Përmbyten 90 banesa në Kurbin, tërhiqet uji nga 48 shtëpi në Durrës! Janë 5 familje janë të evakuara
Situata me reshjet vijon me probleme. Për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Mamurras, raportohen prani uji në 50 banesa në Mamurras dhe 40 në Milot. 5 familje janë evakuuar, njëra me 5 anëtarë në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë, 4 familjet e tjera në njësinë administrative Zejmen, në Lezhë të cilat janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore pasi uji ishte futur në banesat e tyre.
Në fshatin Zhejë të Kurbinit, kanalet e vaditjes dhe ato kulluese kanë dalë nga shtrati dhe vërshojnë në rrugët e fshatit, në oborre e toka bujqësore. Uji ka ardhur me furi duke marrë përpara dhe makinat që i ka përplasur nëpër pemë. Dëmet janë të mëdha si në banesa ashtu dhe biznese.
Në Manzë të Durrësit u raportua se në 48 banesa ka pasur prezencë të konsiderueshme të ujit, kryesisht në fshatrat Hamallas dhe Manzë, ndërsa situata është normalizuar shpejt ku dhe ujërat janë tërhequr. Në zonat periferike ka pasur dhe rrugë të bllokuara.
Në fshatin Dritë të Matit u përmbyt banesa e familjes Neli. Uji i rrëmbyeshëm shkatërroi orenditë dhe detyroi zjarrfikëset të ndërhyjnë për te evakuuar 8 anëtarët e kësaj familje. Ata po strehohen tek të afërmit derisa situata të përmirësohet.
Për shkak të motit të keq, me shi dhe erë janë dëmtuar shtyllat elektrike dhe ka mungesë energjie në disa fshatra. Në aksin kombëtar Burrel–Milot është raportuar rënie gurësh dhe inertesh, duke krijuar rrezik për qarkullimin.
Rënie gurësh ka pasur dhe në Kukës-Bushtricë dhe Tropojë–Valbonë, por aktualisht janë të lira dhe të qarkullueshme për automjetet. Nënkalimi i rrugës në fshatin Ishull Lezhë është bërë i pakalueshëm nga prezenca e ujit. Në fshatrat e Krujës, si Bilaj, Murqine, Mallkuc ka prezencë uji në tokat bujqësore dhe rrugë.
Në Qarkun Dibër situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën, ndërsa po punohet për riparimin e defekteve.
KOHA JONË SONDAZH

