Pensionet rriten me 1,4%, vendimi hyn në fuqi më 1 gusht

Në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli i Ministrave pritet që të indeksojë pensionet në masën e 1.4%-it. Ndryshe nga qeveria “Berisha”, ku muaji korrik i çdo viti parashikonte rritje të pagave dhe pensioneve, me qeverinë e drejtuar nga Rama, kjo periudhë do t’i shërbejë vetëm “rritjes” së pensioneve në nivelin e indeksimit.

Me vendimin e së mërkurës qeveria në fakt do të përmbushë një detyrim ligjor, pasi me ligj ajo është e detyruar të bëjë vetëm indeksim të tyre sipas inflacionit.

Për vitin 2015, në dispozicion të kësaj kategorie është parashikuar një fond prej 12 milionë dollarësh që do të mundësojë vetëm indeksimin, i cili kësaj here do të jetë në masën e 1.4%-it. Prej kohësh Ministria e Financave ka sqaruar se pensionet do të indeksohen me normën vjetore të inflacionit, ashtu siç ndodhi pak a shumë edhe vitin e kaluar.

Burime nga Ministria e Financave sqaruan se vendimi që do të merret ditën e mërkurë për indeksimin e pensioneve me 1.4% do të hyjë në fuqi vetëm në fillim të muajit gusht. Një vit më parë, thuajse në të njëjtën periudhë qeveria vendosi që indeksimi i pensioneve të ishte në masën e 2%-it diçka më shumë se rritja e indeksit të konsumit që nga INSTAT ishte deklaruar në masën e 1.6%-it.

Për pasojë, asokohe ish-ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj u shpreh se me këtë vendim nuk kishte vetëm indeksim, por edhe rritje nominale të pensioneve. Megjithatë, ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit indeksimi do të jetë më i ulët edhe pse norma vjetore e inflacionit nuk kalon masën e 2%-it. Indeksimi do të prekë të gjitha kategoritë e pensioneve qoftë ato të plota, të pjesshme apo edhe të reduktuara.

Në fillim të këtij viti, qeveria miratoi edhe reformën e re të pensioneve. Skema e re e pensioneve synon të favorizojë jo vetëm ata që kanë paga të larta e të mesme, por edhe kategorinë e të punësuarve me pagë minimale.

Reforma e pensioneve parashikon gjithashtu që mosha për gratë të rritet me 2 muaj për çdo vit kalendarik deri në vitin 2032. Ndërsa për burrat rritja e moshës do të bëhet me një muaj për çdo vit që do të fillojë pas vitit 2025 dhe do të vijojë deri në 2052.

Reforma e re pensioneve është kundërshtuar nga PD-ja përmes tryezave ekonomike që ajo ka zhvilluar. PD-ja e ka cilësuar si reformë anti-sociale që deformon skemën e bazuar deri një vit më parë mbi bazën e kontributeve. Sipas PD-së, reforma do të rrisë informalitetin dhe papunësinë.

SHKARKO APP