Pensionet suplementare, si i përfiton kush punon në shtet
Në kuadër të reformës së re të pensioneve, qeveria harmonizon përfitimet suplementare që u akordohen personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të lartë të shtetit. Të përfshira në një projektligji të veçantë, tashmë të kaluar në Kuvend, këto pensione suplementare përmbledhin disa rregulla të reja të posaçme për përfituesit, bazuar pikërisht në kontributet suplementare që paguhen prej tyre. “Gjithashtu, projektligji ka për qëllim të rregullojë më mirë trajtimet financiare për funksione ose detyra të krahasueshme, pavarësisht se cilës sferë të veprimtarisë shtetërore i përkasin”, sqarojnë ekspertët e qeverisë lidhur me një fakt të tillë. Kujtojmë ndërkaq, se ligji i vitit 1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, parashikon mbrojtjen me përfitime suplementare të personave që kanë kryer funksione kushtetuese që nga 1.4.1991, e në vazhdim, pavarësisht se në periudhën 1991-1996 nuk janë derdhur kontribute. Kurse nga muaji prill i vitit 1996 e në vazhdim, mbrojtja me sigurim suplementar për personat që kanë kryer ose kryejnë funksione kushtetuese, si edhe për punonjësit e lartë të shtetit përfitohet vetëm kur janë paguar kontribute në skemën e sigurimit suplementar, sipas masës dhe procedurave të përcaktuara me ligj dhe vendime të Këshillit të Ministrave. Por nga ky vit e në vazhdim, për shkak të ndryshimeve në emërtesat dhe në organikën e institucioneve kushtetuese, institucioneve të larta të shtetit dhe institucioneve qendrore, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave janë bërë shtesa e pakësime në këtë listë. Kështu, thuhet se në vitin 2002 janë përjashtuar nga mbrojtja me sigurime suplementare punonjësit e drejtorive qendrore të Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Institutit të Sigurimeve (INSIG) sepse ligjërisht janë të përcaktuara si institucione publike me buxhet të pavarur nga buxheti i shtetit. Gjithashtu, janë përjashtuar edhe punonjësit e drejtorive qendrore të ish-Bankës së Kursimeve dhe BKT-ja e BTA-ja, pasi kaluan në proces privatizimi apo u trajtuan si shoqëri anonime. Ndërkohë, në të njëjtën kohë me ndryshimet e sipërpërmendura u diskutua edhe për shtrirjen e sigurimeve suplementare për punonjësit e tjerë të institucioneve qendrore dhe të organeve të pushtetit vendor, nëpërmjet krijimit të skemave suplementare ku përfitimet mbuloheshin me kontributet e punëmarrësve dhe punëdhënësve. Deri më sot këto skema nuk janë zhvilluar. Siç u cilësua edhe më sipër, legjislacioni ka filluar zbatimin në vitin 1996 dhe personat e punësuar në funksionet dhe detyrat e përcaktuara përfitojnë sipas rastit: 1) pagesë kalimtare në masën 50% të pagës referuese të funksionit për funksionarët e lartë kushtetues që përfitohet për 3 vjet dhe 40% të pagës referuese të funksionit për funksionarët e institucioneve qendrore që përfitohet për 1 vit; 2) pensione shtetërore suplementare dhe pensione shtetërore suplementare familjare ku masa mujore e përfitimit varet nga madhësia e pagës referuese dhe vitet e shërbimit në funksion. Funksionarët kushtetues i përfitojnë pensionet suplementare në moshën 55 vjeç, ndërsa punonjësit e tjerë të institucioneve qendrore përfitojnë pas mbushjes së moshës për pension pleqërie; 3) periudha e pagesës kalimtare njihet si periudhë sigurimi për efekt të përfitimit nga sigurimi i detyrueshem dhe kontributet për këtë periudhë derdhen nga buxheti i shtetit.
ECURIA
Kush janë realisht përfituesit?
Në vitet e para skema nuk kishte shumë përfitues, ndërkohë që numri i tyre rritet nga viti në vit si për shkak të largimeve nga funksionet kushtetuese, ashtu edhe për shkak të mbushjes së moshës për pension pleqërie. Nëse në vitin 2004 nga kjo skemë trajtoheshin rreth 720 individë dhe shpenzimet arrinin në rreth 148 milionë lekë në vit, 10 vite më vonë, në vitin 2013, numri i përfituesve për këtë skemë është 1.746 individë dhe shpenzimet arritën në 717 milionë lekë. Nga këto shpenzime, vetëm 291 milionë lekë mbulohen nga kontributet suplementare,. Pjesa tjetër e shpenzimeve financohet nga buxheti i shtetit. Po të ndjekësh një dinamikë të paktën 10-vjeçare, nga viti 2003 deri në 2013, rezulton se të ardhurat janë rritur 6 herë, ndërsa shpenzimet janë rritur 13 herë. Ndërsa për vitin 2014 parashikohet që numri i përfituesve të shkojë në 1920 individë dhe shpenzimet të arrijnë në rreth 850 milionë lekë, me një rritje prej 130 milionë lekësh më shumë se një vit më parë. Aktualisht, në këtë skemë vetem 40% e shpenzimeve financohen nga kontributet, ndërkohë që për shkak të zgjatjes së periudhave të shërbimit apo të qëndrimit në funksione të caktuara, përfitimet do të jenë gjithnjë e më të larta dhe financimi i tyre nga kontributet mund të mbulojë vetëm 20% të shpenzimeve për përfitime, duke shtuar kësisoj barrën e buxhetit të shtetit.
TARIFAT
Ndryshimet që bëhen në
llogaritjen e kontributit
Në funksion të uljes së subvencioneve buxhetore për financimin e përfitimeve suplementare, është parashikuar rritje me +1% e normës së kontributit suplementar që zbatohet bazuar në pagën referuese sipas funksioneve. Edhe në të ardhmen norma e kontributit do të jetë e diferencuar sipas grupeve të përfituesve dhe nga 4, 3, dhe 2 % që ishte, bëhet 5% e shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të parë; 4% e shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë dhe 3% e shumës bruto të listëpagesave për personat e grupit të dytë, ku përfshihen specialistët në institucionet kushtetuese dhe në ministri. Rritja e normës së kontributeve parashikohet të rritë të ardhurat e skemës me rreth 20%, duke ndikuar drejtpërdrejt në reduktimin e subvencioneve buxhetore. Gjithashtu, në funksion të uljes së subvencioneve buxhetore për financimin e përfitimeve suplementare, nisur edhe nga fakti se tashmë mosha e përfitimit të pensionit nga skema e sigurimit të detyrueshëm është ritur, është parashikuar një rritje me 5 vjet e moshës së përfitimit të pensionit suplementar për grupin e parë. Sipas statistikave, përfituesit e pensioneve suplementare të grupit të parë zënë çdo vit 17% të numrit të përgjithshëm të përfituesve, ndërkohë që shpenzimet për përfitime zënë rreth 30% të totalit. Megjithëse mosha e përfituesve të pensioneve suplementare të grupit të parë varion nga 55 në 60 dhe 65 vjeç përsëri rritja e moshës me 5 vjet do të ketë ndikime në uljen e subvencioneve të skemës. Rritja e moshës së përfitimit suplementar nga 55 në 60 vjeç parashikohet të jetë e menjëhershme, ndërkohë që aktualisht, në skemën e përfitimeve ka persona që edhe pas datës 1.1.2015 do të jenë më të rinj se 60 vjeç. Por e drejta e përfitimit për këta persona ka lindur dhe nuk mund të ndërpritet. Për këtë arsye, si një detyrim kushtetues janë parashikuar të drejtat e fituara lidhur me pensionet shtetërore suplementare, me datë fillimi deri më 31.12.2014, të cilat caktohen sipas dispozitave ligjore që kanë qenë në fuqi deri në atë datë. Po kështu, ato do të vazhdojnë të paguhen pa u ndërprerë dhe nuk janë objekt ndryshimi apo rillogaritjeje përveç indeksimit sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.