Për një epokë të re në marrëdhëniet shqiptaro-serbe

 

Nga Nikolla Sudar

Historia e Evropës është e mbushur me ngjarje të hidhura në marrëdhëniet midis shteteve. Por aksioma universale dhe e përjetshme thekson: “Nga cilado luftë askush nuk del i fituar, sepse si fituesi, ashtu edhe i munduri do të lënë pas viktima dhe shkatërrime pa fund”. Tashmë bëmat e së kaluarës komuniste me paradokset e tyre sa të palogjikshme, aq edhe qesharake, shpesh kanë marrë karakter anekdotik. Thuhet se gjatë një darke të shtruar për nder të njërit prej personaliteteve më të shquara të demokracisë evropiane, të paharruarit Shtraus, “ideologu i Byrosë Politike”, Foto Çami i drejton një pyetje provokuese, gjoja me shaka. Duke i treguar supin e tij, dikur të plagosur gjatë luftës, mikut të madh gjerman, që kishte ardhur me misionin më fisnik që mund të mendohet: për ta nxjerrë Shqipërinë nga amullia dhe për ta bërë, pse jo, ”një Zvicër të vogël”, i thotë: “Zoti Shtraus, plumbin tuaj e kam këtu!” Burri i mençur vuri buzën në gaz dhe iu përgjigj: “Zoti Foto, Evropa e ka marrë plumbin tonë në ballë, por të kaluarën e ka hedhur pas krahëve, përndryshe nuk do të ishte e bashkuar siç është sot dhe nuk do të kishte arritur një prosperitet të tillë”. Mora shkas nga kjo përgjigje sa e thjeshtë dhe aq e zgjuar e këtij burri të madh për ta shtrirë këtë këndvështrim në marrëdhëniet me fqinjët në të gjitha sferat.

Para dy vjetësh pata rastin të jem përkthyes gjatë një konference shtypi e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, zotit Mërkiç. Njëri nga gazetarët e pranishëm i bëri një pyetje rreth problemit të Kosovës. Ky burrë i mençur i dha këtë përgjigje: “E prisja një pyetje të tillë. Unë mendoj që historinë t’ua lëmë historianëve, le ta gjykojnë ata të kaluarën, kurse ne të shohim përpara me optimizëm për t’i avancuar marrëdhëniet tona”. Shekuj me radhë Ballkani është quajtur “fuçi baroti” dhe ky realitet shumë i hidhur u ka sjellë fatkeqësi të panumërta të gjithë popujve të këtij rajoni. Por sidomos pas konfliktit të rëndë në Bosnjë dhe përpjekjeve ndërkombëtare ka një farë përparimi në marrëdhëniet e vendeve të Ballkanike, por ato janë akoma shumë larg asaj që dëshirohet dhe që është e mundur të realizohet. E kaluara e këtyre marrëdhënieve, për fat të keq, ka qenë tepër e hidhur. Ajo ka shkaktuar tragjedi të vërteta që kanë nxitur urrejtjen dhe izolimin.

Në historinë e Shqipërisë, njëra nga periudhat më të errëta do të mbetet ajo e sundimit komunist. Për afro pesëdhjetë vjet diktatura e egër e izoloi plotësisht vendin nga bota, duke e shndërruar në bunkerin më të madh në Evropë. Çmenduria komuniste shkoi deri atje saqë e bëri Shqipërinë të vetmin vend në botë pa fe. Pasojat dihen: Shqipëria u varfërua plotësisht materialisht dhe shpirtërisht. Ato, për fat të keq, do t’i përjetojmë, mbase edhe për një kohë të gjatë. Po t’i referohemi historisë, pasojat më të mëdha negative në konfliktet Ballkanike i ka provuar populli shqiptar, i cili asnjëherë nuk ka aspiruar për territore, por gjithmonë është mbrojtur. Mbase kjo përbën edhe një nga faqet më të ndritura të historisë së këtij vendi, i cili nuk i ka shkaktuar dhimbje asnjërit prej popujve fqinj. Por një pyetje serioze del në pah me tërë forcën e saj: deri kur do të vazhdojmë të vetizolohemi? Deri kur do ta shikojmë me armiqësi njëri-tjetrin? Deri kur do ta vazhdojmë këtë statukuo aspak të arsyeshme? Para disa vitesh u kërkua nga shteti gjerman që të ngrihej një varrezë kushtuar të rënëve gjatë luftës së Dytë Botërore. Siç pritej, pati edhe reagime negative nga një pjesë e opinionit publik. Vërtetë që ata ishin pushtues, por a nuk ishin njerëz? A nuk e meritonin një respekt të fundit si qenie të tilla? Dhe organet shtetërore vepruan me shumë mençuri, duke lejuar ngritjen e kësaj varreze. U kërkua nga qeveria greke ngritja e varrezave, atje ku ishin vrarë ushtarë grekë. Përsëri u veprua me humanizëm dhe ato u ngritën. Por, përse të mos shikohet mundësia të ngrihet një varrezë e tillë edhe për të rënët serbo-malazezë në Shkodër? Vërtetë atje u luftua për ta pushtuar qytetin heroik të Shkodrës, por të mos harrohet se flitet se në luftimet e 1912-13 janë vrarë shumë ushtarë serbo-malazezë, prandaj do të ishte e udhës që diku të ngrihej një varrezë e tillë, qoftë edhe simbolike, gjithnjë në aspektin human, gjë që do ta lartësonte akoma më tepër shpirtmadhësinë e popullit shqiptar. Gjithashtu do të theksoja se është detyrë, sa urgjente aq edhe humanitare e autoriteteve serbe, që të gjejnë dhe të kthejnë sa më parë eshtrat e tërë kosovarëve të varrosur në territorin serb. Askujt nuk i lejohet të luajë me ndjenjat më të thella njerëzore.

Kur flasim për situata të tilla marrëdhëniesh, vetëkuptohet se politika në këtë drejtim është më konservatore dhe më anakronike. Në këto rrethana del pyetja: çfarë mund të bëhet për ta thyer akullin dhe për të krijuar mirëkuptim dhe mirëbesim midis popujve? Dhe ja këtu na vjen në ndihmë kultura. E famshme do të mbetet aksioma: “Atje ku politika stonon, kultura çan me kurajë”. Ka pasur aty-këtu tentativa bashkëpunimi kulturor, por ato kanë mbetur sporadike. Do të ishte në nderin e dikasterit të kulturës të hartonte një strategji afatshkurtër dhe afatgjatë në këtë drejtim. Nuk mund të krijosh afërsi dhe mirëkuptim me tjetrin, po nuk e njohe nga afër. Por, për fat të keq akoma vazhdojnë “marrëdhëniet e ftohta”. Mbërriti dhe këndoi me sukses në skenën e “Klanit” këngëtari i famshëm serb Zdravko Çoliç, madje u fol se do të vinte për një koncert të plotë në Tiranë. Por pati reagime fare të pakëndshme ndaj kësaj iniciative, e sidomos ndaj artistit të mirënjohur, margaritarit të televizionit “Klan”, z. Pandi Laço, duke bërë që ardhja e këngëtarit të mos realizohet. Shkëmbimet kulturore-sportive janë premisa paraprake e të domosdoshme për mirëkuptim. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ngjarja e hidhur në ndeshjen e kombëtareve në Beograd krijoi një precedent plotësisht të panevojshëm. Por kjo ngjarje nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë shkas për të vënë në dyshim synimin për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë shqiptaro-serbe. Është në nderin e të dyja qeverive që të mos lejojnë që atavizmat e së kaluarës të bëhen pengesë në afrimin e dy popujve.

Tashmë njihen botërisht tendencat në Beograd për të mos e pranuar realitetin kosovar. Perspektiva e gjithë Ballkanit është integrimi drejt BE-s, ku, siç dihet, kufijte realë do të mbeten shenja konvencionale. Integrimi do ta bëjë formale atë që sot konsiderohet “thembra e Akilit” në marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Fusha e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë është shumë e gjerë. Shumë mirë do të ishte afrimi i universiteteve tona me ato serbe: shkëmbimi i përvojës akademike dhe i grupeve të studentëve për t’u njohur nga afër do ta thyente akullin shumëvjeçar të mosbesimit, sidomos tek të rinjtë, që janë e ardhmja e vendit. Me vlerë të madhe do të ishte bashkëpunimi i Akademive tona të Shkencave dhe shfrytëzimi reciprok i arkivave. Një fushë plotësisht e paeksploruar janë spektaklet. Të gjithë në Shqipëri i adhurojnë këngëtarët e famshëm serbë si Lepa Brena, Shaban Shauliq, Halid Beshliq, Predrag Tozovac, Snjezhana Gjurishiq, Cakana, dhe shumë të tjerë, të cilët do t’i ngrinin peshë skenat tona, ashtu si edhe artistët e mrekullueshëm shqiptarë si Eli Fara, Kastriot Tusha, Juliana Pasha, Rosela Gjylbegu, Frederik Noci, Valbona Mema, që do të entuziazmonin në kulm publikun serb. A nuk mund të organizohen spektakle televizive, filma dhe shfaqje teatrore të përbashkëta? Kaq e vështirë është që trupa të ndryshme artistike të japin shfaqje në të dyja vendet? Është për të ardhur keq që si në Shqipëri ashtu dhe në Serbi njihet shumë pak letërsia koresponduese, ky thesar i vërtetë njerëzor. Shtimi i përkthimeve reciproke do të ishte një kthesë e madhe dhe e mirëpritur. Turizmi është një fushë tjetër shumë frytdhënëse: kemi shume gjëra me vlerë për t’i treguar njëri-tjetrit dhe për të përfituar në këtë drejtim. Dhe mundësitë janë të panumërta

Me vlerë të madhe do të ishte organizimi i panaireve apo edhe i muajve të përvitshëm të kulturës në të dy vendet. Të gjitha këto iniciativa do të ndihmonin rrënjësisht në krijimin e klimës së mirëbesimit dhe te respektit reciprok midis dy popujve, po ashtu do të ndihmonin shumë edhe në zgjerimin e tregtisë (të mos harrojmë se shkëmbimet ekonomike deri në vitin 90 me ish Jugosllavinë zinin rreth 70% në plan kombëtar), por mbi të gjitha, do të ndihmonin fuqimisht mirëkuptimin në të gjithë rajonin e Ballkanit. Nëse politikanët e të dy vendeve do të niseshin nga slogani “Më shumë gjëra na bashkojnë, sesa na ndajnë”, kthesa do të bëhej pa vonesë dhe do të ishte shumë shpresëdhënëse. Një nga cilësitë më pozitive të popullit shqiptar është dashamirësia. Mbase duket fakt i thjeshtë, por shumë kuptimplotë është pranimi pa komplekse nga klubet sportive shqiptare të sportistëve malazezë e serbë. Pikërisht një frymë e tillë dashamirëse duhet kultivuar edhe në Serbi apo gjetkë. Shqiptarët janë humanistë të mëdhenj dhe nuk e njohin paragjykimin, prandaj ky virtyt i ka bërë të njohur edhe në botë. Me këtë rast do të përmend disa fakte shumë kuptimplote.

Gjatë viteve 80 të shekullit të nëntëmbëdhjetë me qindra familje boshnjake, për t’i shpëtuar sundimit austrohugarez, mbërritën në Durrës dhe u vendosën në periferi të Shijakut, afër lumit Erzen. Vendasit i mirëpritën, u dhanë tokë, i ndihmuan me të gjitha mundësitë. Me kalimin e viteve boshnjakët u bënë banorë të denjë të kësaj treve dhe krijuan raporte të mrekullueshme me vendasit, pa prekur asnjëherë gjuhën dhe traditat e të parëve të tyre. Askush deri më sot nuk ua ka përmendur atyre në Shijak detyrimin për tokën. Sot ky komunitet i mrekullueshëm po i thellon akoma më tepër traditat e veta dhe është bërë faktor i madh miqësie me popullin boshnjak. Po kështu gjatë luftës mjaft familje hebreje u strehuan dhe u morën në mbrojtje në këtë qytet të vogël, por me histori të madhe. Banorët bujarë dhe atdhetarë të fshatit Rreth të Shijakut ndihmuan me ushqime dhe veshmbathje robërit malazezë të izoluar nga fashistët në territorin e aerodromit ushtarak. Madje disa prej tyre arritën edhe të arratiseshin. Në tetor të vitit 1940 fashistët internuan familjen time malazeze në Shijak. Por madhështia e shijakaseve, mbase më humanitarët në tërë vendin, do të shfaqej me gjithë forcën e vet. Atdhetarë dhe humanistë të paharruar si Qazim Domi e Sulë Zalla (të dy “Mësues të popullit”), tregtarë shpirtmëdhenj si Abdulla Gashi e Cen Kruja, kryeplaku i urtë Ibrahim Kërtalli, mjeshtrat Ali Dashi, Kost Toçi dhe Dhimitër Dika, jo vetëm që e morën në mbrojtje familjen time, duke rrezikuar veten e vet, por e mbajtën gjallë gjatë gjithë periudhës së luftës, megjithëse autoritetet komuniste më pas do të na shihnin gjithmonë me dyshim. Familja ime do t’i jetë gjithmonë mirënjohës popullit të mrekullueshëm të Shijakut, të cilit I detyron jetën. Diktatura e denigroi këtë qytet dhe e shndërroi në vend internimi për kundërshtarët e vet, megjithatë qytetarët e thjeshtë i mbajtën afër dhe i respektuan me dekada të persekutuari antikomunistë. Me plot kuptimin e fjalës mund të them se në kurorën e virtyteve më të mira njerëzore të popullit shqiptar, Shijaku zë vend nderi. Përjetësisht do të përmendet thënia-lapidare e Nolit të madh: “Nëse do mik për merak / Shko se e gjen në Shijak”. Evidentimi i traditave më të mira të popullit shqiptar dhe të Ballkanit, afrimi në të gjitha fushat i tyre, do të ishte në të mirë të këtij rajoni të shumëvuajtur, si edhe faktor i rëndësishëm stabiliteti në Evropë.

*Përkthyes dhe historian

SHKARKO APP