Përplasja për Guvernatorin, interpretim në Kushtetuese?!

Nga njëra anë, qeveria e cila përmes kryeministrit ka deklaruar mbështetjen për kandidaten Marta Muço dhe nga ana tjetër, presidenti i cili mesa duket kërkon të thotë të tijën për vendimin final. Që të dy, bazuar në argumentimet ligjore të caktuara, njëri duke iu referuar ligjit të Bankës së Shqipërisë dhe tjetri Kushtetutës. E duke krijuar në këtë mënyrë një konflikt të bazuar në mosqartësi ligjore të zgjidhjes së tij, i cili në kësi rastesh, mund ta gjejë atë vetëm pranë organit të Gjykatës Kushtetuese, që merret pikërisht me interpretimet e kushtetueshmërisë së ligjeve apo vendimeve të caktuara të ndërmarra prej institucioneve. Një aludim ky që po flitet në qarqe të ndryshme ditët e fundit, teksa vetë kreu i shtetit përmes një deklarate të tij në media ka lënë të kuptohet se nuk tërhiqet aspak nga zgjedhja e tij për guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë. “Nuk ka përcaktim ligjor që Guvernatori të sugjerohet nga Kryeministri. Guvernatorin e propozon Presidenti dhe e miraton Parlamenti”, ka thënë ai saktësisht rreth kësaj çështjeje, i pyetur gjatë një interviste. Duke vijuar më tej me pohimin se “le të bëjë Parlamenti dhe qeveria çfarë t’u duket e leverdishme”. “Por ajo që unë si President do bëj, është se në çdo rast e çdo rrethanë do zbatoj përpikëmrisht Kushtetutën dhe ligjin”, ka insistuar kreu i shtetit lidhur me këtë situatë ngërçi të krijuar për zgjedhjen e njeriut që do drejtojë tani e tutje bankën qendrore të vendit. Por nga ana e saj, duket se mazhoranca nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj për t’i zgjedhur pikërisht ajo në Parlament anëtarët e Këshillit Mbikqyrës. Vetë kreu i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, ka pohuar se nuk ka asnjë nen në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë” sipas tij, ku të thuhet se Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit një anëtar të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë! “Këta e paskan bërë fakt, ai që propozon Presidenti bëhet anëtar automatikisht dhe Kuvendi duhet ta pranoj pa të drejtë refuzimi”, ka shtuar ai, duke përfunduar se sipas ligjit, kandidatët për anëtar të Këshillit Mbikqyrës propozon vetëm Kuvendi, Qeveria dhe vetë Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë. Kësisoj, ai ia ka mohuar të drejtën Presidentit për zgjedhje të Guvernatorit jashtë antarëve të Këshillit.

 

Erjon Braçe:

“Nuk ka asnjë nen në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë” ku të thuhet se Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit një anëtar të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Asnjë. Sipas ligjit, kandidat për anëtar të Këshillit propozon vetëm Kuvendi, qeveria dhe vetë Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë. Kërkush tjetër”.

Bujar Nishani:

“Le të bëjë Parlamenti dhe qeveria çfarë t’u duket e leverdishme. Ajo që unë si President do bëj është se në çdo rast e çdo rrethanë do zbatoj përpikëmrisht Kushtetutën dhe ligjin. Nuk ka përcaktim ligjor që Guvernatori të sugjerohet nga Kryeministri. Guvernatorin e propozon Presidenti dhe e miraton Parlamenti”.

 

SHKARKO APP