PD dhe PS bien dakord për rregulloren e Kuvendit, ja çfarë u vendos pas negociatave sekrete
Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren ka miratuar me konsensus mes PS-PD, paketën e ndryshimeve në rregullore, në një mbledhje që përfundoi pak më parë. Dokumenti pritet të kalojë për votim në seancën plenare. Marrëveshja konsiderohet rezultat i lëshimeve të ndërsjella mes palëve. Nga njëra anë, mazhoranca është tërhequr nga disa propozime që kufizonin kohëzgjatjen e debateve dhe mënyrën e raportimit të institucioneve në Kuvend. Opozita ka arritur të forcojë disa prej mekanizmave të kontrollit parlamentar, duke zgjeruar hapësirat e mbikëqyrjes. Ndryshimet pritet të shqyrtohen tashmë në seancë për miratim përfundimtar.
Çfarë tërhoqi PS:
U tërhoq nga propozimi që projektligjet e kërkuara nga BE shqyrtoheshin brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.
U tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.
Pranoi raportimin në Kuvend të të gjitha institucioneve me detyrë kushtetuese, duke hequr propozimin për të raportuar vetëm në Komisionin Xhafaj.
U pranua që raportimet vjetore të bëhen në komisionet përkatëse sipas fushës.
Çfarë u pranua nga PD:
Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucioneve përgjigje brenda 5 ditëve dhe mund të kërkojë masa disiplinore deri në shkarkim në rast mosreagimi.
Kryetarët e komisioneve janë të detyruar të thërrasin mbledhje ose seanca dëgjimore brenda dy ditëve nga kërkesa e pakicës parlamentare.
Seanca plenare mund të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar.
Masat disiplinore pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit dhe nuk do të llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike.
Vendimi_ndryshimet ne rregullore date 20.5.2026 perfundimtare
KOHA JONË SONDAZH

