shakaje kushtëzimet dhe mjerimin, të prireshin drejt një romantizmi erotik të zbukuruar me ndjenjat e palumturisë dhe sakrificës për të dashurën apo të dashurin. Me fjalë të tjera, përpiqeshin të kapeshin pas asaj fryme, gjendjeje dhe filozofie disi fataliste, por kritike në thelb, që përshkon romanin “Tre shokët”.
Ky roman ishte botuar për herë të parë në vitet gjashtëdhjetë në përkthimin virtuoz të Robert Shvarcit, në periudhën e një pranvere të vogël letrare e kulturore në Shqipërinë komuniste të kohës, kur shtëpia botuese “Naim Frashëri” me drejtor Drago Siliqin dhe shef të përkthimeve Nasho Jorgaqin kishte autorizuar dhe botuar disa kryevepra të letërsisë moderne, që pak më vonë do të tërhiqeshin nga qarkullimi apo do të liheshin në harresë si vepra të dëmshme për moralin dogmatik të kohës. “Tre shokët” erdhi në shqip në këtë “pranverë” dhe shëtiti nëpër duart e brezave përgjatë me shumë se dy dekadave si një libër “i harruar”, në të vërtetë i ndaluar. Pa qenë nevoja të kishe në dorë ndonjë vendim për ndalimin e romanit, çdo lexues i ri e kuptonte menjëherë se ky roman ishte si mish i huaj në menynë zyrtare të përkthimeve dhe leximeve të kohës. E megjithatë, ka gjasa të ketë qenë një nga librat më të lexuar të kohës. Unë nuk kam njohur ndonjë poet, prozator apo intelektual libërdashës me një talent mbi mesataren, që të mos kishte lexuar e adhuruar romanin “Tre shokët”. Titulli, personazhet apo ndonjë fragment i këtij romani ishin si me thënë shenja e njohjes së intelektualëve të “brezit të humbur” shqiptar.
I ndërtuar si një rrëfim në veten e parë nga njëri prej tre shokëve, nga Robert Lokamp, romani zhvillohej në dy linja komplementare me njëra-tjetrën, në linjën e shpalosjes përmes episodeve të ndryshme të një miqësie jashtëzakonisht të pastër e të sinqertë midis rrëfyesit, Oto Kaslerit dhe Gotfrid Lencit dhe në linjën e një dashurie nga më të bukurat dhe më prekëset që ka prodhuar letërsia moderne, që është ajo e Robertit me Patris Holmanin, apo e Robit me Patin.
Tre shokët janë tre tridhjetëvjeçarë gjermanë që kanë shpëtuar gjallë nga Lufta e Parë Botërore. Ishin njohur në llogoret e vdekjes kur nuk ishin më shumë se tetëmbëdhjetëvjeçarë, kishin parë moshatarët dhe miqtë e tyre të vriteshin, vetë ishin plagosur disa herë, por fati i kishte lënë të jetonin paqen që erdhi më pas e cila do të vinte me hidhërimin e zhgënjimeve dhe kotësisë për të cilën ishin sakrifikuar kaq shumë jetë. Këta janë shokët e lidhur në mbijetesë, thënë ndryshe në një jetë të dytë, shokë të zemrave të pastra dhe të dëshpërimit njëkohësisht. Qenë kthyer nga lufta porsi minatorët që dalin nga një galeri e shembur. Kishin dashur të marshonin kundër gënjeshtrës, egoizmit, lakmisë, plogështisë së zemrave, të cilat ishin fajtore për gjithë ato mundime që kishin hequr e lënë. Por gjithçka ishte shkatërruar, harruar, falsifikuar. Koha e njerëzve të mëdhenj dhe ëndrrave të mëdha kishte vdekur. Po triumfonin afaristët, korrupsioni, mizerja. Tre shokëve dhe brezit të cilit i përkisnin u kishte mbetur ndjenja e dëshpërimit, e moskokëçarjes dhe pija. Dhe një lidhje e shenjtë në miqësi, që nuk i gjendet shoqja.
Banaku i barit Internacional ku mblidheshin pas punës dhe në fundjava ishte “vendkomanda e jetës”, sipas Robit. Rrëfimi i tij shpaloste në çdo episod dhe detaj atmosferën e jetës në Gjermaninë midis dy luftërave. Ndërkaq një katalog i pijeve të njohura e të panjohura për ne farfurinte nga njëra faqe e librit në tjetrën, konjaku që rridhte si i florinjtë, xhini që vezullonte si akuamarin, rumi që ishte si vetë jeta, martini, kalvados dhe shtajnhengermi, një pije gjermane si raki dëllinje. Tre shokët kishin një servis makinash dhe një pikë karburantesh, siç mund ta themi në fjalorin e sotëm. Manovrat dhe marifetet e tyre për të shitur e fituar porosi pune i jepnin romanit dritën e një humori të çiltër e të gëzueshëm. Kudo rreth e rrotull tyre gjallon Gjermania e lodhur, në krizë dhe në depresion, si parathënie e nazizmit.
Faqet më të bukura dhe më prekëse të romanit janë ato të dashurisë së Robit me Patin. Më ka mbetur si mbresë e pashlyeshme kujtimi i lartësimit të kësaj dashurie me fjalë dhe gjeste të thjeshta, por shumë prekëse, që të ngrinin shpirtin përpjetë. Pati është një vajzë jashtëzakonisht e bukur, e dashur, e brishtë, e çiltër, e mençur, fatkeqe. Ajo përfshihet natyrshëm në atmosferën e miqësisë mes tre shokëve, është e dashura e Robit, e ndërkaq është si motra e Otos dhe Godfrid Lencit. Por si çdo gjë e rrallë, ajo i ka ditët e numëruara. Mushkëritë e saj janë copë. Robi do të informohet e ndërgjegjësohet vonë për sëmundjen e saj. Do të bëjë çmos ta shpëtojë, do t’i qëndrojë pranë deri në fund si një luftëtar dhe hero i madh i dashurisë.
Janë disa episode që nuk harrohen kurrë, episode të një solidariteti dhe vetëmohimi të rrallë për shokun dhe mikun, si për shembull nisja e Oto Keslerit nëpër natë me makinën e tij legjendare, Karlin, për të transportuar, duke e gënjyer, mjekun e Patit gjashtëqind kilometra larg, atje ku vajzën e kanë zënë krizat e sëmundjes, ndërsa ka qenë me pushime me Robin. Një episod shumë prekës, i përshkruar me mjeshtëri të lartë nga shkrimtari është ai i vrasjes së Gotfrid Lencit nga fanatikë të së djathtës ekstreme dhe i përçapjeve të shokëve të tij për t’i marrë hakun. Lidhja e thellë shpirtërore dhe miqësia pa kushte e personazheve të Remarkut është realiteti paralel që ky shkrimtar krijon me realitetin e ashpër të përplasjeve dhe egoizmit në shoqërinë ku jetoi.
“Tre shokët” do të përfundojë si një tragjedi në kreshendo, kur në grupin e miqve të ngushtë, të cilëve u është shtuar Pati dhe në të cilin bën pjesë edhe makina legjendare me emrin Karli fillon rrallimi, shkatërrimi. Vritet Godfridi flokëverdhë, falimenton servisi, shtrohet në sanatorium Pati, Otoja shet Karlin për t’i mundësuar Robit qëndrimin pranë së dashurës dhe së fundi vjen vdekja e Patit. Ajo vdiq në orët e fundit të natës para se të agonte. Hoqi shumë dhe vdiq me mundime të mëdha dhe askush s’mundi ta ndihmonte…Ia lava pastaj gjakun. Isha si një copë dru. Ia kreha flokët. Ajo filloi të ftohej…Pastaj erdhi mëngjesi dhe ajo nuk ishte më.
Sa herë zë me dorë romanin “Tre shokët” mendja ime përsërit paragrafët e fundit tragjik të Patit dhe zemra më kridhet në zinë e egër dhe të ftohtë për këtë vajzë gjermane, njëlloj si herën e parë kur ma pati dhënë për ta lexuar Remzi Lani. Remziu kishte qejf të citonte batuta nga katalogu i sharjeve të Robit, si për shembull “varrezë ambulante biftekësh”, apo sentenca ironike të tipit “në ditët kur bie shi dhe fryn erë nuk është keq të shkosh në kinema apo në muze të marrësh pak kulturë”, që gjendeshin me shumicë në këtë roman. Por kur përmendej fundi, edhe ai mbetej pa fjalë dhe na dukej se çdo mëngjes vinte për të na kujtuar se ajo nuk ishte më – kaq i fortë ishte emocioni që përcillte tragjedia e saj. Pas kësaj nuk kishte kuptim të dinim me shumë për dy të mbeturit, Robin dhe Oton. Ata ishin vetëm në botë.
"MAPO"