Përgjakjet e Francës nga terrorizmi

Historia terrorizmit në shtetin më të sulmuar të Europës Perëndimore. Që nga atentatet algjeriane në vitet ‘60-të, e deri tek masakra e Charlie Hebdo

Nga Iv Kaloçi*

Ora 11.00 e paradites së 7 Janarit 2015, do të shënonte padyshim një nga ditët më tragjike dhe më të kobshme të historisë qindra-vjeçare të shtetit francez. Dy terroristë të armatosur me automatikë kallashnikov dhe pushkë shotgun do të hapnin zjarr pa paralajmërim mbi godinën e redaksisë së gazetës satirike të mirënjohur franceze Charlie Hebdo. Pasojat do të ishin katastrofike, 12 të vrarë midis të cilëve 5 karikaturistët më kryesorë të saj; Jean Cabu, Stephanne Charbonnier, Phillipe Honnore, Bernard Vorihac, dhe George Wolinski. Gjithashtu nga ky sulm terrorist do të humbnin jetën dhe 7 persona të tjerë punonjës dhe 2 punonjës sigurie të së përjavshmes satirike Charlie Hebdo. Sulmi rezulton se është realizuar nga dy vëllezër franko-algjerianë Said dhe Cherif Kouachi, të cilët më parë kishin qenë pjesë e celulave terroriste të Al-Qaeda-s dhe ISIS-it në Irak dhe Siri. Sipas të dhënave të policisë dhe shërbimit sekret francez, sulmi barbar mbi redaksinë e gazetës humoristike, kishte kohë që po përgatitej të vihej në zbatim nga vëllezërit Kouachi. Por si të mos mjaftonte ky sulm, disa orë më pas po në kryeqytetin francez, një tjetër shtetas franko-algjerian ka qëlluar mbi një patrullë policie duke vrarë një efektiv si dhe duke plagosur kolegen e tij. Një tjetër shpërthim i fuqishëm do të dëmtonte rëndë një restorant dhe një xhami në periferi të Parisit. Por siç u vërtetua më vonë, këto dy sulme nuk kishin të bënin me masakrën e Charlie Hebdo-së. Këto ngjarje me sfond terrorist dhe specifikisht atë fondamentalist islamik, do tu kujtonin francezëve 11 Shtatorin e SHBA-së, 11 Marsin e Spanjës, dhe 7 Korrikun e Britanisë së Madhe, ose më keq akoma do t’i kthenin ata pesë dekada e gjysmë përpara në muajt e tmerrshëm të viteve 1961-1962, kur Parisi elegant dhe i magjishëm, do të kthehej në një fushë-betejë masive siç ndodh sot rëndom në Baghdad dhe Damask. Pikërisht në periudhën kohore të fillim viteve ‘60-të, Franca do të tronditej nga sulmet e ndryshme dhe demonstratat e përgjakshme të grupeve militante terroriste algjeriane e njohur ndryshe si Fronti i Çlirimit Kombëtar (një përzierje tragjike e militantëve islamikë dhe komunistëve algjerianë) dhe forcave të milicisë (policisë) dhe ushtrisë franceze të udhëhequr nga Charles De Gaulle, askohe President i Francës. Këtu do të niste dhe zanafilla e urrejtjes dhe konfliktit midis francezëve dhe algjerianëve, një konflikt i disavjeçar i cili me sulmin e fundit terrorist mbi Charlie Hebdo, rezultoi se nuk është mbyllur akoma. Vetë politika dhe shoqëria franceze, nuk e ka marrë veten akoma nga konflikti katastrofik dhjetë vjeçar me Algjerinë, ish-koloninë më rebele dhe më të pabindur të saj. Por absolutisht, nëse masakra e 7 Janarit mbi redaksinë e gazetës kishte të bënte me karikaturat dhe pamfletet mbi profetin Muhamet dhe Islamin, masakrat më tragjike midis francezëve dhe algjerianëve do t’i kishin rrënjët në nacionalizmin islamik algjerian dhe atë perëndimor francez. Algjeria, për rreth 132 vjet do të ishte nën dominimin e ashpër kolonial francez, çka do të çonte vetvetiu në një situatë të përhershme të tensionuar midis grupeve guerilase algjeriane të Frontit për Çlirimin Kombëtar e udhëhequr nga Abdelhaziz Bouteflika, Ahmed ben Bella, dhe Houari Boumedien themeluesit e shtetit modern të Algjerisë, dhe forcave paramilitare e ushtarake franceze të komanduara nga Charles De Gaulle, Raoul Salan, Jacques Massu, e Paul Aussaresses. Ndër vazhdën e sulmeve dhe demonstratave të përgjakshme midis algjerianëve dhe francezëve në fillimin e viteve ‘60-të, do të rezultonin të rënda dhe fatale ato në kryeqytetin Paris; më 18 Qershor dhe 17 Tetor të vitit 1961, si dhe ajo e Oran-it në Algjeri më 5-7 Korrik të vitit 1962, që do të çonte ironikisht në shpalljen e pavarësisë së Algjerisë dhe tërheqjen përfundimtare të trupave franceze nga Algjeri. Më 18 Qershor të vitit 1961, pak para përfundimit të luftës me Algjerinë dhe firmosjes së një armë-pushimi midis palëve kundërshtare një bombë shpërthen në trenin e linjë Strasbourg-Paris duke lë të vdekur 28 persona si dhe duke plagosur rreth 100 të tjerë. Ky sulm që minonte ndjeshëm marrëveshjen e brishtë të paqes ndërmjet Parisit dhe Algjerit, u ndërmor nga organizata paramilitare e djathtë franceze OAS, kundërshtare e flaktë e çdo lloj marrëveshjeje që do të lejonte krijimin e një shteti islamik algjerian. Rreth 4 muaj më pas, 200.000 algjerianë dhe pacifistë francezë ndërmorën një demonstrate paqësore por të paligjshme në rrugët e Parisit kundër dhunës dhe vazhdimit të mëtejshëm të konfliktit me Algjerinë. Por edhe kjo demonstratë do të degjeneronte në dhunë dhe kaos pas përleshjeve të protestuesve algjerianë dhe forcave të milicisë e ushtrisë franceze të udhëhequr nga Maurice Papon, një ish-anëtar i të djathtës ekstreme franceze autor i deportimit të hebrejve të Parisit në kampet naziste dhe Paul Ausseress eksponent i OAS-it. Rreth 100 persona do të humbnin jetën dhe mbi 1000 do të plagoseshin rëndë. Shumica e trupave të protestuesve algjerianë u hodhën në lumin e Senës në urën e Saint-Michel, një vend që edhe sot ka mbetur si simbol i arbitraritetit të pazakontë të policisë franceze. Me qindra të tjerë do të vdisnin më pas si pasojë e plagëve të marra në rajonet e policisë. Kjo ngjarje ka mbetur si një njollë turpi në historinë moderne të shtetit francez (e vetmja demonstrate e shtypur me dhunë në Europën Perëndimore), derisa liderët e mëvonshëm të Francës si Nicholas Sarkozy dhe ai aktual Fransois Hollande, do të kërkonin falje.

Si shenjë hakmarrjeje ndaj viktimave algjeriane të masakrave të 18 Gushtit dhe 17 Korrikut 1961 në Paris, rebelët e Frontit për Çlirimin Kombëtar të Algjerisë do të ndërmerrnin masakrën më të rëndë ndaj shtetasve francezë në të gjithë historinë e tyre. Në qytetin e Oran-it buzë detit Mesdhe, në 5-7 Korrik të vitit 1962 rreth 4000 burra, gra, pleq, dhe fëmijë të pafajshëm Pieds-Noir (shtetas francezë rezidentë në Algjeri) do të vriteshin dhe masakroheshin rrugëve të Oran-it nga guerilasit algjerianë. Disa ditë pas kësaj masakre për arsye sigurie Parisi zyrtar do të tërhiqte përfundimisht trupat dhe banorët e tij nga qytetet algjerianë, gjë që do të pasonte më pas edhe me shpalljen e pavarësisë së Algjerisë. Por raportet e ndera ndërmjet komuniteteve afrikano-veriore myslimane specifikisht algjerianëve dhe francezëve, do të njihnin shpesh herë raporte të tensionuara në dekadat që do të pasonin. Dhe kjo për disa arsye. Së pari klasa politike franceze dhe veçanërisht e djathta ekstreme gjithmonë është shprehur kundër pranimit të emigrantëve afrikano-veriorë të rajonit të Maghrebit në territorin francez për shkak të nivelit të lartë të rrezikshmërisë dhe kriminalitetit që kjo kategori shoqërore përfaqëson sipas tyre. Së dyti pranimi i të gjithë emigrantëve afrikano-veriorë në Francë (10 përqind e popullsisë së Francës përbëhet nga arabë dhe afrikanë) sipas tyre do të çojë në rritjen e papunësisë midis shtetasve francezë dhe rrëshqitjen drejt kolapsit të ekonomisë franceze. Dhe së treti, ekzistenca e 6 milionë emigrantëve marokenë, algjerianë, tunizianë, libianë, dhe egjiptianë sipas disa segmenteve të caktuara të politikës francezë, përbëjnë një rrezik evident për përhapjen e celulave ekstremiste islamike në këtë shtet. Jo rrallë herë këto komunitete emigrantësh janë sulmuar dhe dëbuar nga grupime huliganësh francezë. Një fat të tillë kanë pësuar dhe shtetasit me origjinë hebraike. Por padyshim edhe nga këto kategori emigrantësh ka pasur gjithmonë një rritje të vazhdueshme të kriminalitetit dhe terrorizmit fondamentalist ndaj francezëve. Vetë e përjavëshmja satirike franceze Charlie Hebdo, që nga koha e krijimit të saj në vitin 1970 nga Georgies Bernier dhe Francois Cavanna, vazhdimisht nëpërmjet skicave dhe pamfletëve humoristikë të saj ka kritikuar jo vetëm elementët radikalë islamikë në Francë, por edhe ata të krishterë, hebrenj e budistë. Gjithashtu objekt i “sulmeve“ satirike të redaksisë së Charlie Hebdo-së, kanë qënë vazhdimisht edhe politikanët e së majtës dhe së djathtës franceze, duke treguar edhe një herë profesionalizmin në fushën e satires dhe humorit të kësaj gazete e cilësuar vazhdimisht nga opinioni publik francez si gazeta kampione e demokracisë dhe e mendimit të lirë. Por jo gjithmonë publikimi i karikaturave satirike të Charlie Hebdo-së ka krijuar situata humori në segmentet e shoqërisë franceze. Në harkun kohor të pesë viteve të fundit, redaksia e Charlie Hebdo-së, ka publikuar me dhjetra karikatura të Profetit Muhamed, liderëve islamikë të komuniteteve në Francë, si dhe udhëheqësve shpirtërorë të vëndeve arabe dhe afrikano-veriore. Por kjo gjë ka nxitur vazhdimisht reagimet e dhunshme të emigrantëve të religjionit mysliman në të gjithë Francën. Sulmi i parë serioz ndaj zyarve të redaksisë së Charlie Hebdo-së do të ndodhte pikërisht në 2 Nëntor të vitit 2011 pas publikimit të disa karikaturave dhe pamfleteve ku viheshin në lojë Profeti Muhamed dhe Mohammed Moussaoui, lideri islamik i komunitetit afrikano-veriorë në Francë. Në kopertinën e gazetës do të shkruhej Charia Hebdo (Charia-ti njihet ndryshe dhe si kushtetuta islamike e vendeve arabe). Pikërisht pas këtij publikimi, celulat radikale islamike do të hakeronin faqjen zyrtare të saj si dhe do të hidhnin lëndë plasëse në ambientet e jashtme të gazetës fatmirësisht pa shkaktuar viktima. Por sulmi i katër viteve më vonë, ai i 7 Janarit 2015, do të ishte fatal për punonjësit e kësaj gazete. Por ajo që do të ngelet në mendjen e mbarë opinionit publik francez dhe atij botëror, do të jetë padyshim solidariteti i të gjithë njerëzve në mbarë botën me viktimat e fjalës së lirë nën moton JE SUIS CHARLIE (Unë jam Charli).

*Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Universiteti Evropian i Tiranës

SHKARKO APP