PD akuzon Ramën për bllokim antikushtetues të drejtësisë në çështjen Balluku

Partia Demokratike ka reaguar me një deklaratë të ashpër pas qëndrimit të shprehur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar se mazhoranca do të presë përtej datës 22 janar, kur pritet vendimi i Gjykata Kushtetuese, përpara se të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Në deklaratën e saj, Partia Demokratike e cilëson këtë veprim si “një akt puçist dhe antikushtetues”, duke akuzuar kryeministrin se ka urdhëruar ndërprerjen e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Sipas PD-së, vendimi i Ramës për të shtyrë procesin përbën një bllokim të drejtpërdrejtë të drejtësisë dhe një mbrojtje politike të Ballukut, duke i krijuar, sipas saj, kohë dhe hapësirë për të ndikuar në prova dhe dëshmitarë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Partia Demokratike thekson se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut nuk ka asnjë lidhje me çështjen që shqyrton Gjykata Kushtetuese, pasi ajo, sipas deklaratës, bazohet në fakte dhe dokumente konkrete që lidhen me hetime për afera të mëdha financiare dhe projekte infrastrukturore.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në deklaratë argumentohet gjithashtu se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, konkretisht neni 118, e detyrojnë Parlamentin që kërkesat për autorizim të masave të sigurimit ndaj deputetëve dhe ministrave t’i shqyrtojë pa vonesë dhe t’i përfundojë brenda afatit dyjavor, për t’i paraqitur më pas në seancën plenare.

PD akuzon Ramën se, përmes këtij veprimi, jo vetëm po bllokon pushtetin gjyqësor, por po uzurpon edhe kompetencat e Kuvendit, duke e asgjësuar de facto rolin e tij kushtetues. Sipas opozitës, ky qëndrim lidhet me përpjekjen për të mbrojtur veten dhe qeverinë nga hetimet që, sipas saj, prekin mega-afera shtetërore.

Në përfundim, Partia Demokratike dënon ashpër atë që e cilëson si një akt të paprecedent antikushtetues dhe u bën thirrje qytetarëve që të reagojnë për të mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën, duke paralajmëruar protesta dhe qëndresë civile kundër qeverisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?