
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, e sheh të ardhmen e PD-së të lidhur ngushtë me largimin e Sali Berishës nga drejtimi i saj. Për të demokratët po vuajnë pasojat e gabimeve politike të 13 viteve të fundit dhe se partia nuk mund të ringrihet pa ndryshime të thella.
”Po nuk u nda nga Berisha, PD nuk ka të ardhme. Ky është një proces organik që kërkon ndryshime të thella. Nuk shoh të ketë asnjë vullnet, ndaj PD është e destinuar të dështojë”, tha Spaho. Sipas tij, PD ka dështuar të jetë një forcë e vërtetë opozitare që mund të rrëzonte Edi Ramën, ndërsa renditi si gabime të rënda djegien e mandateve parlamentare dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
”PD po vuan atë që ka gatuar vetë në 13 vjet. Ka qenë e paaftë për të qenë forcë e vërtetë opozitare, që të rrëzonte Edi Ramën. Po vuan gabimet e tmerrshme politike me djegien e mandateve dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhjet vendore të 2019. Gabimi tjetër i madh ishte që kompromentoi të gjitha premtimet e Rithemelimit dhe u zhyt në llumin e PD që drejtohej nga Lulzim Basha e sot po vuan këto gabime. Hapësirat i ka shumë të kufizuara. Në një periudhë të shkurtër PD nuk rivitalizohet”,-tha në ”Report TV”.
