Pensionet me Luksemburgun, përfitojnë dy mijë shqiptarë

 Kjo, falë një marrëveshjeje dypalëshe mbi mbrojtjen sociale, të nënshkruar mes dy vendeve, e cila mundëson transferimin e pensioneve për rreth dy mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në shtetin e vogël në qendër të Evropës. Konkretisht, ka qenë vetë ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj dhe ministri i Mbrojtjes Sociale i Luksemburgut, Romain Schneider, ata që e kanë nënshkruar marrëveshjen në fjalë. E kështu, brenda një kohe të shkurtër, Luksemburgu bëhet shteti i dytë, pas Belgjikës, që nënshkruan me Shqipërinë marrëveshjen e cila u jep mundësi emigrantëve shqiptarë të tërheqin me vete edhe kontributet e pensioneve që kanë depozituar në shtetin shqiptar nëse vendosin të qëndrojnë në Luksemburg, ose anasjelltas. “Në 1 janar 2015 nis zbatimi i reformës së pensioneve dhe ajo që po përpiqemi të bëjmë me këto marrëveshje dypalëshe, është t’u themi shqiptarëve se nuk ka rëndësi se ku punoni, por për sa kohë që i deklaroni vitet tuaja të punës në Shqipëri apo në një vend tjetër të BE-së, ato do t’ju njihen të gjitha. Ky është një apel për qytetarët se që nga 1 janari, çdo muaj apo vit i deklaruar, sjell një pension më të lartë”, nënvizoi Veliaj pas nënshkrimit të marrëveshjes. Sipas tij, marrëveshja e pensioneve me Luksemburgun na ndihmon të krijojmë një precedent për të kërkuar dhe lidhur të tjera marrëveshje të ngjashme me vendet ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i lartë. “Në momentin kur do të kemi lidhur 6-7 marrëveshje të tilla me vende të tjera të BE-së, edhe procesi i fillimit të negociatave me vendet fqinje do të jetë më i lehtë”, tha gjithashtu ministri. Duke theksuar më tej se me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla me vende si Belgjika apo Luksemburgu, bëhet e mundur që një emigrant shqiptar në Greqi apo Itali, mjafton të ketë punuar qoftë edhe një muaj në një nga vendet me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen, të mund të përfitojë njohjen e kontributeve të pensionit të fituara në secilin prej vendeve të BE-së. Nga ana e tij, ministri për Mbrojtjen Sociale i Luksemburgut, tha se marrëveshja me Shqipërinë është një akt i rëndësishëm sepse bëhet fjalë për një konventë në fushën e sigurimeve shoqërore. “Nënshkrimi i marrëveshjes është hapi i parë, Gjithsesi, procedura nuk zgjat shumë dhe besoj se marrëveshja do të hyjë në fuqi shumë shpejt”, sqaroi ai.

 

MARRËVESHJET

Përveç Belgjikës dhe tashmë, Luksemburgut, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me Turqinë, ndërkohë që vijojnë bisedimet me Gjermaninë, Çekinë, Rumaninë dhe Austrinë. Por Ministria e Mirëqenies Sociale do të nënshkruajë shumë shpejt marrëveshjen edhe me Kanadanë, Hungarinë dhe Maqedoninë, e nga ana tjetër synon të bashkëpunojë edhe me Italinë dhe Greqinë, vende këto ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh.

 

SHKARKO APP