Pensioni, ja kujt i llogaritet me skemën e vjetër dhe të renë
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregullat e reja për skemën që do të përdoret për llogaritjen e pensionit, për ata persona që kanë shtyrë moshën e daljes në pension dhe për ata që mbushën këtë moshë para datës 31.12.2014, por që nuk plotësonin periudhën e sigurimit e për pasojë vazhdojnë të derdhin kontribute. Sipas vendimit të qeverisë, për kategorinë e dytë do të ‘hyjnë në lojë’ të dyja skemat: ajo e para datës 31 dhjetor 2014 dhe e reja, që hyri në fuqi në datën 1 janar 2015. Kështu, atyre personave që kanë plotësuar kriteret për përfitimin e pensionit të plotë përpara datës 31.12.2014 dhe, ndërkohë, vazhdojnë sigurimin e detyrueshëm, pensioni do t’u llogaritet sipas dispozitave në fuqi, në momentin e plotësimit të kushteve për pension, ndërsa shtesa mbi pension, për shtyrjen e datës së daljes në pension apo të ndërprerjes së tij dhe rimarrjes në një datë të mëvonshme, sipas nenit 33 të ligjit, do të llogaritet sipas dispozitës në fuqi në vitin përkatës. Kjo formulë duket se do të favorizojë këta persona, pasi ligji i ri, me të cilin do të përllogaritet shtesa, parashikon rritje të përfitimit për ata persona që kërkojnë shtyrje të datës së daljes në pension.
Sipas tij, çdo i siguruar, do të marrë shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit, për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Ligji i vjetër parashikonte mundësinë e shtyrjes së datës së daljes në pension, por shtesa që përfitohej, përllogaritej në masën 0.34 për qind për çdo muaj ndërprerjeje të pensionit. Kjo do të thotë se me skemën e re përfitohet 0.16 për qind më shumë shtesë.
Ndërkaq, sipas vendimit të qeverisë, personave, që kanë plotësuar moshën për pensionpleqërie, sipas përcaktimeve në nenin 31 (ndodhet në tabelën bashkëngjitur shkrimit), por që, deri më 31.12.2014 nuk plotësojnë periudhën e sigurimit, sipas përcaktimeve në nenin 92 (shih tabelat) dhe, ndërkohë, vazhdojnë sigurimin e detyrueshëm, pensioni do t’u llogaritet sipas dispozitave ligjore në fuqi, në momentin e ndërprerjes së sigurimit të detyrueshëm. Kjo do të thotë se për këta persona, do të aplikohet skema e re e përllogaritjes së masës së pensionit të pleqërisë, që ka filluar të aplikohet nga 1 janari i këtij viti. Kjo formulë heq konceptin e pensionit maksimal, ndërsa shuma e pensionit është e varur nga vitet e siguruara dhe nga masa e kontributeve të derdhura gjatë këtyre viteve.