PD: Duhen protesta!

“Jashtë Parlamentit, derisa opozita të respektohet si institucion. Presion. Dialog me qytetarët e biznesin. Padia e Canit? Politike”

Protestat mund të jenë për opozitën, zgjidhja për ta detyruar qeverinë që të pranojë kushtet mbi ato masa që ajo i cilëson si të domosdoshme për rritjen ekonomike të vendit, por edhe për lehtësimin e barrës ekzistuese ndaj qytetarëve. Ky është opsioni që deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, jep për etapat që do të ndjekë në vijimësinë e tij aksioni opozitar, gjatë një interviste të posaçme për “KJ”. “Në rast se qeveria nuk do të reagojë, ne kemi ftuar dhe artikuluar edhe nevojën për protesta. Kjo mund të jetë ndoshta ajo zgjidhje, e cila mund të detyrojë qeverinë, sepse ajo deri tani ka dëshmuar se nuk pranon dialogun, nuk pranon mendimin alternativ, nuk pranon atë që është më e mirë për qytetarët”, pohon ai. Duke dalë në mbrojtje edhe të bojkotit parlamentar, i cili sipas tij, duhet “nëqoftëse do të vazhdohet trajtimi i opozitës si çështje numrash, që nuk mund të prishë vendimet e qeverisë dhe në rast se nuk do të vlerësohet e të respektohet opozita si institucion”. Edhe pse nuk ka harruar të përmendë faktin që opozita “dëshiron dhe mbetet në pritje të respektimit nga ana e qeverisë, që gjithë debatin ta zhvillojmë në Parlament”. Ndërsa lidhur me padinë e paraqitur ndaj tij dhe ish-ministrit Bode, ai ka pohuar se ajo nuk është gjë tjetër veçse “një tentativë për të krijuar një situatë të paqenë” …

 

Intervistoi: Eglantina Nasi

 

Z. Shehu, cili është mendimi juaj rreth draftit të Buxhetit 2015, paraqitur pak ditë më parë nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani?

Mendoj që ky nuk ishte një draft buxheti, por meqë ministri dhe kryeministri e dinë se ligjërisht të paktën duhej ta kishin bërë buxhetin, shfrytëzuan një grup siç është biznesi dhe bënë sikur prezantuan draftin e buxhetit, por në fakt qeveria nuk e ka përgatitur akoma atë, sepse ne nuk pamë elementët kryesorë të prezantimit të një buxheti. Kur bëhet kjo, sidomos para publikut janë të rëndësishme dy gjëra: E para, qytetarët duhet të dinë se sa do të rëndojë mbi ta ky buxhet. E dyta, duan të dinë që ku do t’i çojë qeveria paratë e tyre, sepse dihet që buxheti mbushet me paratë e qytetarëve. Kështu që ne nuk pamë as njërën dhe as tjetrën. U bë një paradë dhe i vetmi sukses i saj që ishte shumë e dobët nga ana profesionale, ishte ulja e tatimit mbi siguracionet e makinave, apo vendosja e një tarife që për hir të së vërtetës, edhe ky ndryshim është e imponuar nga standardet e BE-së, sepse këto lloj shërbimesh nuk tatohen me TVSH dhe e dyta, vendosja e tarifës është përsëri një shkelje, ose një marifet fiskal mund të quhet, sepse rivendoset taksa në një formë tjetër, vetëm me një normë më të ulët. Qytetarët prisnin të shikonin sa do të ulë borxhin qeveria, do të duhej t’u thoshte se sa do t’u kushtojë borxhi i rritur i vitit të kaluar edhe i këtij viti, sepse rritja e tij është bërë në përmasa të llahtarshme duhet thënë, po të kemi parasysh faktin se kemi investime publike të ulëta dhe një shlyerje simbolike të detyrimeve të vjetra, të cilat u përdorën si argument për rritjen e borxhit. Sa për ilustrim, borxhi ose detyrimet e shlyera nga qeveria, vlerësohen në 1.5% të PBB-së, ndërsa rritja e borxhit publik ka qenë 12% i PBB-së, që do të thotë se rreth 10.5% e borxhit është marrë për shpenzime inproduktive, administraive dhe shpenzime që nuk japin impakt në zhvillimin ekonomik të vendit. Dhe kjo do të jetë kostoja që duhet ta mbajnë qytetarët. Që do të thotë se qeveria koston e borxhit do ta mbulojë me taksa të rritura e jo me rritje të bazës së tatueshme, apo rritje të ekonomisë dhe të numrit të tatim-paguesve e të tatimeve në buxhet.  

 

Tek Paketa Fiskale 2015 ka një sërë taksash që parashikohet të rriten për vitin e ardhshëm dhe për disa prej tyre, përdoret gjithmonë argumenti i marrëveshjes me FMN-në? Mos kjo është më tepër si një koperturë?

Pikërisht këtë kisha parasysh kur tashë që ministri nuk u tha qytetarëve se cila do të jetë barra që do të bjerë mbi ta dhe ajo është paketa fiskale, tashmë e njohur sepse është shkruar në marrëveshje me FMN-në. Por përdorimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar unë mendoj që është një keqpërdorim, sepse nuk e ka imponuar ai rritjen e taksave, por FMN-ja ka kërkuar dhe mund të themi imponuar përmirësimin e administrimit fiskal. Sepse kur jemi në një situatë me një informalitet apo evazion fiskal jo më pak se 40%, nuk është as e moralshme dhe as efektive rritja e taksave, se me këtë situatë kur ke një administrim të dobët, rritja e taksave do të shndërrohet në rritje të tentativës për shmangie të pagimit të taksave, pra do shpqërohet me rritje të evazionit fiskal. Por të paktën, detyrimi i kryeministrit në daljen që i bëri ministrit, ishte që t’u thoshte qytetarëve se cilat do të jenë taskat që do të rriten për vitin e ardhshëm, aq më tepër që audienca e prezantimit, ishte biznesi. Por qytetarët deri tani e dinë se është rritur akciza e cigares, që në fakt është një kosto e cila shkon mbi të gjithë ata që pijnë duhan. Eshtë rritje me efekte të mëdha negative, sepse pavarësisht se kjo është një akcizë që nxirret nga një mall që nuk është i dosmosdoshëm (‘luksi’ në gjuhën teknike), por ama ai është një mall që konsumohet. Dhe problemi më i madh që krijohet është se me këtë veprim që bën qeveria, krijohet një premisë e para për shmangie fiskale, sepse do të bjerë konsumi në Shqipëri dhe kush ka mundësi do të marrë cigare tek fqinjët tanë. Ndoshta është përdorur argumenti për standardet e BE-së, por ne kemi thelluar diferencën me rajonin, që do të thotë se kush ka mundësi, do furnizohet nga rajoni. Dhe natyrshëm, këtu pastaj krijohet edhe precedenti i evazionit nëpërmjet kontrabandës. Sepse ne kemi tashmë një diferencë më shumë sesa gjysmë euroje për paketë me vendet e rajonit tonë. Tjetër, në mënyrë të paralajmëruar, sot mund të themi që qytetarët do të kenë të paktën edhe rritjen e taksës së karburantit, gjë që është e qartë se rëndon drejtpërdrejt mbi ta, edhe mbi atë që ka makinë, edhe mbi atë në kushtet e mbijetesës, sepse karburanti është lëndë e parë dhe për prodhimin e bukës. Kështu që kjo u duhej thënë shqiptarëve, se ajo do të jetë pjesë e paketës fiskale, gjë e cila nuk u tha. Më tej, ka edhe një listë taksash që janë në marrëveshje me FMN-në, por në mënyrë të natyrshme, rritja e tatimit mbi korporatat ose mbi fitimin dhe rritja e tatimit mbi të ardhurat personale ishte pararendëse, e rritjes së taksave të drejtpërdrejta, sepse përgjithësisht këto taksa konkurojnë njëra-tjetrën. Siç janë disa taksa që do të rriten në masën prej 10-15%, si taksa mbi depizutat, dividentet, interesat e depozitave, qeratë, sepse të gjitha po t’i shikosh janë taksa mbi të ardhurat personale, po t’i shikosh në një këndvështrim më të gjerë. Dhe Partia Demokratike këtë paralajmërim e ka bërë që vitin e kaluar, por qeveria mesa duket i ka dhënë kohë vetes për të ulur acarimin apo kundërshtinë nga qytetarët dhe nga biznesi. Po t’i shikosh në tërësi rritjet e taksave që po bën qeveria, janë ato mbi të ardhurat indirekte, sepse atje njerëzit e ndiejnë më vonë efektin e rritjes së taksës dhe kjo bëhet në mënyrë të qëllimtë, sërish për të ulur rezistencën apo kundërshtinë në momentin e ndërmarrjes apo zbatimit të politikës. Por fatkeqësisht, e gjithë paketa nuk është e imponuar nga FMN-ja siç thotë qeveria, por është një objektiv i saj për të mundësuar mbushjen e arkës së shtetit nga ata që paguajnë, pra kostoja mbi ata që paguajnë dhe ata që konsumojnë; konsumi është i pavitueshëm ndërsa ata që paguajnë i përkasin shtresës që mendojnë se Shqipëria duhet të zhvillohet në rrugën e duhur, si të thuash është pjesa elitare apo më e ndershme e popullsisë, kështu që gjithë kostot do bien mbi këto grupe të saj.

 

Ka një akuzë tashmë zyrtare ndaj jush, ajo për Durrës-Kukës, por në tërësi ka të tilla edhe ndaj aparatit që ka drejtuar deri dje ministrinë e Financave, prej atij aktual. Si do t’i konsideronit ato?

Natyrisht që janë akuza të mirëfillta politike. Dhe po t’i shikosh ato janë në linjë me të gjitha politikat apo veprimet e qeverisë, sepse këto nuk janë politika, por qeveria ka një objektiv edhe për të bërë denoncime, pikërisht për të zhvendosur vëmendjen e saj nga paaftësia apo keqqeverisja dhe ta kërkojë përsrëi të keqen tek qeveria e kaluar. Po kështu, ne kemi parë që të gjitha zgjidhjet apo zbatimi i politikave të kësaj qeverie është bërë me mjete policore. Kjo bëhet për të krijuar imazhin që qeveria po synon të luftojë korrupsionin, po synon të vendosë shtetin ligjor, por sërish e vërteta është krejt ndryshe. Po t’i referohemi vetëm ndërhyrjes në sistemin energjetik, e gjithë kjo zhurmë synon të zhvendosë vëmendjen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Pra, këto janë taktika që kjo qeveri i ka në themel të qeverisjes së saj. Por rasti konkret që përmendët ju, e para, natyrisht që është një kthim pas dhe kemi të bëjmë me një proces që është audituar dhe çertifikuar nga auditi i ministrisë së Financave e që e ka riaudituar tani dhe kjo është një paturpësi dhe mungesë e integritetit personal të atyre që e kanë bërë, sepse e kanë çertifikuar më parë dhe së dyti, e ka çertifikuar edhe KSLH-ja, së treti e ka ratifikuar edhe Parlamenti, sepse buxheti faktik miratohet në Parlament në vitin pasardhës e në këtë këndvështrim, është një kthim pas për të krijuar probleme aty ku nuk ka probleme. Përsa i përket akuzës konkrete, këtu kemi të bëjmë me një proces huamarrjeje dhe nuk ka element apo proces tenderimi aty dhe kredia s’është marrë për rrugën Durrës-Kukës, por për mbështetje buxhetore, pra për financimin e defiçitit buxhetor dhe jo e lidhur me një projekt specifik. Ndërsa po t’i kthehemi kontekstit se përse dhe si u mor, në atë kohë ministria e Financave për herë të parë, në vitin 2007, bëri atë që quhet raitingu, apo vlerësimi i aftësisë kredimarrëse nga një kompani ndërkombëtare, “Moody’s”, pra krijoi premisat për të hyrë në tregun ndërkombëtar dhe ndërkohë po përgatitej për emetimin e një eurobondi, por përkeqësimi i kushteve në tregjet ndërkombëtare bëri që të kalonim nga eurobondi në huamarrje. Sa i përket zbatimit të ligjit të prokurimit, është e kuptueshme së pari se ky ligj e ka përjashtuar zbatimin e të tilla procedurave në rastin e huamarrjes, megjithatë në proces është bztauar ligji i prokurimit kur është kontraktuar këshilltari ligjor, sepse ky duhej të ishte një zyrë juridike e cila të kishte një eksperiencë me ligjin e Londrës, sepse në rastin e eurobondit, zbatohet ligji i Londrës. Dhe është e kuptueshme se në këtë rast nuk mund të flitej për ligjin shqiptar të prokurimit kur vepron ligji i Londrës në radhë të parë dhe e dyta, kemi një marrëveshje ndërkombëtare që kategorikisht ka epërsi në raport me ligjin shqiptar, edhe sikur të ishte i kërkuar nga ky i fundit që procesi të bëhej sipas tij. Më tej, ka edhe aludime për mosrespektim të ligjit të borxhit, duke referuar një nen të tij për kredi nga banka private për projekte konkrete, por kur thotë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk e përcaktojnë ndryshe. Përsëri, jo vetëm që jemi në rastin e një marrëveshje të tillë, por jemi në rastin edhe kur merret kredi që quhet sindikatë, apo nga një grup bankash e më tej, përmes një procesi konkurrimi, pavarësisht se ligji nuk e imponon, është zbatyar procesi i konkurrimit, ka filluar procesi nga dhjetori deri në maj, duke kaluar disa etapa kualifikimi etj. E në fund, ajo që bind këdo është që nëse mendohet se ka patur favorizim të subjekteve apo të normës së interesit jashtë normave të tregut ka një evidencë shumë të qartë, që nga 250 milionë të kërkuara, mezi u mblodhën 192 milionë, që do të thotë se me një normë të lartë gjithkush do të ishte i interesuar të investonte, por ja që nuk ishin sepse norma ishte efiçente, pra ishte ajo e tregut dhe më tej, Raiffeisen që ka konkurruar në fazën e parë, e që aludohet se qenka ankuar nga ministria e Financave, ka qenë pjesëmarrës në investim dhe nga 30 milionë euro që ka ofruar në fillim të procesit, me një normë më të ulët se norma e kontraktuar, ndonëse me një normë të rritur nuk arriti ta investojë këtë shumë, por vetëm 11 milionë, që tregon se normat kanë qenë efiçente se dhe investitorët kanë vlerësuar riskun që ekzistonte në tregje edhe duke parë Shqipërinë, raportet që ajo kishte me vendet e tjera, sepse tregu ka publikime që tregojnë normat e interesit të vlerësuara në bazë të standardeve të tij, ku ai bazë është vlerësimi. Kështu që është vetëm një tentativë për të krijuar një situatë të paqenë, për të na cënuar neve personalisht me akuza por njëkohësisht, për të krijuar edhe një debat politik të paqenë dhe për të mbuluar ato që po bën. Pra, qeveria në vend që ajo të dalë para qytetarëve dhe të bëjë punët e veta, merret me akuza.

 

Si një përfaqësues i rëndësishëm i Partisë Demokratike, a mund të na thoni si do të vijojë konkretisht të bërit opozitë prej saj? Çfarë strategjie do të ndiqni? Qoftë kjo edhe në aspektin ekonomik, meqë tani nis “vala” e diskutimeve rreth buxhetit, por edhe në atë politik?

Në radhë të parë në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik, ne do të vazhdojmë komunikimin me qytetarët. Sepse kjo është përgjegjësi e jona, domethënë e deputetëve. Por edhe e vetë Partisë Demokratike, një parti ku militojnë më shumë se 100 mijë anëtarë dhe ka mjaft mbështetës e simpatizantë, që e shohin atë më tepër si një zgjidhje të problemeve që ka ekonomia dhe shoqëria shqiptare. Pra, ne do të dëshirojmë dhe jemi në pritje të respektimit nga ana e qeverisë, apo e shumicës të themi, që gjithë debatin ne ta zhvillojmë në Parlament. Por natyrisht që ne nuk mund të jemi pjesë e Parlamentit, nëqoftëse do të vazhdohet trajtimi i opozitës si çështje numrash, që nuk mund të prishë vendimet e qeverisë dhe në rast se nuk do të vlerësohet e të respektohet opozita si institucion. Por ndërkohë, ne kemi mekanizmat e komunikimit me qytetarët dhe natyrisht që do të jemi prezentë edhe me diskutimet sipas grupeve apo dhe departamenteve, që priten të krijohen tashmë në PD, por ndërkohë edhe nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarëtn deri në skajet më të larta. Që do të thotë se ne tashmë, do të fillojmë dialogun me qytetarët.

Përsa i përket buxhetit i cili tashmë do të jetë në fokus, ashtu siç e përmenda më parë, ne do të përpiqemi që të kontribuojmë përmes qartësimit të padrejtësisë që po i bëhet vendit dhe ekonomisë shqiptare me rritjen e taksave, me qëllim që të sensibilizohen edhe grupet e interesit, të bëjnë presion krahas nesh për uljen e tyre. Këtu ne do të kemi partnerë biznesn dhe shpresojmë që edhe ai tashmë të jetë më i ashpër, sepse besoj që një vit pritje është i mjaftueshëm për t’i dhënë kohë qeverisë që të reflektojë për të krijuar një klimë sa më të mirë biznesin dhe për të ulur barrën fiskale. Por ne si opozitë, na shqetëson akoma më shumë fakti se ku po i përdor paratë qeveria. Se ajo ka rritur barrën mbi qytetarët dhe ka ngushtuar pjesën për investime. Dhe fakti është që edhe në prezatimin e qeverisë, ne nuk pamë të përmenden projektet e rëndësishme që janë në zbatim por për të cilët gjatë këtij viti nuk u dha asnjë lek, të tillë si Rruga e Arbrit apo Qafë-Plloçë, apo Korridori i Jugut. Ne jemi të shqetësuar pra, për ngushtimin e hapësirës së politikës së investimeve të qeverisë dhe së dyti edhe me vetë strukturën e tyre. Kemi parë përshembull investime për mbjellje pemësh, që nuk japin impakt në zhvillimin ekionomik, jep natyrisht një pamje më të mirë, por  a është Shqipëria në atë luks që të fokusohet në investime të tilla?

 

Por si do t’ia bëni për t’i kundërshtuar nisma të tilla kur ju si opozitë jeni jashtë Parlamentit?

Pikërisht, këto i përmenda për të thënë se në Parlament, apo jashtë tij, ne do të fokusohemi dhe do të bëjmë presion që qeveria t’i ruajë këto prioritete dhe mundësisht të shtojë buxhetin që shkon për investime, sidomos ato infrastrukturore. Përveç kësaj, natyrisht që ne do të ndërmarrim edhe vendime politike. Ne do të diskutojmë në komisionet tona dhe departamentet pranë Partisë Demokratike, do të organizojmë edhe tryeza, meqë jemi në një moment të rëndësishëm për biznesin dhe qytetarët, jo vetëm për t’i sqaruar, por edhe për t’u dhënë alternativa me qëllim që kostoja ndaj tyre të jetë sa më e vogël. E mundësisht, që ekonomia shqiptare të rikthehet në nivel rritjeje normal. Dhe të hiqet dorë nga investime që japin efekt më të shpejtë në rritjen ekonomike, për investime të karakterit kozmetik, siç janë si tabletat për nxënësit e studentët apo modernizimi i policisë me makina, këto janë vetëm për të krijuar një imazh, që është i rremë dhe që jep një efekt momental, por nuk ka efekt në jetën ekonomike apo sociale të vendit. Kështu që Partia Demokratike do të përdorë të gjitha format e komunikimit me qytetarët.

 

Po në rast se nuk do të ketë ndryshimet e pritshme prej jush, si do të veproni. Në ç’pikë keni ndërmend ta çoni aksionin tuaj opozitar?

Në rast se qeveria nuk do të reagojë, ne kemi ftuar dhe artikuluar edhe nevojën për protesta. Kjo mund të jetë ndoshta ajo zgjidhje, e cila mund të detyrojë qeverinë, sepse qeveria deri tani ka dëshmuar se nuk pranon dialogun, nuk pranon mendimin alternativ, nuk pranon atë që është më e mirë për qytetarët. Por gjithçka e vlerësuar në tërësinë e vet, është vetëm lehtësi për qeverinë, pavarësisht nga kostoja që u shkaktohet qytetarëve.

SHKARKO APP