PD me statut të ri? Pikat kyçe që u ndryshuan gjatë natës
PD ka miratuar 8 ndryshime në statut, por nuk do të ndryshojë nenin 46, i cili detyron kryetarin të japë dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet parlamentare. Kjo do të thotë se, nëse Sali Berisha humb edhe zgjedhjet e vitit 2029, ai do të përballet sërish me këtë nen, të cilin nuk e zbatoi pas humbjes së vitit 2025.
Një nga ndryshimet kryesore është krijimi i një komisioni që do të filtrojë kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkish para se të futen në primare, me synimin që në garë të kalojnë vetëm kandidaturat më të përshtatshme dhe përfaqësuese.
Po ashtu PD ka vendosur gjithashtu të rrisë rolin e diasporës, duke i garantuar deri në 15% përfaqësim në organet drejtuese dhe në listat e kandidatëve për deputetë. Statuti i ri e bën gjithashtu detyrim ngritjen e degëve të partisë jashtë vendit. Një tjetër ndryshim lidhet me listat e anëtarësisë, të cilat do të dixhitalizohen dhe përditësohen çdo dy vjet për të shmangur debatet dhe problemet e vazhdueshme mbi anëtarësinë.
Mes ndryshimeve të tjera janë rritja e kuotës së grave nga 30 në 40% në lista dhe përfshirja e anëtarëve të këshillave bashkiakë në kryesitë e degëve të partisë. Statuti i ri votohet të shtunën në Kuvendin Kombëtar, ku po ashtu delegatët janë thirrur të votojnë listën me mbi 400 emra për rreth 200 vende në këshillin e Ri kombëtar, i cili më pas ka detyrën të votojë propozimet e Sali Berishës për ekipin e ri drejtues.
KOHA JONË SONDAZH

