P/buxheti 2015: Reforma e re territoriale, financimet rriten 24.4% më shumë
Kjo rritje e buxhetit vendor me 20.4% më shumë se buxheti i shtetit, tregon rëndësinë që ka miratimi dhe zbatimi i reformës administrativo-territoriale.
Buxheti i vitit 2015 për pushtetin vendor mbështetet në ndarjen e re territoriale, ku pritet që kompetencat, përgjegjësitë dhe problematikat nga të zgjedhurit aktualë, të kalojnë tek të zgjedhurit e rinj pas zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm.
Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore vitin që vjen në P/buxhetin 2015 parashikohet të jenë rreth 18.5% më të larta se në vitin 2014, ose 2.6 miliardë lekë më shumë.
Objektivat kryesor për vitin 2015 përfshijnë sigurimin e tranzicionit efektiv në kalimin e kompetencave, burimeve materiale dhe monetare nga njësitë sipas ndarjes së vjetër administrative, në njësitë vendore sipas ndarjes së re administrativo-territoriale.
Në vitin 2015, me ndryshimin e ligjit për taksat kombëtare, të ardhurat nga renta minerare do t’i akordohen në mënyrë të drejtpërdrejt njësive të qeverisjes vendore
Edhe transferta e pakushtëzuar e qeverisjes vendore gjatë vitit 2015 do të ketë ndryshim të kushtëzuar nga disa elementë shtesë si, reforma territoriale, periudha e tranzicionit deri në hyrjen në fuqi të ndarjes së re administrative, politikat e kufizimit të shpenzimeve në kuadër të detyrimeve të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Për vitin 2015, transferta e pakushtëzuar do të vazhdojë të ndahet në 373 njësi vendore, ku pritet të rifreskohen të dhënat për popullsinë, kapacitetet fiskale dhe tregues të tjerë të varfërisë. Ndarja e re administrative-territoriale do të pasohet nga një reformë tjetër e decentralizimit fiskal, ku synohet demokratizimi i qeverisjes, eficienca në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, zhvillim ekonomik lokal, zhdukja e pabarazive dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Me krijimin e njësive më të mëdha vendore, do të ofrohen shërbime më eficiente, sigurohet përdorim më i mirë i burimeve financiare dhe përfaqësim më i mirë i qytetarit në vendimmarrje. Me këtë reformë, eliminohet problemi madhor i fragmentizimit tepër të lartë të vendit, që nuk reflektonte lëvizjet demografike të dy dekadave të fundit dhe prodhonte pabarazi të madhe mes komunave dhe bashkive për kapacitetet lokale, aftësitë për mobilizimin e të ardhurave dhe ofrimit të shërbimeve.