Për herë të parë në Shqipëri, Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Maltës
Me ftesë zyrtare të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, nderon vendin tonë me praninë e tij Lartësia e Tij e Përndershme, në kuadrin edhe të përurimit të selisë së re të Ambasadës së Urdhrit të Maltës në Tiranë
Urdhri i Maltës
Për herë të parë në Shqipëri, Princi dhe Mjeshtri i Madh Fra’ Matthew Festing
Nga Eglantina Nasi
Për herë të parë në Shqipëri, mbërrin Princi dhe Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Maltës, Fra’ Matthew Festing! Vetë kreu i nderuar i kësaj organizate të njohur ndërkombëtarisht për aspektin e saj humanitar dhe që prej mëse dy dekadash ka qenë e pranishme edhe në vendin tonë me kontributet e saj mjaft të çmuara. Kështu, siç bëhet me dije posaçërisht për “Koha Jonë”, ka qenë vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ai që i ka drejtuar ftesën zyrtare për të vizituar vendin tonë, Lartësisë së tij të Përndershme, vizitë kjo e cila do të zhvillohet përkatësisht gjatë datave 18-20 janar 2015. Teksa mësohet se ai do të shoqërohet edhe me një delegacion të posaçëm, i përbërë nga përfaqësuesit më të lartë të Urdhrit të Maltës. Më tej, në detaje, konfirmohet se L.T.P. Fra’ Matthew Festing do të zhvillojë edhe një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, por në të njëjtën kohë edhe me Nuncin Apostolik të Vatikanit, në kuadrin e një vizite kortezie në selinë e tij në Tiranë. Sikundër, është parashikuar edhe një takim i posaçëm i tij me arqipeshkvin e Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita.
Gjithashtu, detajet e kësaj vizite zyrtare, tregojnë se pritja zyrtare ceremoniale e Princit dhe Mjeshtrit të Madh do të kryhet nga vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shoqëruar edhe me bisedimet zyrtare të delegacioneve përkatëse. Ndërsa takime të Lartësisë së tij të Përndershme janë parashikuar gjithashtu edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, si edhe me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Ky i fundit do të shtrojë madje edhe një drekë në nder të ardhjes së Mjeshtrit të Madh të Urdhrit të Maltës, për herë të parë në vendin tonë. Teksa një element mjaft i veçantë i vizitës së tij në Tiranë, mbetet edhe pjesëmarrja e Fra’ Matthew Festing në bekimin dhe përurimin e ambasadës së Urdhrit të Maltës në Shqipëri. Një event ky që përbën vërtet një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet diplomatike mes vendit tonë dhe kësaj organizate të njohur. Sakaq, një pjesë e delegacionit thuhet se do të zhvillojë takim edhe me ministrin ë Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ku me këtë të fundit, pritet të diskutohet pikërisht mbi arritjet e deritanishme, por edhe mbi vazhdimësinë e projekteve të bashkëpunimit në sektorin shëndetësor me Urdhrin e Maltës. Kurse në ditën e fundit të tij të qëndrimit në Shqipëri, pra më 20 janar, Fra’ Matthew Festing dhe delegacioni që e shoqëron atë, do të nisen për në Shkodër ku do të zhvillojnë takime me përfaqësues të lartë të Organizatës Humanitare të Urdhrit të Maltës “Maltesier”. Ku përfshihet edhe një takim me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka si edhe me Arqipeshkvin e Shkodrës, monsignor Angelo Massafra. Ndërkaq, Princi dhe Mjeshtri i Madh do të marrë pjesë edhe në konferencën e organizuar me rastin e 20-vjetorit të “Maltesier” në Shqipëri. Kjo e fundit, një organizatë mjaft e njohur me mision humanitar që prej mëse dy dekadash ushtron aktivitetin e saj në rajonet e Veriut të vendit tonë.
BIOGRAFIA
Diçka nga jeta e
Mjeshtrit të Madh
Mjeshtri i madh i Urdhrit të Maltës ka të drejtën e ushtrimit të autoritetit të tij suprem. Fra' Matthew Festing u zgjodh si princ dhe Mjeshtër i Madh përjetë i këtij Urdhri më 11 mars 2008, duke pasuar Fra ' Andrew Bertie, të 78-tin Mjeshtër të Madh (1988-2008), i cili vdiq në Romë më 7 shkurt 2008. Lindur në Northumberland të Anglisë më 30 nëntor 1949, Fra' Matthew Festing studioi në Ampleforth dhe kolegjin e Shën-Gjonit në Kembrixh ku u diplomua në histori. Si ekspert i artit, ai ka ushtruar aktivitetin e tijj në një shtëpi ndërkombëtare ankandesh. Kur ka qenë fëmijë, ka jetuar në Egjipt dhe Singapor, vende këto ku ishte caktuar të shërbente babai i tij, marshalli Francis Festing. Rrjedh nga i bekuari Adrian Forteskue, një kalorës i Maltës, i cili u martirizua më 1539-ën. Ai ka shërbyer në Grenadier dhe mban gradën e kolonelit. I është dhënë edhe grada e oficerit të Urdhrit të Perandorisë Britanike nga Mbretëresha Elizabeth II, përfaqësues i së cilës ai ka qenë në qarkun e Northumberlandit. U bë pjesë e Urdhrit Sovran të Maltës në vitin 1977, kreu betimet solemne fetare në 1991, duke u bërë kështu një kalorës i shpallur i tij. Gjatë viteve 1993 dhe 2008 ai ishte Grand Priore i Anglisë, ku në këtë rol, ai udhëhoqi misionet e ndihmës humanitare në Kosovë, Serbi dhe Kroaci, sikundër udhëhoqi edhe delegacionin britanik në pelegrinazhin ndërkombëtar vjetor të Urdhrit në Lourdes. I pasionuar pas arteve dekorative dhe historisë, ai është i njohur për njohuritë e tij enciklopedike të historisë së Urdhrit të Maltës. Qytetar nderi i Rapallos dhe Pompeit. Dhe i janë dhënë titujt "Honoris Causa" nga Universiteti Katolik i Amerikës, Universiteti i Northumbrias dhe Universiteti “John Cabot”.
HISTORI
Kush është Urdhri i Maltës?
Urdhri i Maltës, një degë e Kishës Katolike, e ka origjinën e tij që nga koha e kryqëzatave dhe që vijon të jetë aktiv. Aktualisht, ai njihet si një organizatë e madhe humanitare ndërkombëtare, teksa deklarohet se sot ai “lufton” jo më me shpata, por me mjete paqësore kundër sëmundjeve, varfërisë, izolimit social dhe natyrisht, mbrojtjes së besimit. Viti 1113 ka qenë përkatësisht edhe njohja e tij si një organizatë zyrtare nga Papa Paskal II, teksa fillimisht besohet se u themelua në vitin 1048, kohë kur edhe njihej si hospitalierët e Shën-Gjonit të Jeruzalemit, me themelues Gerardin e Bekuar. Ndërsa thuhet se themeluesit e tij kanë qenë disa kryqtarë aristokratë europianë, të cilët u kujdesën për pelegrinët e sëmurë në Jeruzalem në atë kohë, teksa morën më pas edhe njohjen e tyre zyrtare nga Papa. Më tej, ata nga Jerusalemi shkuan në Rod, pastaj në Qipro dhe në fund në Maltë, ku qeverisën ishullin për disa shekuj. Por u përzunë prej saj nga Napoleon Bonaparti gjatë fushatës së tij në Egjipt dhe tashmë e kanë selinë e tyre në qendër të Romës. Tashmë, Urdhri i Maltës ruan një status sovraniteti, madje ka edhe statusin e vëzhguesit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe njihet si shtet sovran nga më shumë se 100 shtete të botës. Ku midis të cilëve, që prej vitit 1994, figuron edhe Shqipëria. Ndërkaq, ai ka spitale dhe operacione humanitare në më shumë se 120 vende. Ndërsa është e parashikuar që të gjithë anëtarët e Urdhrit duhet të kryejnë një jetë shembullore, në përputhje me mësimet e Kishës Katolike dhe që t’ia përkushtojnë veten e tyre ndihmës humanitare ndaj njerëzve në nevojë.
XII
Eshtë shekulli kur thuhet se u realizua edhe njohja e Urdhrit të Maltës si një organizatë zyrtare nga Papa, teksa fillimisht besohet se u themelua në vitin 1048, kohë kur edhe njihej nga hospitalierët e Shën-Gjonit të Jeruzalemit
AKTIVITETET
Historia e “Malteser Shqipëri”
dhe kontributi për vendin tonë
“Malteser Shqipëri” është një organizatë joqeveritare humanitare, me qendër në Shkodër dhe që operon në Shqipëri që nga viti 1994. E mbështetur nga simotra e saj gjermane
“Malteser Hilfsdienst”, ajo ka si mision të ndihmojë njerëzit në nevojë pa asgjë paragjykim. Kështu, që nga viti 1995, ka dhënë mjaft ndihmë mjekësore dhe humanitare ndaj komuniteteve të varfra në shumë rajone të Veriut të vendit. Dhe një pjesë të rëndësishme të saj, zë pikërisht parimi i vullnetarizmit, teksa synohet gjithmonë ofrimi i ndihmës pa dallim race apo bindjeje politike ndaj kategorive që e përfitojnë atë. Ndërsa vlerat e krishtera dhe principet humanitare të paanshmërisë dhe të pavarësisë janë dhe mbeten baza e veprimtarisë së saj, gjithmonë në kuadrin e misionit të mbështetjes së njerëzve në nevojë dhe atyre të margjinalizuar. “Tuitio fidei et obsequium pauperum” – “Dëshmia e besimit dhe ndihma për nevojtarët”, mbetet pikërisht edhe motoja e frymëzimit të tij…
Sektori shëndetësor
Që nga viti 1995 dhe në vazhdim, “Malteser Shqipëri” ka punuar intensivisht në veri të vendit lidhur me kujdesin shëndetësor. Ky aktivitet ka përfshirë: Mbulimin e shërbimit mjekësor bazë në zonat e thella malore dhe popullsinë lokale, si: vizita mjekësore, terapi të nevojshme, analiza laboratorike, konsultime mjekësore të specializuara, transporte urgjente në spitale etj. Ku çdo vit, janë realizuar prej kësaj organizate rreth 2000 vizita mjekësore. Gjithashtu, është ofruar ndihmë mjekësore edhe për komunitetin rom e atë egjiptian, duke nisur që nga viti 2000 posaçërisht për këto kategori të popullsisë në rajonet veriore të vendit. Sikundër, ndër vite prej “Malteser Shqipëri” janë realizuar edhe mjaft trajnime mbi edukimin shëndetësor për popullsinë lokale, apo edhe për dhënien e ndihmës së parë si për anëtarët e saj apo dhe anëtarët e disa organizatave të tjera të interesuara, por edhe për policinë rrugore dhe forcat speciale të policisë në qytete të ndryshme, si edhe për nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme sipas një marrëveshjeje të bërë me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri etj. Pa harruar këtu edhe trajnimet në edukimin shëndetësor mbi kancerin e gjirit dhe të mitrës për gra dhe shpërndarje fletëpalosjesh etj.
Mbrojtja Civile
Që nga viti 1999, “Malteser Shqipëri” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë krijimit të strukturave të specializuara të mbrojtjes civile, në mënyrë që të mund të kryejë detyra të niveleve dhe situatave me vështirësi të ndryshme. Kujtojmë përshembull, në vitin 1999, kur kjo organizatë gjatë krizës së Kosovës ka dhënë mbështetjen e saj për ECOM (Emergency Corps Order of Malta) në kampin e refugjatëve prej 3 mijë personash. Dhe duke vijuar më tej dhënien e ndihmës në aspektin e mbrojtjes civile ndaj komunitetit shqiptar. Kështu, gjatë shpërthimit të depozitave të naftës në Shëngjin në vitin 2006, apo gjatë shpërthimit të municioneve të demontimit në Gërdec në vitin 2008 etj, “Malteser Shqipëri” ka ofruar ndihmën e saj të madhe humanitare ndaj komuniteteve përkatëse përreth këtyre zonave. Gjthmonë me profesionalizëm, organizim të mirë si dhe fleksibilitet. Ndërsa duke parë vështirësitë që popullsia në veri të vendit po ndesh në disa zona gjatë përmbytjeve në dimër, që në verën e vitit 2011 e në vazhdim, “Malteser Shqipëri” ka organizuar një fushatë sensibilizimi për masat të cilat duhet të ndërmerren nga banorët në rast përmbytjeje. Ku kjo fushatë sensibilizuese është mbështetur gjithashtu edhe nga specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik të Shkodrës. Teksa janë organizuar takime informuese mbi emergjencat gjatë përmbytjeve në 10 shkolla, 8 Qendra Shëndetësore dhe në fshatrat e prekur.
Aktivitetet e sferës sociale janë pjesë e punës së “Malteser Shqipëri” ofruar konkretisht për: komunitetet e varfra në zonën veriore, popullsinë rome dhe egjiptiane, familjet në vështirësi social-ekonomike, fëmijët me aftësi të kufizuar psikike dhe mendore, fëmijë të familjeve në nevojë apo të paintegruar në shoqëri dhe të moshuar. Ku mes aktiviteteve mund të përmenden ato që kanë lidhje me integrimin social, edukimin dhe trajnimin, trajnimin profesional, përfaqësimin dhe lobingun, këshillat ligjore, si edhe të drejtat e mbrojtjes së kategorive të lartpërmendura. Teksa shkolla – kampi veror është njëri prej aktiviteteve sociale që “Malteser Shqipëri” u ofron fëmijëve romë, egjiptianë dhe fëmijëve nga zona të thella malore jo vetëm mundësinë për të kaluar disa ditë në plazh, por edhe për të mësuar e për t'u socializuar me miq të rinj. Dhe më e rëndësishmja mbetet që këta njerëz të moshave të ndryshme dhe të mjediseve e aftësive të ndryshme e ndjejnë që dikush kujdeset për ta dhe bën diçka për të mirën e tyre.
TARGET
Grupet që ndihmon kjo
organizatë humanitare:
• Popullsinë rome dhe atë egjiptiane
• Familjet nga zonat e thella të vendit
• Familjet në vështirësi social-ekonomike
• Fëmijët me aftësi të kufizuar mendore
• Fëmijët e familjeve në nevojë apo të
paintegruar në shoqërinë e vendit tonë
• Të moshuarit dhe ata të moshës së tretë
• Familjet e prekura nga fatkeqësi natyrore