Pensionet, Veliaj: Duhet që të vendosim barazi mes shtetasve
Duhet që të vendosim barazi mes shtetasve. Ky ka qenë thelbi i diskutimit që ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj zhvilloi dje para deputetëve të komisionit për Punën Çështjet Sociale teksa argumentoi ndryshimet në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare, të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar”. Dhe teksa bëri një parashtrim të tyre, ai tha se ndryshimi i këtij ligji do të bëhet duke zbatuar të njëjtin parim që ka ndjekur e gjithë reforma e sistemit të pensioneve, i cili është se të drejtat e fituara nuk preken. Sipas tij, titullarët, deputetët, funksionarët, ambasadorët, drejtuesit e lartë të ministrive që i kanë fituar këto të drejtat nuk i humbasin. Porse bëhet fjalë nga tani e tutje. “Një ndryshim thelbësor që sjell ky ligj është rritja e moshës së daljes në pension për funksionarët e lartë, nga 55 vjeç që është sot, në 60 vjeç sipas propozimit të këtij projektligji. Dëshiroj t’ju sqaroj se mosha ishte caktuar 55 vjeç në një kohë, në 1996, kur edhe mosha e daljes në pension për të gjithë pjesën tjetër të publikut ka qenë 55 vjeç. Ndërkohë që për publikun është rritur ndërsa për funksionarët e lartë nuk është rritur dhe ka ardhur koha që të bëjmë këtë lloj barazie mes shtetasve”, – tha në këtë kuadër ministri Veliaj. Konkretisht, projektligji përcakton se tani e tutje mosha e pensionit për zyrtarët do të jetë 60 vjeç dhe jo më 55 siç ishte deri tani. “Kushtet e përfitimit për “grupin e parë” janë: Të kenë mbushur moshën 60 vjeç ose para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit për sigurimet shoqërore të detyrueshme. Duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç”, citon neni në fjalë. Në një kohë që neni 6 i projektligjit përcakton që masa e pensionit shtetëror suplementar për presidentin, kryetarin e kuvendit dhe kryeministrin do të jetë 25% e pagës referuese, edhe nëse periudha e shërbimit është më e vogël se dy vjet, dhe 5% më shumë për çdo vit shërbimi mbi dy vjet. Ndërsa për zyrtarët e tjerë që bëjnë pjesë po në grupin e parë kjo masë do të jetë 25% e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5% më shumë për çdo vit shërbim mbi këto 2 vjet. Teksa nga ana e saj, nënkryetarja e komisionit, Klodiana Spahiu, tha në fjalën e saj se vendimi për rritjen e moshës së daljes në pension për zyrtarët e lartë, është një vendim i drejtë dhe se kjo është një vijimësi e reformës në sistemin e pensioneve të miratuar në muajin korrik të vitit 2014. “Realisht është rritur mosha e daljes në pension, nga 55 në 60, dhe mendoj që kjo është një nga direktivat më të rëndësishme dhe më e arsyeshmja se në të vërtet nuk ka arsye se përse të përfitojnë zyrtarët e lartë që në moshën 55 vjeç”, – tha ajo në këtë kuadër.
DEKLARATA
“Mosha e daljes në pension ishte caktuar 55 vjeç në një kohë, në vitin 1996, kur edhe mosha e daljes në pension për të gjithë pjesën tjetër të publikut ka qenë 55 vjeç. Ndërkohë që për publikun është rritur ndërsa për funksionarët e lartë nuk është rritur dhe ka ardhur koha që të bëjmë këtë lloj barazie mes shtetasve”, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj.