Përkujtohet 95-vjetori i Kongresit të Lushnjës, themelet e një shteti të pavarur
Duke nisur nga dita e djeshme qyteti i Lushnjës do të shfaqë për publikun e tij një sërë aktivitetesh të rëndësishme për të përkujtuar 95 vjetorin e Kongresit të Lushnjes, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë, ku u morën vendime të mëdha, mes të cilave edhe shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe duke bërë të ditur axhendën, ftoi të gjithë qytetarët e vendit që me 21 janar të bëhen pjesë e festimeve të kesaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë historike. Sipas kryebashkiakut, krijimi i shtetit të parë shqiptar dhe shpallja e Tiranës kryeqytet ishin momentet më të rëndësishme për fatet e Shqipërisë. Në 95-vjetorin e Kongresit të Lushnjes, dje iu dha titulli “Qytetar Nderi” akademikut Rexhep Qosja dhe Konsullit britanik Eden, ndërsa më datë 21 janar, duke nisur që nga ora 10.00, Bashkia e qytetit do të ketë pritje për qytetarët. Në orën 10.30 do të mbahet përurimi i Monumentit të Kongresit të Lushnjës, duke vijuar me vizitë në Shtëpinë e Kongresit të Lushnjës dhe për të përfunduar me një takim solemn në Qendrën Kulturore “Vaçe Zela”. Kongresi i Lushnjës miratoi një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Ai u mbajt në shtëpinë e patriotit lushnjar Kaso Fuga, ku morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria, qëllimi i të cilëve ishte studimi i situatës së brendshme e të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin e Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës ka peshën dhe përmasat e një rëndësie të veçantë për historinë tonë kombëtare. Në punimet e tij, kongresi mori vendime të rëndësisë së veçantë, si ato për organizimin e një kryengritje të përgjithshme popullore kundër pushtuesve të huaj, të cilat pretendonin copëtimin dhe gllabërimin e tokave shqiptare. Ishin vendimet e këtij Kongresi që si rezultat pasuan me lindjen e lëvizjes së fuqishme mbarëpopullore në Shqipëri. Kongresi i Lushnjës punimet e veta i filloi më 28 janar të vitit 1920, të cilat zgjatën deri me 31 janar të atij muaji. Në punimet e Kongresit morën pjesë dhe e përfaqësuan vendin mbi 50 delegatë, ku përfaqësoheshin gati të gjitha viset e Shqipërisë.
Në këtë kohë Shqipëria pothuajse ishte e pushtuar nga forcat e huaja me synime grabitqare, ndërkaq “Konferenca e paqes”, e cila u mbajt në Paris (më 18 janar 1919), duke përmbushur ambiciet e mbretërive gllabëruese, miratoi dhe mbështeti pretendimet e tri monarkive fqinje, atë të Italisë, Greqisë dhe Serbisë përkatësisht mbretërisë SKS, për ta ndarë Shqipërinë duke refuzuar kështu kërkesat e delegacionit shqiptar për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetin e shtetit shqiptar, për të rishikuar kufijtë në favor të Shqipërisë dhe për të përfshirë brenda tyre të gjitha territoret shqiptare, të cilat padrejtësisht ia kishin shkëputur Shqipërisë më 1878 dhe më 1913. Patriotë e diplomatë shqiptarë të kohës, duke e vërejtur se ekziston rreziku real për një pushtim të plotë të Shqipërisë, si dhe duke e parë se qeveria e përkohshme shqiptare e dalë nga Kongresi i Durrësit (1918), po ndiqte politikën e nënshtrimit ndaj pushtuesve italian, vendosën që të mblidhen për të marrë hapa të mëtejmë për fatin e atdheut. Vendimet e Kongresit kishin një rëndësi të madhe historike por edhe politike për Shqipërinë që hodhën poshtë planet antishqiptare të “Konferencës së Paqes” së Parisit dhe ku njëkohësisht u zotuan dhe u betuan që të mbrohej me çdo kusht tërësia territoriale e shtetit shqiptar. Kongresi i dërgoi një letër-protestë kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris ku thuhej prerë se: “Ne shqiptarët jemi gati që të derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë territoriale, sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë!” Në të njëjtën kohë u miratua edhe akti kushtetues ku u përcaktua sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar, të paraqitura nga organet e zgjedhura që do të kryenin funksionin e kryetarit të shtetit, derisa ky të caktohej përfundimisht nga asambleja kushtetuese. Po ashtu kongresi emëroi edhe Këshillin Kombëtar që përbëhej prej 37 vetash e që do të kryente funksionin e parlamentit. Kongresi i Lushnjës mori vendimin e duhur dhe shumë të guximshëm, duke e larguar kështu Qeverinë e Përkohshme të Durrësit nga skena politike dhe duke emëruar një Qeveri të re, e cila do të kryesohej nga Sulejman Delvina. Qeveria e Delvinës iu kundërvu me sukses politikës shoviniste të shteteve fqinje. Ajo bashkoi nën një pushtet të vetëm pjesën dërmuese të vendit, duke e udhëhequr me sukses luftën për çlirimin e plotë të tokave tona.
ryeqytet i Shqipërisë. Kongresi është ngjarje e një rëndësie të veçantë historike për kombin tonë, e cila tregoi se me një bashkim të mirëfilltë e të përgjithshëm kombëtar, liria është e arritshme. Mbajtja e Kongresit të Lushnjës, pa harruar të tjera ngjarje me peshë historike, përbën një tjetër periudhë të shënuar të konsolidimit të shtetit shqiptar.