Pazari i mbarë
Lajmi i hidhur mori dhenë. Dilo Gollogunga mbylli sytë njëherë e përgjithmonë. Farefisi, miqtë e shumtë, dashamirësit dhe të gjithë ata që e kishin patur fjalë e kuvend dhe kishin dhënë e marrë me të, ishin nga s’ishin, erdhe t’i jepnin përshëndetjen e fundit e të hidhnin në “banesën” e tij të përjetshme nga një dorë dhe, që t’i bëhej balta më e ëmbël se mjalta. Të gjithë, pa përjashtim, burra e gra, psonisën në dyqanin më të mirë të luleve, kush një kurorë me trëndafila e karafila e kush nga një buqetë të madhe me lule të freskëta me të gjitha ngjyrat e ylberit e me të tëra erërat e këndshme. Zunë vend në veturat personale e në autobusët e funeralit për ta përcjellë për në “banesën e përjetshme” Dilon, ashtu si e meritonte. Edhe ndonjë që kishte harruar ta kryente këtë detyrim për të nderuar të ndjerin, nuk e vrau mendjen shumë, vendosi e zgjidhi një buqetë te biznesmenët e luleve, që janë rreshtuar në të dy anët e rrugës, që të çon në “Qytezën e banesave të përhershme” në Sharrë.
Vargu i gjatë i miqve, dashamirësve, nga të gjitha gjinitë e moshat, sa arritën atje ku “banesa” e tij kishte hapur “derën”, e gatshme për ta pritur merhumin Dilo, ishin në gatishmëri, për parë e dëgjuar ceremoninë mortore, që nga riti fetar e deri të ligjërata që mbajti njëri nga shokët e tij të besës, i cili e përshkoi jetën e të ndjerit, të mbushur me histori e lavdi, që te peri e deri të gjëlpër, jo vetëm për ato që kishte bërë, por edhe për ato që s’mund t’i bënte dot..
“Banesa” e re ishte bërë gati, me të gjitha anekset e duhura dhe po priste krahëhapur qytetarin Dilo Gollogungën të bënte “pasaportizimin” e përjetshëm në të. Merhumi, sa hyri e zuri vend brenda saj, të gjithë sa ishin mbledhur për ta përcjellë, ia mbuluan “tarracën” e banesës me lule të shumëngjyrshme e me kurora të shkruara me dedikim. Buqetat e bukura të luleve dhe kurorat me trëndafila e karafila ishin aq të shumta sa u bë një kapicë e madhe në banesës së tij. Të gjitha sa morën pjesë në këtë funeral të rrallë, si u ftuan për të shijua drekën e të ndjerit, morën rrugën e kthimit ashtu si kishin ardhur.
Akoma nuk kishte ulur perden errësira, kur me “Qytezën e banesave të përjetshme”, sulmoi e u përhap nëpër rrugicat e saj, një tabor tjetër, me burra, gra e fëmijë, nuk vinin të nderonin ata që i thanë rri me shëndet kësaj botë, po për të grabitur buqetat me lule e kurorat mbi “banesën” e tij. Ky “turrn”, sa hyri brenda sinorit të “qytezës” u shpërnda, si dhitë në pyll për të kullotur, kush e kush të rrëmbente më shumë lule e kurora. Sulmi më i fortë u bë te “Banesa e përjetëshme” e Dilo Gollogungës. pasi aty buqetat me lule e kurorat nuk kishin të sosur.
-Prisni, o të uruar, sa t’u marr erë. Daleni sa t’u thahen petalet e sepalet! Kaq të paduruar jeni?! – u tha në heshtje i “zoti i shtëpisë”
-Jo more, po u thanë petalet, sepalet e fletët e tyre, kush na i ble të vyshkura?! – tha njëri nga ata që kishte rëmbyer buqetën më të madhe.
Fqinji i Dilos, që ia kishin ngritur “banesën” me pllaka mermeri e ia kishin rrethuar me kangjella, i pëshpëriti i lënduar:
-Ti, or byrazer, ke hallin e luleve e kurorave, që t’i rrëmbyen pa i parë mirë e pa u marrë erë, por mos u merakos, se ata që t’i prunë sot, kur të vijnë të të shohin, të sjellin të tjera më të bukura. Por mua të gjorit, që m’i shkulën e m’i morën kangjellat rrethore të “banesës” për t’i shitur për skrap!?.
Ndërsa njërit, që të afërmit e tij, ia kishin ngritur “banesën e përjetshme” me konstruktin metalik, që te rrethimi i oborrit e der te çatia, po qante me dënesë, se i kishin hequr çatinë dhe ç’binte jashtë futej brenda. Ankesat dhe protestat e banorët në “qytezën e banesave të përjetshme” nuk kishin të sosur, se kusarët po u rrëmbenin, jo vetëm lulet, kurorat, por edhe kangjellat, gurët e pllakat. madje njëri nga banorët e “banesave të përjetshme” kishte vënë kujën, se i kishin marrë edhe gërmat e emrit të tij të derdhura në argjend e të lara me flori. Ata që sapo rrëmbyen të gjitha buqetat e luleve mbi “tarracën e banesës se Dilos, nxitonin t’i futnin në poçe e teneqe me ujë që të ruanin freskinë e të mos vyshkeshin, për t’i patur të freskëta, t’ua tregtuar përsëri atyre që do të vinin të nesërmen të bëheshin ‘qytetarë” e mëhallaxhinj me Dilo Gollogungën në “Qytezën e banesave të përjetshme”. Ndërsa shkulsit e grabitësit e kangjellave e çative të hekurta e germave të argjenda, nxitnin t’i fshinin nga syri i miletit e t’i shpinin sa më shpejt për t’i shitur për skrap e në argjendari.
Kjo praktikë e shëmtuar, që një palë vijnë me buqeta me lule e kurora për të nderuar e përcjellë në “Banesën e fundit” të dashurit e miqtë e tyre dhe pala tjetër, që pa u larguar mirë të parët, si kusarë e hajdutë nxitojnë t’i rrëmbejnë, është një biznes fitimprurës, pa lishencë nga Bashkia e Tiranë në dy “qytezat”, në Sharrë e në Tufinë