PD kërkon të martohet me Feriden
Nga Enkel Demi –
Arben Ristani ka ripërsëritur në Ora News idenë se Partia Demokratike është e hapur për një koalicion më të gjerë duke ftuar sërish FRD-në e Bamir Topit, madje dhe kuq’ e zinjtë e Kreshnik Spahiut, pa lënë mënjanë grekët e Vangjel Dules.
Në pamjen e parë është një zhvillim politik i shëndetshëm në opozitë, e cila ka ngut të rrëfejë se po kapërcen botëkuptimin e kufizuar që e çoi në zgjedhjet vendore me koalicionin më të rrudhur në historinë e saj.
Megjithatë me Bamir Topin çështja është pak e koklavitur. Ose demokratët do i kërkojnë ndjesë që e konsiderojnë ende “horr i bulevardit”, ose Bamiri duhet të pranojë që është bërë burrë i mirë dhe do shprehë pendesë. Në fakt, 21 janari është një lloj vije demarkacioni. Berisha e ritheksoi këtë me fjalën e tij në foltoren e Kuvendit atë ditë, kurse Bamir Topi në studion Baton Haxhiut shprehu habinë që ish-kryeministri nuk ishte ende në qeli për 21 janarin. Këtu mbërrijmë në një pikë të vdekur. Pikërisht në këtë vendtakim vjen Arben Ristani që ripërsërit një ftesë, e cila ende nuk është shumë e besueshme, sepse nga FRD thonë që nuk ka ardhur me shkrim. Demokratët që për vite të tëra e shpotitën këtë parti me emrin Feride, tani i lypin besën. Kombinacioni është i vështirë, por në Shqipëri nuk ka asgjë të pamundur. 1 prilli i famshëm na e rrëfen këtë. Ndoshta edhe në anën tjetër të barrikadës po kuptojnë se ajo shprehja e Muç Nanos për bashkimin e të gjithë qelbësirave nuk është halë e mbetur në fyt. Sa gjellë të shijshme ka me pamje të neveritshme?
E tillë mund të jetë edhe receta që do të përdoret për llokoçitur çorbën, kur nacionalistët e Kreshës të përzihen me grekët e Dules. Nuk ka përse mos të ndodhë, vetëm se Vangjeli do të dukej më shumë se qesharak, meqë dha dorëheqjen, sepse një çam si Shpëtim Idrizi i shkoi nënkryetar Kuvendi dhe do e kishte zyrën ngjitur me të. Tani Vangjeli ka ikur, Shpëtimi ka hyrë pikërisht në zyrën e tij, kurse Kreshniku prej Kosove duket po e shoshit ftesën e Ben Ristanit.
Megjithatë, ky rebus mund të zgjidhet edhe pa nisur fare, sepse si ndodh rëndom këto kohë në PD, sa herë Arben Ristani del në mbrojtje të një çështje, Berisha ja çbën davanë. A nuk doli Ristani dhe tha se PD inkurajon hetimet, kur arrestua Spiro Ksera? Në mbledhjen e kryesisë së grupit, Luli e ktheu dhe u bë një me qëndrimin editorial të doktorit në facebook. Prandaj, Beni tek kthen ndonjë gotë me Kreshën tek Shallvaret, ta mbaj një sy tek rrjetet sociale në telefon, sepse ku i dihet shkruan doktori.
www.27.al