PD letër ndërkombëtarëve: Kërkohet vlerësim nga Venecia dhe Këshilli i Europës për ndryshimet në kufijtë e bashkive
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka kërkuar vëmendjen e përfaqësive diplomatike në Shqipëri dhe institucioneve ndërkombëtare lidhur me procesin e reformës administrativo-territoriale. Në një letër të dërguar më 27 korrik 2026, Bardhi shprehet se procesi i ndjekur nga mazhoranca socialiste nuk përmbush standardet demokratike dhe nuk është zhvilluar mbi bazën e një dakordësie politike. Sipas tij, mënyra e trajtimit të reformës bie ndesh me parimet e vetëqeverisjes vendore dhe me angazhimet që Shqipëria ka në kuadër të integrimit evropian.
Bardhi ngre shqetësimin se ndryshimet e mundshme në ndarjen territoriale mund të kenë ndikim në balancat elektorale, duke krijuar avantazhe për forcën politike në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, një reformë e qëndrueshme kërkon një proces të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës, ku të gjitha palët politike të jenë pjesë e vendimmarrjes.
Në adresimin e tij ndaj partnerëve ndërkombëtarë, Bardhi kërkon që të ushtrohet presion për rishikimin e procesit, rikthimin e mandatit të Komisionit të Posaçëm deri në tetor 2026 dhe garantimin e një reforme të bazuar në konsensus. PD kërkon gjithashtu që çdo propozim përfundimtar i Komisionit të vlerësohet paraprakisht nga institucione ndërkombëtare të specializuara, si Komisioni i Venecias apo Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë të ditur se ka hartuar një raport mbi procesin e reformës, ku pretendon se shumica qeverisëse nuk ka respektuar disa prej standardeve evropiane që duhet të udhëheqin ndryshimet administrative.
KOHA JONË SONDAZH

