Përfundon mbledhja e Kryesisë së PD, Berisha: Do të mbështesim kandidatë të pavarur
Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, pas së cilës ish-kryeministri Sali Berisha doli në një prononcim për mediat. Ai deklaroi se kandidatët e opozitës për zgjedhjet vendore nuk duhet të jenë figura politike, por përfaqësues nga shoqëria civile.
Berisha theksoi se opozita do të marrë në konsideratë edhe kandidatë të pavarur, nëse këta konsiderohen të rëndësishëm për fitoren ndaj mazhorancës.
“Ishte një mbledhje e veçantë, pati një diskutim të gjatë të përgjegjshëm, të lirë. U shprehën mendime gjerësisht për problematikat. Ajo që predominoi dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë është që PD ndonëse ka kandidatura kalibri pa asnjë lloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura.
Do konsiderojmë me seriozitetin me të madh kandidatë të pavarur, të cilët garojnë si të tillë dhe konsiderohen të nevojshëm për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së, besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë edhe forca të tjera opozitare. Kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës por edhe në bashki të tjera. Ky është një moment për të gjithë ata qytetarë specialistë e ekspertë që ndjehen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Ramës të matin forcat e tyre në interes të qytetarëve.
Kandidati i pavarur është i pavarur kur deklaron veten por edhe të propozuar, asgjë nuk do lihet jashtë konsideratës. Duhet të jemi realistë në historinë e modeleve elektorale, të pavarurit e mbështetur nga forcat politike kanë regjistruar suksese të papritura,” u shpreh Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

