“Perandoria ime e vogël”, sovraniteti i shpirtit në poezinë e Natasha Lakos

Nga Albert Vataj
Në një kohë kur pushteti matet me territore, ndikim dhe zëra të lartë, Natasha Lako na fton të ndalemi e të dëgjojmë një tjetër lloj trumbete, atë të shpirtit që ndërton perandorinë e vet të vogël, të heshtur, por të pathyeshme të fjalës së temperuar në rrahje zemre. Poezia e saj “Unë dhe perandoria ime e vogël” është një akt poetik i sovranitetit të brendshëm, një shpallje e pavarësisë së imagjinatës përballë realitetit të zhurmshëm dhe shpesh të dhunshëm.

Në këtë poezi, perandoria nuk është një shtrirje gjeografike, por një hapësirë intime, e ndërtuar me ëndrra, tinguj dhe kujtime. Ajo është një lodër pa fund, një metaforë e fuqishme për një botë që nuk lodh kurrë, që nuk shteron, që nuk ka nevojë për pushtim, por, vetëm për dashuri. Në këtë univers poetik, Lako nuk kërkon të sundojë botën, por të shpërfaqi veten përmes saj. Ajo nuk lakmon floririn e kontinentëve të rinj, si mbretëresha e Spanjës, por një majë mali me borë të përjetshme, një dëshirë që nuk kërkon pasuri, por përjetësi.
Fantazia, në këtë poezi, nuk është një arratisje nga realiteti, por një mënyrë për ta përballuar atë. Ajo zëvendësohet me buçimën e kushtrimit që burojnë nga bisedat e përditshme, një mënyrë për të treguar se edhe banaliteti i jetës mund të kthehet në poezi, nëse dëgjohet me veshët e shpirtit. Ëndrrat, në vend që të jenë të largëta e të paarritshme, shfaqen si tinguj, të pranishëm, të gjallë, të përditshëm.
Por kjo perandori e vogël nuk është e shkëputur nga historia. Ajo e njeh dhunën, e njeh luftën, e njeh krismën që shoqëron lindjen dhe dasmën, një realitet shqiptar, ku gëzimi dhe dhuna janë shpesh të ndërthurura. Lako e sheh këtë si një paradoks tragjik, njerëzit nuk e kuptojnë fitoren pa parë çfarë kanë vënë nën gjunjë. Dhe ajo, me një akt poetik të fuqishëm, “vë në gjunjë Himalajën”, jo për ta pushtuar, por për ta bërë të sajën, për ta kthyer në Korab e Tomorr, në male të dashura, të njohura, të qeta.
Në këtë mënyrë, poezia e Natasha Lakos bëhet një akt i qartë i përvetësimit poetik të botës. Ajo nuk kërkon të ndryshojë realitetin me forcë, por ta rimodelojë përmes gjuhës, përmes kujtesës, përmes dashurisë. Perandoria e saj është një hapësirë ku historia, fantazia dhe përditshmëria bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë, por të bukur.
Në një botë që shpesh e mat vlerën me madhështi të jashtme, kjo poezi na kujton se perandoritë më të mëdha janë ato që ndërtojmë brenda vetes, me fjalë, me ëndrra, me kujtime, me dashuri. Dhe ndoshta, siç sugjeron Lako, vetëm atëherë mund të qetësohemi, dëshmojmë shpirtdlirë se kemi mbërritur përmbushjen e lartësuar të ndjenjës dhe përjetimit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?