Përballë me krokodilin që më hëngri gruan
Katër muaj më parë, Demeteriya Nabire u vra nga një krokodil, kur shkoi pranë një liqeni për të mbushur ujë. Kafsha u kthye më vonë në atë zonë, por gjeti aty në pritje të shoqin e Nabires, gati për hakmarrje
Nga Jason Caffrey, BBC
Demeteriya Nabire ishte buzë ujit me një grup grash nga fshati- ato ishin duke mbushur ujë në liqenin Kyoga në Ugandë, kur krokodili e mbërtheu atë. E tërhoqi zvarrë dhe ajo nuk u pa më kurrë.
I shoqi i saj, Mubarak Matambuze, u shkatërrua nga lajmi. Nabire ishte shtatzënë kur vdiq. Ai ndjehej i pafuqishëm. Por muajin e shkuar dëgjoi se krokodoli ishte kthyer.
“Dikush më telefonoi dhe më tha ‘Mubarak, kam lajme për ty- krokodili që të mori gruan është këtu’”.
Peshkatari 50- vjeçar shkoi tek liqeni me disa miq.
“Ishte një monstër shumë e madhe dhe tentuam që të luftojmë me të me gurë dhe shkopinj. Por nuk ia dilnim”.
Atëherë ai shkoi tek një farkëtar vendas.
“I shpjegova se po luftoja me bishën që më rrëmbeu gruan dhe beben e palindur. Vërtet doja hakmarrje dhe i kërkova të më bënte një heshtë, me të cilën të vrisja krokodilin”.
“Më kërkoi 5 dollarë dhe e bëri heshtën”.
Ishte një shumë e madhe parash për të, por ai ishte i vendosur që të vriste kafshën që i kishte rrëmbyer të ardhmen.
I armatosur me heshtën e re, ai u nis për sulm.
Kur ishte pranë ujit, krokodili ishte aty.
Miqtë e Batambuzes u frikësuan.
“Të lutem mos e sulmo bishën. Është kaq e madhe sa mund të të hajë. Heshta nuk mjafton- nuk do e bësh këtë punë”.
Por ai insistoi që ata të qëndrojnë.
“Nuk jam i shqetësuar nëse vdes duke vrarë këtë bishë”.
Një roje i Autoritetit për Jetën e Egër në Ugandë tha se krokodili ishte rreth katër metra dhe peshonte 600 kg.
Ai lidhi një litar në fund të armës, në mënyrë që ta lidhte diku pasi të godiste krokodilin.
Në këtë mënyrë gremçi në majë të heshtës do e priste më fort mishin e kafshës.
“Miqtë e mi po hidhnin gurë, ndërsa unë po përpiqesha që bisha të hapte gojën dhe të më sulmonte.
U bë e dhunshme dhe kishte shumë frikë. Por isha i vendosur.
E doja të ngordhur dhe ia ngula heshtën në një anë dhe tërhoqa litarin.
Këtu nisën telashet për krokodilin”.
U desh një urë e gjysmë për Batambuzen dhe miqtë e tij që të luftonin me kafshën, derisa ajo ngordhi.
Të lodhur, u kthyen në fshat.
“Ishim të shokuar.
Ajo që na habiti ishte se sa e madhe ishte kafsha.
Nuk ishte një krokodil i zakonshëm. Njerëzit po më thërrisnin hero mua dhe miqtë e mi”.
Kafsha e ngordhur u dërgua në një universitet në Kampala, ku po ekzaminohet.
Një veteriner tha se brenda në stomak iu gjet një kockë e fyellit të këmbës, por ndërsa ai beson se është njerëzore, kjo ende nuk dihet me siguri.
Një ekspert i krokodilëve thotë se do ishte e habitshme nëse do kishte kocka të Nabires në stomak.
“Pas 12 javësh, në kushte normale, nuk do kishte shumë gjasa që kockat t’i mbeten në stomak,” tha ai.
Por ndërsa Batambuze festohet si hero, ai thotë se nuk do ketë një varr për të vajtuar të shoqen.
“Brenda vetes jam një njeri i dëshpëruar,” tha ai.