Perandorët e fundit
Një fantazëm vërtitet nëpër histori. Eshtë fantazma e Perandorit të Fundit. Jo, nuk e kemi fjalën për Pu Yi-në, sovrani fëmijë që qëndroi i fundit në fronin kinez, i cili u bë i famshëm prej filmit Perandori i Fundit në 1987 nga Bernardo Bertolucci. Apo më mirë, jo vetëm ai. Edhe pse Pu Yi-së – formalisht në detyrë deri në 1945 – i takon titulli “i fundmi i të fundmëve“. Në fakt ka një tjetër perandor ende zyrtarisht në fron: japonezi Akihito. Por ajo e Japonisë është një perandori sa për të thënë: nuk përfshin popuj të tjerë përveç atij japonez dhe sovrani i saj nuk ka një pushtet absolut dhe hyjnor që nga viti 1946. Të gjithë perandoritë e mëdha që në historinë e njerëzimit janë shembur herët a vonë apo janë shpërbërë, kanë patur gjithësesi në krye të tyre një perandor pa të ardhme. Cfarë i bashkon dhe çfarë i dallon këta “të fundëm të mëdhenj”?
Shfaqje
Perandorët e fundit, edhe ata më të largëtit në hapësirë dhe në kohë, janë etiketuar shpesh herë si të pavend dhe me diçka të përbashkët: nuk kishin pikë peshe. Përveç atyre që ishin të parët dhe të fundit në të njëjtën kohë sepse perandoritë që themeluan morën fund bashkë me ta (Aleksandri i Madh dhe Napoleoni, për shembull) kjo është boll e vërtetë nga pikëpamja historike.
Në shumë raste, pesha e pakët politike vinte prej moshës së re. Kur Romul Augusti hipi në fronin e Perandorisë romake të Perëndimit ishte viti 475 pas Krishtit dhe ai ishte 12 vjeç, maksimumi 14 vjeç (për këtë arsye hyri në histori si Augustoli (Augusti i vogël). Në emër të tij qeverisi i ati Flavio Oresti, që ishte një barbar dhe kështu që nuk mund të aspironte për këtë detyrë (nëna e Romulit ishte me gjak romak). Në çdo rast zgjati shumë pak (as edhe një vit). Kur gjermani Odoakri e dëboi pa emëruar asnjë pasardhës ai e konsideronte Romulin kaq të parrezikshëm saqë i kurseu jetën duke e dërguar në Napoli. Por në fillim e bëri të firmosë një letër për Zenonin, perandor i Lindjes me qendër në Kostandinopojë, ku thoshte se mjaftonte vetëm një perandor.
Edhe më i ri në moshë ishte Pu Yi (1906-1967) kur u kurorëzua në dhjetor 1908: për ata pak më shumë se tre vite gjatë të cilëve mbretëroi kujdestar i tij ishte i ati, dhe pas këtij u shpall republika dhe u arkivua Perandoria e Kaltër. Perandori fatkeq u rikthye në fron edhe dy herë të tjera, por gjithmonë me një rol si kukull: herën e parë kur ishte nëntë vjeç, në 1917, në një tentativë për rikthim që zgjati 11 ditë; hera e dytë në 1934, në Mançurinë e pushtuar nga japonezët. Vdiq pa lindur fëmijë, pra pa lënë as pretendentë për fronin.
Dembel
I papërshtatshëm “për zgjedhje” ishte në fakt Nikolla II Romanov, cari i fundit. Udhëhoqi perandorinë ruse për 23 vjet, por që në fillim me një bindje të pakët. Thuhet se përpara kurorëzimit, që ndodhi në vitin 1896, i kishte rrëfyer një kushëririt të tij: “Nuk jam gati për të qenë një car. Nuk kam dashur asnjëherë të jem”. Ky refuzim do të manifestohej në një preferencë për një jetë të tërhequr dhe ngrohtësinë familjare, që e bënte carin shumë të ndikueshëm. Në fakt, për çështje shtetërore herë pas here besonte në personazhe të ndryshëm të oborrit: nga konservatorët tek progresistët e deri tek murgu-shërues shumë i dyshimtë, Rasputin. Kur në shkurt të vitit 1917 shpërtheu revolucioni, ai e mësoi shumë ditë më vonë. Bëri më pas një seri gabimesh që Romanovët i paguan me jetën e tyre në Ekaterinburg, ku familja mbretërore u pushkatua nga bolshevikët, në 17 korrik 1918.
Anakronikë
Në po të njëjtat vite po perëndonte një tjetër perandori shumëshekullore, ajo otomane. Aventurën e saj e mbylli Mehmeti VI. Ashtu si “kolegët” romak dhe kinez ai zgjati shumë pak, vetëm katër vite. Por sulltani i 36 dhe i fundit nuk ishte aspak një fëmijë: në vitin 1918 festonte 57 vjetorin. Pasi kish marrë rastësisht fronin nga vëllai i tij Mehmeti V (trashëgimtari ishte vetëvrarë), ai vetë do ta quante ngjitjen në fronin e Stambollit “të papritur”. Ajo e Mehmetit VI ishte një mbretëri e shurdhët. Trashëgoi humbjen e rëndë turke në Luftën e Parë Botërore dhe pranoi kushtet e dorëzimit shumë të vështira, që shkaktoi edhe reagimin e lëvizjes së turqve të rinj udhëhequr nga Mustafa Qemal Ataturku. Prej këtu erdhi shfuqizimi i sulltanatit si dhe lindja në 1923 e Republikës turke. Mehmeti do të vdiste në mërgim në vitin 1926 në Sanremo.
Pakujdesi inkase
I vetmi “i fundëm” që duket se ka shpëtuar nga një gjykim historik negativ është Atahualpa, sovran i perandorisë inkase, më e madhja mes perandorive parakolumbiane. Edhe ai, me thënë të vërtetën, ishte “inka” (perandor) për vetëm një vit. Por e bëri në kulmin e forcave (ishte 36 vjec) dhe si protagonist. Hipi në fron pasi kishte triumfuar në një luftë civile dhe kishte bashkuar dy pjesët që ishte ndarë perandoria. Pavarësisht kësaj u mposht në fushëbetejë nga konkuistadorët, në një prej disfatave ushtarake më të rënda që ka njohur historia.
Mendohet shpesh që indianët u dorëzuan para spanjollëve sepse i quanin hyjni që, sipas profecive të lashta, do të vinin nga deti për të sjellë fundin e botës, apo më saktë atë të mbretërisë inkase. Kjo është e pavërtetë, të paktën në rastin e inkasve. Eshtë e vërtetë që në një moment të parë, kur konkuistadori Francisco Pizarro kishte nisur marshimin e tij në Peru, në vitin 1532, emisarët e Atahualpas kishin mbetur shumë të habitur prej anijeve, pushkëve dhe kuajve (që në Amerikë nuk ishin parë asnjëherë). Por më pas u vetëdijësuan se ata “shkopinj që bënin zhurmë” rikarikoheshin me ngadalë, që katërkëmbëshit ishin vetëm mjete transporti që komandoheshin nga qenie njerëzore normale. Gabimi i Atahualpas nuk ishte që i mbivlerësoi, por që i nënvlerësoi. Ndonëse kishte 80 mijë ushtarë që do të mundnin të dëbonin pak spanjollët e mbërritur, perandori u paraqit në një ftesë për drekë të Pizarros bashkë me disa dinjitarë të tij të paarmatosur. Të cilët u vranë prej europianëve, që besonin që mund të merrnin peng mbretin, duke mbajtur nën kontroll perandorinë.
Shenja të këqia
Që shumë mbretërime në përfundimin e tyre janë shoqëruar nga parathënie ogurzeza nuk është një ekskluzivitet i perandorive parakolumbiane. Perandorët e fundit kanë jetuar kohëra pasigurish të mëdha, në krye të perandorive që kanë qenë shpesh herë hija e vetvetes: nuk është për t’u habitur që shenjat për fundin e afërt shumëfishoheshin.
Të qënurit të udhëhequr nga një perandor që quhej Romul August, pra si mbreti i parë i Romës dhe si perandori i parë i saj, ishte për romakët një shenjë e keqe: zgjedhja e atij emri u interpretua si shenjë e një cikli që ishte i destinuar të mbyllej. Dëshira për të larguar atë frikë shkaktoi ndoshta lindjen e një legjende e cila do të bëhej shumë popullore në Europë (që do të frymëzonte best sellerin e Valerio Massimo Manfredi “Legjioni i fundit”): arratia me fat e Romul Augustit deri në Britania, e ndjekur nga një betejë pas të cilës shpata që i përkiste Jul Cezarit do të ngulej në një shkëmb dhe prej ku do të lindte një linjë pasardhësish pjesë e të cilës ishte dhe mbreti Artur.
Jashtë vendi
Pra, fundi i një perandorie është gjithmonë një traumë. E pastaj, nëse koka e kurorëzuar nuk qëndron në vendin e vet, e paguajnë të gjithë. Romul Augusti ndodhej në jug të Italisë kur u largua nga froni; gjatë revolucionit të shkurtit Nikolla II qëndroi në rezidencën e tij 30 kilometra larg nga kryeqyteti Shën Petërsburg; pasi lindi qeveria e Ataturkut në Ankara (në Turqinë aziatike) Mehmeti VI vazhdoi të mbretërojë indiferent në Stamboll; republika kineze u shpall në Nanking, ndërkohë që Pu Yi mbeti në Pekin.
Sa për Atahualpan, nuk vuri asnjëherë këmbë në Cuzco, kryeqytet. Luftoi gjetkë dhe Pizarro e mbajti të burgosur në Cajamarca. Por ndryshe nga të fundmit e tjerë, luajti një rol të dorës së parë. Konkuistadori mori një shpërblim të madh në flori duke premtuar ta lironte. Nuk e mbajti fjalën dhe në 1533 u pagëzua dhe më pas u ekzekutua. Me vdekjen e tij, për inkasit, fundi i perandorisë shënonte me të vërtetë fundin e një bote.
Kublai Khan
Nga Mongolia në Kinë (1215-1294)
Luftëtari mongol Genghis Khan në vitin 1206 themeloi perandorinë me shtrirje më të madhe në histori: përfshinte të gjithë Azinë dhe pjesë të Europës lindore. Kur në vitin 1259 pasardhësi i tij, khani i madh Mongke ndërroi jetë shpërtheu një luftë për pasardhësin që pa Kublain të fitonte ndaj vëllait në 1264. Perandori i ri mongol e kuptoi shumë shpejt se nuk mund të drejtonte një mbretëri kaq të madhe. Atëherë e ndau territorin në katër pjesë, duke mbajtur për vete Kinën, të cilës i kish përqafuar kulturën që e admironte, si dhe titullin khan i khanëve. Ishte pra i fundit, por edhe i pari: me të përfundoi perandoria mongole dhe nisi dinastia mongolo-kineze e Yuanëve, që do të vazhdonte deri në 1368.
Konstandini XI
Paleologu i fundit (1405-1453)
Lindur nga ndarja e zotërimeve romakë që u kërkua nga Theodhosi në 395, perandoria romake e lindjes me kryeqytet Kostandinopojën (Bizanti i lashtë) u shndërrua në perandori bizantine në 610, kur u riformua. Ishte perandoria më jetëgjatë, por perandori i saj i fundit është ndër më të panjohurit. Kur Konstandini XI Paleologu u bë perandor, në 1449 ai ishte pak më shumë se kryebashkiaku i kryeqytetit. Dhe pak më vonë do të humbiste edhe atë rol. E megjithatë, para se të fundosej do të provonte gjithcka. Përparimi i perandorisë otomane ishte i pandalshëm. Konstandini tentoi fillimisht që të bëhej aleat me latinët e urryer, duke iu nënshtruar autoritetit papnor. Më pas u përpoq të joshë sulltanin Mehmeti II me dhurata e premtime. Në fund nuk i mbeti vec të vdiste duke luftuar, gjatë rrethimit turk të qytetit në 1453. Duke u bërë shenjt dhe martir për kishën ortodokse.
"Storica"