Përmbytjet, fermerët u kanë bankave 47 milionë euro kredi

Fermerët u kanë marrë bankave një total prej rreth 47 milionë eurosh kredi, ose rreth 6.6 miliardë lekësh. Një shumë kjo, e cila përkon në fakt me një pjesë fare të vogël të totalit, prej vetëm 1.6% të tij, por që nëse prej bankave të nivelit të dutë merret parasysh kërkesa e bërë dy ditë më parë prej ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, që atyre të mos u merren këstet për dy vjet, për shkak të dëmeve që kanë pësuar nga përmbytjet, ky mbetet një nivel i konsiderueshëm. Kujtojmë sakaq, se bujqësia është kthyer vetëm së fundmi në një destinacion për krditim nga bankat, teksa u pa sesi financimi i shumë projekteve të saj, siguruan fitime për mjaft fermerë apo bashkim fermerësh. Kësisoj, fondi i caktuar për të kredituar këtë sektor njohu vazhdimisht rritje, ku sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, huadhënia për bujqësinë është rritur me 9.2% me bazë vjetore për 11-mujorin 2014. Ndërsa që nga viti 2007, kur raportohen statistikat sipas sektorëve nga ky institucion, pesha e kredisë për bujqësinë është rritur nga 1.1% e totalit që zinte atëherë, duke arritur në 1.6%. E për të arritur në situatën që stoku i kredisë për bujqësi në sistemin bankar në fund të nëntorit 2014 ishte 6.6 miliardë lekë, apo rreth 47 milionë euro. Shumë kjo, e barabartë me atë që fermerët kanë investuar tashmë në bujqësi dhe duhet t’u kthejnë bankave. Por që mesa duket, kthehet në një mision të vështirë, teksa ky sektor përballet me vështirësi dhe të papritura të ndryshme, siç ishin përmbytjet e ditëve të fundit në jug të vendit, që realisht kanë shkaktuar dëmtime në një pjesë të madhe të fermave. Dhe kësisoj, megjithë dëshirën e bankave për të shtuar investimet në këtë biznes, problemet e shumta e kanë mbajtur shumë të limituar kreditimin. Kjo nisur edhe nga fakti se bujqësia si e tillë nuk garanton likuiditet apo qarkullim normal të parasë, varet shumë nga faktorët e jashtëm të natyrës, ndërsa edhe problemet me pronësinë e tokës mbeten një problem real dhe një pengesë e madhe në zhvillimin bujqësor të vendit. Pa harruar këtu as faktin e vështirësisë për t’i qarkulluar prodhimet nëpër tregje dhe të garantohet shitja e tyre.

 

KËRKESA

 

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti në një letër zyrtare drejtuar Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë në vend, ka kërkuar që të pezullohen pagesat e kësteve të kredive për bizneset agro-ushqimore dhe për fermerët e prekur nga përmbytjet. Kështu, në letrën zyrtare drejtuar bankave, Panariti ka kërkuar që të ketë pezullim të kësteve të kredive për një periudhë 1-2 vite, si dhe heqjen e penaliteteve për vonesat në këto biznese.

 

 

 

Panariti: Blegtorët do të

dëmshpërblehen nga shteti

 

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka qenë dje për të inspektuar situatën e përmbytjeve në fshatrat e Fierit, ku i ka siguruar të gjithë blegtorët se do dëmshpërblehen. “Blegtorëve u garantova që çdo kokë do zhdëmtohet financiarisht, që të kthehen në numrin e tyre të mëparshëm por edhe t’i shtojnë ato. Deri tani janë dëmtuar 40 krerë lopë, 36 mijë krerë shpendë, disa koshere blete dhe derra”, tha nga Fieri Panariti. Ai ka deklaruar prej andej gjithashtu se deri më tani janë shpërndarë 15 tonë ushqime për bagëtitë, por edhe se njëkohësisht se janë marrë masat me groposjen e bagëtive. “Kemi bërë sot dizinfektimin e  kafshëve dhe të terreneve që u bë groposja e tyre sipas standardeve të caktuara. Ndërkohë që kemi shpërndarë 15 tonë ushqime për bagëtitë e shpëtuara që kishin 72 orë pa ushqime me qëllim që të futen në ciklin e prodhimtarisë. Nga Kosova po vijnë edhe 100 tonë koncentrat hime”, deklaroi Panariti.

 

 

 

RAPORTI

 

BSH: Reshjet, ndikim

negativ për bujqësinë

 

Reshjet e shiut gjatë muajve qershor dhe korrik, kanë ndikuar negativisht prodhimin bujqësor të vitit të kaluar 2014, pohoi Banka e Shqipërisë në një analizë të bërë për komponentët e rritjes ekonomisë që karakterizuan vitin që shkoi. E duke lënë të kuptohet në këtë mënyë, se gjithashtu, edhe përmbytjet e shkaktuara në fillim të këtij viti, patjetër që do të shoqërohen me një kosto të shtuar të sektorit bujqësor. Teksa ekspertët e BSH-së shtojnë nga ana tjetër se aktivitetet e bujqësisë, gjuetisë dhe pyjeve, shënuan një rritje vjetore me 1.2% të vlerës së shtuar në tremujorin e tretë të vitit. Kjo rritje, sipas Bankës mbetet nën normën mesatare historike prej 4.6% të zgjerimit të sektorit bujqësor. Kushtet e motit nuk kanë qenë të favorshme, gjë që ka ndikuar nivelin e faktuar të prodhimit bujqësor në tremujorin e tretë. Por gjithsesi, këtë vit situata duket të jetë më ë rëndë. Teksa zonat ku është i përqendruar prodhimi bujqësar si Fieri dhe Vlora kanë pësuar dëmë të rënda në blegrori dhe bujqësi ditët e fundit. Reshjet e shumta të shiut kanë sjellë dëme të mëdha, përllogaritja e të cilave nis me tokat e përmbytura. Sipas ministrisë së Brendshme janë rreth 5 mijë hektarë tokë të përmbytura. Ndërsa nga ana e saj, Banka Botërore në raportin më të fundit për rreziqet që i kanosen botës nga ndryshimet ekstreme të klimës prej ngrohjes globale, thekson se, Shqipëria shihet si një nga vendet që do të vuajë pasojat më të mëdha të këtyre ndryshimeve. Dobësia e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë ndaj ndryshimeve klimatike është kryesisht e lidhur me prodhimin bujqësor, i cili ushqen një pjesë të madhe të popullsisë që është e varur prej të ardhurave që sigurohen nga bujqësia, citon Banka. Megjithatë, parashikimet tregojnë rritje të prodhimit për kulturat e ujitura në disa pjesë të rajonit. Rritja e temperaturave do të krijojë thatësira dhe rrjedha ekstreme të lumenjve, duke e bërë sfidë prodhimin e energjisë. Përmbytjet e fundit dhe rrëshqitjet e tokës do të cënojnë rëndë shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve.

 

5

Mijë hektarë tokë bujqësore të përmbytura vlerësohen të jenë shkaktuar sipas ministrisë së Brendshme gjatë përmbytjeve të fundit në jug të vendit

 

SHKARKO APP