Për këto krime, para drejtësisë duhet dërguar vetë drejtësia

Nga Mentor Kikia

Zakonisht, në përplasjet me armë apo atentate me dhe pa pagesë, rrallë ndodh që njerëzit të ndjejnë keqardhje për viktimat.

Sepse i njohin, ua dinë maskarallëqet që kanë bërë.

Trafik droge, grabitje vajzash dhe shfrytëzim prostitucioni, grabitje pronash, vendosje gjobash…

Madje, kur ky soj vritet mes tyre, të tjerët thonë: U qëruan edhe ca.

Pastaj policia nuk vonon të thotë se ata janë vrarë sepse “ai” kishte vrarë “atë”, i cili ishte hakmarrë sepse i kishte “atë tjetrin”, sepse ishin prishur për drogën, sepse i kishte rrëmbyer vajzën e tezes ia kishte bërë prostitutë… sepse i kishtë marrë lokalin me pistoletë tek koka…

Përvec atyre hajvanëve që pijnë dhe vrasin gratë dhe fëmijët, apo atyre që vriten për një pemë a gardh, krimet e tjera janë thuajse të gjithë me këto motive.

Të gjithë personazhet rezultojnë të arrestuar, më pas të liruar, të dërguar në gjyq e të shpallur të pafajshëm, të dënuar e të amnistuar, të dyshuar e të paarrestuar kurrë….

Krimet më të rënda gjatë këtyre javëve të para të këtij viti janë pikërisht larje hesapesh, ose hakmarrje barbare për krime, ku krimineli vret kriminelin e padënuar.

Nëse ka një fjator që duhet dërguar para drejtësisë është vëtë drejtësia, është vetë shteti.

Krimet në Durrës, në Lushnje e Fier, në Elbasan e gjetkë, të gjithë vrasësit dhe viktima janë njerëz me dosje e një barrë krime, brenda e jashtë vendit, por që “cuditërisht” janë të lirë, të fortë dhe zotër të gjithëckaje.

Por a mjafton të jemi të qetë që horrat bëjnë drejtësi mes tyre?

Padyshim jo. Jo vetëm sepse mes viktimave mund të mbeten edhe njerëz pa asnjë faj.

Por edhe sepse paniku dhe impakti publik i krijuar nga të tilla krime është shumë i madh.

Nëse ai që vret apo të bën dëm nuk ndëshkohet, gjithkujt mund ti vijë radha ta bëjë vetë drejtësinë, edhe atij që nuk dëshiron, por që shpirti nuk ia mban padrejtësinë.

SHKARKO APP