Peleshi në Vjenë: Projekte të reja bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Austrisë
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, zhvilloi një takim me presidentin e Landit të Vjenës, Christian Meidlinger, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë dhe kryeqytetit austriak.
Gjatë takimit, palët ndanë vlerësimin për marrëdhëniet e konsoliduara ndërmjet dy vendeve dhe diskutuan mbi zgjerimin e projekteve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e arsimit, kulturës dhe projekteve artistike. U theksua rëndësia e shkëmbimeve ndërinstitucionale dhe mundësitë e reja për lidhje edhe më të qëndrueshme.
Një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm është partneriteti mes Universitetit BOKU të Vjenës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, model që palët shprehën vullnetin ta thellojnë dhe ta zgjerojnë.
“Diskutuam zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, projekteve artistike dhe shkëmbimeve institucionale. Modele si partneriteti mes Universitetit BOKU të Vjenës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës janë shembuj që duam t’i forcojmë dhe t’i zgjerojmë”, tha Peleshi në reagimin e tij.
Në përmbyllje të takimit, Kryetari i Kuvendit i adresoi Presidentit Meidlinger një ftesë të përzemërt për të vizituar Shqipërinë, me qëllim vijimin e traditës së dialogut dhe miqësisë mes dy institucioneve.
KOHA JONË SONDAZH

