Peleshi: Shqipëria po kontribuon si një vend anëtar i BE-së dhe Tirana si një ndër kryeqytetet e shteteve të saj

Nga Niko Peleshi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

Pas miratimit në parim, Kuvendi do të shqyrtojë e miratojë së shpejti, nen për nen dhe në tërësi, projektin e buxhetit të vitit të ardhshëm.
Shqyrtimi i buxhetit përkoi me një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë, rajonin dhe Europën: organizimin në Tiranë të Samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo veprimtari dëshmoi edhe një herë se, de facto, Shqipëria po kontribuon si një vend anëtar i BE-së dhe Tirana si një ndër kryeqytetet e shteteve të saj.

1. Sinergjia midis Planit të Rritjes dhe Buxhetit të Shtetit

Swiss Digital Desktop Reklama

Si një nismë strategjike, Plani i Rritjes mbështet financiarisht zbatimin e reformave transformuese në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, në disa aspekte thelbësore si sundimi i ligjit, mirëqeverisja, administrata publike etj., në rrugëtimin e tyre drejt familjes europiane.
Nga Plani i Rritjes, Shqipëria do të përfitojë rreth një miliard euro. Por rëndësia e Planit nuk lidhet vetëm me mbështetjen financiare, edhe pse ajo është e konsiderueshme për buxhetin e Shqipërisë, por me nxitjen e bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit dhe konvergjencën ekonomike me BE-në, në sektorë të rëndësishëm si energjia, infrastruktura, shërbimet publike, mobiliteti, konektiviteti, investimet, digjitalizimi etj.
Harmonizimi i burimeve nga Plani i Rritjes me ato të buxhetit të shtetit përshpejton procesin e anëtarësimit, mbështet avancimin e reformave dhe nxit protagonizmin dhe lidershipin rajonal të Shqipërisë.
Fakti që Shqipëria po zbaton me performancë të lartë masat e Planit të Rritjes, në disa raste edhe para afateve të parashikuara, është një garanci edhe për shfrytëzimin sinergjik të financimeve të tij me burimet buxhetore.

Swiss Digital Mobile Reklama

2. Mbështetje buxhetore për përshpejtimin e anëtarësimit në BE

Samiti i Planit të Rritjes u parapri nga miratimi në parim prej Kuvendit i buxhetit të vitit 2026. Buxheti harmonizon mbështetjen me burimet e nevojshme financiare të tri shtyllave kryesore të zhvillimit të vendit: mirëqenies së qytetarëve, rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe konsolidimit fiskal, me shtyllën e katërt, e cila është bërë tashmë prioriteti i prioriteteve tona: përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Shqipëria është sot vend i kandidat pararojë, që ecën me më shumë shpejtësi, qartësi dhe vendosmëri drejt familjes europiane.
Si garantuese e legjitimitetit demokratik, karakterit gjithëpërfshirës dhe transparencës së integrimit europian, Kuvendi vlerëson mobilizimin nga Qeveria të burimeve të nevojshme për mbështetjen e këtij procesi.
Buxheti 2026 do të jetë buxheti i vitit kur bashkëpunimi me Bashkimin Europian do të jetë i shumëanshëm dhe intensiv. Prandaj, përveçse pjesë e kontratës së Qeverisë me qytetarët për më shumë mirëqenie e dinjitet, buxheti do të jetë edhe pjesë e kontratës së Shqipërisë me Europën.

3. Mbështetje për reformat transformuese dhe institucionet e pavarura, si roje të interesit publik

Përveç misionit kryesor, rritjes së mirëqenies së qytetarëve, buxheti 2026 mbështet avancimin e reformave transformuese drejt objektivit strategjik kombëtar: anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Buxheti mbështet me burimet e nevojshme institucionet e pavarura, si roje të interesit publik dhe qytetar.
Kjo është dëshmi e vullnetit tonë për të mbrojtur e mbështetur institucionet demokratike, për të konsoliduar shtetin e së drejtës dhe vlerat demokratike, për të garantuar ndarjen e pushteteve dhe, mbi të gjitha, pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Investimin politik, kombëtar dhe institucional për mbështetjen e institucioneve të drejtësisë, buxheti do ta plotësojë edhe me burimet e nevojshme financiare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?