Përplasja Presidencë-Qeveri, ish-ministrat: Duhen konsulta
Zgjidhja e ngërçeve institucionale gjendet tek konsultimi mes palëve. Të këtij qëndrimi shprehen ish-ministrat e Punëve të Jashtme Paskal Milo dhe Aldo Bumçi, lidhur me përplasjen më të fundit të krijuar mes Presidencës dhe Qeverisë, lidhur me pretendimet e të parës se e dyta i “ka fshehur” ftesat për aktivitetet jashtë vendit, duke dëmtuar kështu aktivitetin diplomatik të Shqipërisë në tërësi. Sipas tyre, praktika ka treguar se zgjidhja gjendet pikërisht në takimet e vazhdueshme mes Presidentit dhe ministrit të Jashtëm. Konkretisht, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Paskal Milo mendon se kjo çështje duhej zgjidhur përmes konsultimeve intensive mes dy institucioneve. “Të shmangen sa më shumë të jetë e mundur fërkime të kësaj natyre, sepse duhet që të amortizohen përkes konsultimeve paraprake”, ka pohuar ai. Duke shtuar se ato nuk e ndihmojnë shtetin shqiptar edhe në çështje të imazhit të tij në arenën ndërkombëtare. Ndërsa ish-ministri demokrat, Aldo Bumçi ngre shqetësimin për një situatë sipas tij, të keqe në shërbimin diplomatik të drejtuar nga ministri aktual, Ditmir Bushati. “Kur ministri ka shënuar skandale të tilla, si braktisja e fjalës së presidentit në OKB, kur ftesat nga presidentë të rajonit nuk i dërgohen Presidentit të Republikës, nuk është një çështje banale”, theksoi ai lidhur me këtë problem btë krijuar mes dy institucioneve kryesore të vendit. Dhe së bashku, dy krye-ish-diplomatët e vendit, ndanë të njëjtin mendim se një situatë e tillë konflitkuale i shërben negativisht imazhit të vendit. Ndërkaq,
Afrim Krasniqi i cili ka mbajtur postin e këshillitarit për dy ish-presidentet Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, thotë se zgjidhja është gjentur gjithmonë tek konsultimi dhe tek takimet e vazhdueshme që Presidenti u këkonte ministrave të kohës. “Eshtë normale të ketë mosmarrëveshje, por komunikimi i zgjidh tensionet”, ka deklaruar ai.
PRONONCIMET
Paskal Milo
“Të shmangen sa më shumë të jetë e mundur fërkime të kësaj natyre, sepse duhet që të amortizohen përkes konsultimeve paraprake”
Aldo Bumçi
“Kur ministri ka shënuar skandale të tilla, si braktisja e fjalës së presidentit në OKB, kur ftesat nga presidentë të rajonit nuk i dërgohen Presidentit të Republikës, nuk është një çështje banale”
KONFLIKTI
Akuza e Presidentit: Më
fshehin ftesat për jashtë
Presidenti i Republikës ka akuzuar pardje publikisht qeverinë, se ajo sipas tij, po cenon imazhin e Shqipërisë jashtë vendit. Duke u thënë dje gazetarëve në një konferencë shtypi se pas përpjekjes për të bllokuar aktivitetin e tij brenda vendit, tani po i nxjerrin pengesa edhe jashtë kufijve. “Dua t’ju them se situata e komunikimit dhe marrëdhënieve midis Presidentit dhe Qeverisë në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, të marrëdhënieve me jashtë që ka të bëjë me Ministrinë e Jashtme është jokorrekte. Në disa raste po sjell shqetësime që kanë të bëjnë me imazhin e shtetit”, tha ai. E në këtë rast, e ka patur fjalën për iniciativën e Europës Juglindore, Presidencën e radhës të së cilës e ka Shqipëria, ku qeveria sipas tij, ka vendosur që të mos e mbyllë ai këtë kryesim. Pas kësaj, rrëfeu edhe punën e ftesave që vijnë në Ministrinë e Jashme në emër të Presidentit shqiptar, por që sipas tij, nuk i mbërrijnë por mbeten aty. Rasti i parë kishte të bënte me një aktivitet të arbëreshëve të Italisë. Ndërsa rasti i dytë me ceremoninë e inaugurimit ëtë presidents së re kroate. “Ka pasur raste të përsëritura kur në Ministrinë e Jashtme janë bllokuar aktivitete ku është ftuar në evente ndërkombëtare për të marrë pjesë Presidenti i Republikës. Prej shumë muajsh, në mënyrë rastësore mora vesh që isha i ftuar nga komuniteti arbëresh në Itali dhe kjo ftesë e përcjellë nga ambasada jonë në Romë në Ministrinë e Jashtme ishte e bllokuar atje dhe Presidenti nuk kishte asnjë informacion dhe këtë e kam marrë pas një takim krejt të rastësishëm me Ambasadorin tonë atje. Në një kohë që ftuesit, në të drejtën e tyre mund të mendojnë që Presidenti nuk po i tregon respekt duke u përgjigjur që e pranon apo ftesën, apo do t’i vizitojë ata. Ju e dini që në Kroaci ka pasur zgjedhje të reja presidenciale dhe Presidentja e re organizon ceremoninë e inaugurimit të saj dhe ka ftuar krerët, Presidentët e rajonit të Evropës Juglindore, midis të cilëve ka dërguar një ftesë-notë edhe për mundësinë që mund të ketë pjesëmarrja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në një kohë që është konfirmuar pjesëmarrja e shumë presidentëve të rajonit, Presidenti nuk ka pasur asnjë informacion për këtë sepse ftesa dhe nota ka qenë e bllokuar në Ministrinë e Jashtme”, deklaroi ai.